prezantuar shumicës së përdoruesve, përmes ekranit të madh.
“The Social Network” në regji të David Fincher, prej të hënës ka zënë vend edhe në ekranin e Kinemasë ABC. Filmi u është “servuar” adhuruesve kosovarë të kinematografisë një ditë pas mbajtjes së ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”, në të cilën u kurorëzua me tri çmime, duke përfshirë çmimin për skenarin më të mirë të adaptuar, për montazhin më të mirë dhe për muzikën më të mirë origjinale.
Ngjarja e filmit me skenar të Aaron Sorkin zhvendoset në vitin 2003. Historia nis kur Mark Zuckerberg (Jesse Eisenberg), student i Unversitetit të Hardwardit, vendos t’i japë fund lidhjes së tij me Erica Albright (Rooney Mara). Fundi i lidhjes me Erican shënon fillimin e etapës më të rëndësishme të jetës së Markut. I nxitur nga inati ai krijon një ueb - faqe të quajtur “facemash”, të cilën e shfrytëzon për të dëmtuar reputacionin e studenteve të Hardwardit. Pasi dënohet nga drejtori i universitetit, Mark nis “aventurën teknologjike” që do t’i ndryshojë jetën. Kinemaja ABC pret që “The Social Network” të ndryshojë me të madhe numrin e shikuesve.
“Është hit botëror dhe ka fituar tri çmime ‘Oscar’ dhe besojmë se do të ketë interesim pasi filmi është pritur mirë në gjithë botën”, ka thënë Miradije Vallahiu, menaxhere e kompanisë për distribuimin dhe shfaqjen e filmit “Genci”.
Interesimi për historinë e krijimit të “Facebookut” për sociologen Sibel Halimi është i pritshëm.
“Është e natyrshme që njerëzit të kenë dëshirën të shohin një film që ka të bëjë me diçka që e përdorin”, ka thënë Halimi.
Megjithatë, ajo ka shtuar se “The Social Network” ka gjasë të tërheq një pjesë të caktuar njerëzish.
“Filmi më shumë do t’i interesonte një grupi të caktuar sepse shoqëria ka më shumë interesim që ta përdor ‘Facebook’-un, sesa të dijë si është krijuar. Por do të duhej të kishte kureshtje, sidomos nga ana e studentëve, për një iniciativë që ka nisur si e vogël e ka marrë përmasa globale”, ka shtuar ajo.
Për dramaturgun Arian Krasniqi sjellja në Prishtinë e “The Social Network”, pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”, është një iniciativë e qëlluar.
“Është mirë që kinemaja ka arritur ta sjellë në afat rekord këtë hit botëror. Në gjithë kinematë e vendeve tjera, ka pasur interesim dhe mendoj se do të ketë interesim edhe në Kosovë, duke pasur parasysh temën që trajton”, ka thënë Krasniqi.
“The Social Network” deri tani ka arritur të grumbullojë mbi 96 milionë dollarë në arkat filmike anembanë botës./kn