e shtunë, 25 shtator 2010

"Gropa e intelegjencës" - Projekti i nënkalimit te ndërtesa e KEK-ut

foto: TopLajm
Fjalën e kam për projektin e ri të nënkalimit tek ndërtesa e KEK-ut, ku momentalisht projekti është në realizim e sipër. Nuk do ta shtjelloj temën e projektit sepse është ide e mirë të mos lejohet kryqëzimi i udhës së këmbësorëve me atë të automjeteve, mirepo nga jeta e përditëshme mund të shihni edhe vet që tunelet në kulturën shqipëtare, nuk janë zgjidhje e mirë. Vendkalimet apo tunelet sot në Prishtinë janë vend për të hedhur mbeturina, për të urinuar, vjedhur, zhgaravitur muret etj etj.

foto: TopLajm
Çka më vret syrin, është punishtja dhe mënyra se si trajtohen qytetarët. Kjo punishte nga mënyra se si zhvillohet sot, nuk e plotëson asnjë kriter të një punishteje evropiane, e mos të them edhe asaj njerëzore. Siguria është ZERO! Ku është inspekcioni? Realizuesi i këtij projekti nuk ka ″menduar″ fare se si t′u ofroj shteg këmbësorëve, të kalojnë nga një pikë në pikën tjetër (nga a.q. Santea tek Tre sheshirat). Kanë filluar punët, për ndoshta një ndër projektet më kryesore në Prishtinë, duke neglizhuar faktorin Njeri. 


Qytetarët duhet të kalojnë nëpërmjet punishtes, pranë makinerisë së rëndë, të kërcejnë, të evitojnë gropa, të shkelin në siperfaqe jo te rrafshëta e stabile, nëpër baltë. Këto janë vështirësitë elementare të një njeriu normal. Por mos ti harrojmë personat e hendikepuar si dhe nënat me karroca, grup i cili poashtu ka të drejtat e njëjta si çdo qytetar tjetër. Neglizhence totale!!!! Turp!!! Personi apo edhe personat, të cilët janë involvuar në organizimin e punëve të ketij projekti nuk kanë “menduar” fare për njeriun në këtë rast. Është mungesë e dijenisë, përvojës dhe është ofendim direkt i intelegjences së çdo banori që kalon pranë. 
Njeriu është qenie që lëviz pa ndërprerje. Është proces natyror që mund të vërehet edhe në botën shtazore p.sh. milingonat. Në qoftë se u ndërpritet rruga, ato instinktivisht kërkojnë qasjen më të shkurtër për të arritur tek caku. Edhe pse jemi qenie më e sofistikuar se milingonat, ne prapë e kërkojmë udhën e shkurtër, përveç rastit të udhë-rrëfimit nëpërmjet sinjalizimit. Është diçka që kemi trashëguar falë evolucionit. Disa ditë me vonë punishtja për çudi është mbyllur, moment që krijoi edhe me tepër konfuzion tek mënyra e rrjedhjes se masës njerëzore. Për shkak të gabimit të mos sigurimit të shtegut të duhur, qytetarët në mënyrë instinktive zbuluan një kalim që për kushtet evropiane është paparashikueshme. Fotoja flet për veti! Mënyra se si është dashur të zhvillohen punët është që së pari të sigurohet shtegu për qytetarët duke përfshirë të hendikepuarit, të mbrohet punishtja nga qasja e personave jo të autorizuar, të reduktohet sasia e baltës që bartet nga punishtja në rrugët e qytetit, të evitohet kryqëzimi i udhës së këmbësorëve dhe makinerisë së rëndë etj. A janë aspekte të vështira dhe të parealizueshme?

foto: TopLajm


Ne këtë mënyrë dëshiron Kosova të hyjë në Evropë?...në këtë mënyrë ndoshta më afër në ligën e shteteve afrikane do të kemi gjasa. Një punishte e tillë në Evropë do të dënohej aq shumë, sa që ndoshta kostoja e tërë projektit do të ishte me e ulët se dënimi. Fatkeqësisht më duhet poashtu ti fajësoj edhe qytetarët që kanë lejuar një situatë të këtillë. Është dashur të mblidhen vet ata, ta ndalojnë hyrjen dhe daljen e makinave. Protestat nuk mbahen vetëm kur jemi në kundërshtim me regjimet politike apo problemet ekonomike…mos harroni që poshtu kemi të drejtë të luftojmë për të drejat tona personale. 
Mendoj që përgjigjet e juaja do të synojnë që fajin e kanë politikanët, korrupsioni etj. (përgjigjet tipike)...mirepo këtu nuk ka arsyetim...është nevojitur vetëm të mendohet pak....aq pak sa që nuk do të shkaktonte fare kokëdhimbje. Nuk është vepruar në këtë mënyrë dhe tani qytetarët duhet të kërcejnë si grupacionet e antilopeve afrikane gjatë migrimit të tyre në Serengeti duke kaluar lumin përplot krokodilë...

Të shpresojmë që projekti do të realizohet pa ndonjë incident. Pas disa vitesh të funksionimit të këtij tuneli do të shohim se a funksionon siç është paraparë. Kjo do të mund të dëshmoj evoluimin e kulturës së këtij populli. Mbetemi me shpresë…

Agron Deralla
Opinionist i TopLajm-it


.
shko