e diel, 26 shtator 2010

5 albumet më të shumëpritur të vitit

Alban Skëndera


Ka treguar për “SH2″ se këtë fundvit ka plane të botojë albumin e tij të ri në gjuhën shqipe, ndërsa po bën përpjekje për të publikuar dhe një album në italisht për tregun italian.
Fansat e tij mezi e presin këtë album, pasi janë të sigurt që qëndrimi dhe eksperienca muzikore në Gjermani patjetër që ka ndikuar dhe në krijimtarinë e re të këngëtarit. Para pak kohësh, ai prezantoi dhe videokëngën e parë “Si më parë”, e cila do të jetë në albumin e ri së bashku me 11 këngë të tjera. Data e publikimit mendohet të jetë në muajin dhjetor.





Elvana Gjata


Gjatë verës ka publikuar dy videokëngë, ndërkohë ka lajmëruar për një të tretë, që i ka bërë fansat të besojnë se albumi i dytë i shumëpritur prej Elvanës duhet të jetë në përfundim e sipër. Elvana, si një ndër këngëtaret më të preferuara nga rinia, është e destinuar që dhe me albumin e ardhshëm të ketë po të njëjtin sukses si me debutimin e saj “Mamës”, që rezultoi një ndër albumet më të suksesshëm të vitit. Gjykuar nga ritmet e këngëve të fundit të Elvanës, besojmë se dhe albumi i ri do të ketë më së shumti këngë ritmike.







Aurela Gaçe


Aurela ka treguar se nuk e shpërdoron kot kohën dhe sa herë që ka qenë prezente në Tiranë, ose ka publikuar ndonjë këngë të re, ose ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet muzikor. Gjatë verës, ajo është parë dhe më shpesh në kryeqytet, çka na bëri të mendojmë se do të marrë sërish pjesë tek “Kënga Magjike”. Në fakt, nuk ka qenë ajo arsyeja, pasi flitet se Aurela pas bashkëpunimeve të suksesshme me Flori Mumajesin, ka ndërmend të publikojë një album të ri. Tashmë që Aurela i është drejtuar këngëve me ritme të forta r’n'b, për të cilat ka dhe zërin më se të përshtatshëm, fansat së bashku me ne, mezi presin të dëgjojnë këngën e radhës…ose këngët!





Adelina Ismajli


Gjatë këtij viti, Adelina shpesh herë ka përmendur vizitat jashtë Kosovës, të cilat nuk kanë qenë thjesht pushime më tepër sesa kohë në studio për albumin e saj të ri. Këngëtarja nuk ka dhënë më tepër detaje, por flitet se ky album do të jetë në gjuhë të huaj dhe me të Adelina do të synojë tregun evropian. Këngëtarja vetë nuk ka pohuar gjë, pasi dihet që Adelina nuk prononcohet derisa projektet t’i ketë gati për publikim.


Tingulli 3nt


Tashmë dihet që albumi i ri i “Tingulli 3nt” ka përfunduar, pasi shumë prej këngëve të këtij albumi gjenden ilegalisht dhe në internet. Bashkëpunimi i tyre i parë me Ermal Fejzullahun në këngën “I kom” ka pasur sukses, po ashtu si dhe bashkëpunimi i ri me Flori Mumajesin në “Syt e mi”. Një tjetër këngë e grupit, tashmë hit në internet dhe që flitet se është pjesë e albumit të ri, titullohet “Asniherë”. Publikimi i krijimeve të reja të Tingullit ka nxitur kërshërinë e fansave në lidhje me daljen e albumit, por në të njëjtën kohë dhe ka nxitur frikë se mos ndoshta falë këtyre publikimeve pa leje, grupi anulon daljen e albumit. Le të shpresojmë që jo!

shko