Lëvizja FOL, nëpërmjet një aksioni-protestë kërkon nga të gjithë ata që kanë marrë mandatin e votuesve që të zgjedhin një Qeveri të pastër dhe kompetente, kurse në postin e Presidentit një personalitet kredibil, i cili mund të përfaqësojë unitetin e qytetarëve të vendit, pa dallim.
Duke marrë parasysh problemet dhe sfidat nëpër të cilat po kalon shteti, në veçanti imazhin e dëmtuar të tij kohëve të fundit, Lëvizja FOL, u bën thirrje deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që me votën e tyre të zgjedhin institucione që garantojnë funksionimin të mirëfilltë demokratik dhe stabilitet të qeverisës.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL deklaroi se “Ky detergjent dhe këta 120 sapunë të hedhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës janë tregues i qartë se vendi është përfshirë në një papastërti të skajshme politike. Fakti që në legjislaturën e parë të një shteti të pavarur, i cili synon të funksionojë sipas vlerave evropiane, janë zgjedhur edhe deputetë të cilët janë nën hetime apo të dyshuar për shkelje ligji e minon thellë besueshmërinë e secilit qytetar në një ligjvënie të drejtë, të paanshme dhe në mbrojtje të interesave të vendit”
Përveç që imazhi i dëmtuar i Kosovës tani më është një gjendje faktike, edhe nëpërkëmbja e parimeve themelore kushtetuese dhe ligjore gjatë negociatave për koalicion qeveritar ka sjellë mundësinë që në krye të shtetit të vijë një njeri me një të kaluar tejet kundërthënëse, i cili madje, është hetuar nga një shtet mik i popullit të Kosovës.
Gjithashtu, duke marrë parasysh se vlera simbolike e postit më të lartë të vendit vetëm se është e dëmtuar rëndë nga Presidenti i kaluar, i cili u detyrua të linte detyrën për shkak të shkeljes së Kushtetutës, ky nuk duket të jetë veprim politik i matur për gjendjen aktuale politike në të cilën ndodhet vendi.
FOL konsideron se deputetët duhet të jenë në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe assesi në shërbim të interesave të tyre partiake apo personale. Ata nuk duhet të votojnë institucione që nuk do të jenë madje as kredibile që të përballen me sfidat e brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet Kosova.
Më tutje z. Zogaj shtoi se: “Këto rrethana i obligojnë ata që të votojnë në institucione njerëz me integritet dhe kompetent për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, riparuar imazhin e dëmtuar ndërkombëtar dhe që do ta përshpejtojnë rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”.
Lëvizja FOL kërkon nga të gjitha institucionet që të tregohen të përgjegjshme në veprimet e tyre, llogaridhënëse në vendimet e tyre dhe transparente para qytetarëve që i kanë zgjedhur. Kjo është mënyra e vetme që në vendin tonë të vendoset siç duhet procesi i shtet-ndërtimit, demokratizimit dhe mirë-qeverisjes.