Rrëfimi i yllit të popit, që më 12 tetor do të publikojë një antologji me këngë të reja. Gjithashtu, ai pohon se do të rikthehet me grupin e vjetër. Vetmia, droga, dizintoksikimi dhe martesa me Ayda Field
Më 12 tetor do të publikohet albumi i ri i këngëtarit Robbie Williams. Titullohet “In and out of consciousness-Greatest Hits 1990-2010”, dhe është një përmbledhje e 20 viteve karrierë.
Pjesë e këtij albumi do të jetë edhe kënga “Shame”, e kënduar në duet me Gary Barlow, e shumë balada të tjera të kënduara me grupin “Take That”, banda e djemve që braktisi papritur në vitin 1995. Prej asaj kohe kemi lexuar informacione nga më të ndryshmet lidhur me të: “Robbie hetero, biseksual, gej, që përpiqet të largohet nga vetvetja”; “Robbie i mërzitur, i dehur, i droguar, i braktisur nga vetja”; “Robbie i çmendur, i zhgënjyer, viktimë e vetvetes”; etj. Ngjarja e fundit që e ka lumturuar paksa dhe i ka dhënë një rreze shprese jetës së tij është martesa me aktoren Ayda Field. Para pak kohësh Robbie u prek nga një sëmundje misterioze, e cila e detyroi të anulonte çdo lloj takimi.Ç’është kjo puna e sëmundjes. Mesa shoh ju gëzoni shëndet të plotë. Jeni për mrekulli...
Në fakt, nuk kam qenë mirë. E keqja ishte se nuk e dija çfarë kisha. Asgjë e pashërueshme, por për vite me radhë kjo “gjë” nuk është diagnostikuar, me jep letargji, më bën të ndihem gjithnjë i lodhur. Problemi është se asnjëherë nuk merremi seriozisht nga mjekët. Ata mendojmë se gjithçka vjen nga konsumimi i drogës, alkoolit... Për këtë arsye edhe unë fillova të mendoja se e keqja më vinte nga konsumimi i substancave narkotike. Më vonë zbulova se e gjithë kjo ishte pasojë e një patologjie, të cilës nuk dua t’ia përmend emrin, por që për fat të mirë jemi në gjendje ta kurojmë me ilaçe.
Duhet të shëroheni shpejt, sepse pas pak kohësh do të publikohet albumi juaj dhe do të riktheheni me “Take That”...
Prej vitesh jam një shpirt i vetmuar, i pakënaqur me veten, fatkeq dhe gjithmonë në kërkim të diçkaje që nuk më ka dhënë suksesi. Tani, si për çudi kam gjetur vendin ku dua të rri. Dua të jem përkrah bandës time. Jam sërish mik me miqtë e mi të vjetër. Jemi gati për të tjera çudira. A ju duket pak kjo?.
Nga mënyra se si flisni duket që karriera sofistike është pagëzuar me një kontratë 100 milionë dollarëshe, është kurorëzuar me 60 milionë kopje CD-sh të shitura dhe në fund nuk ndieni asnjë lloj kënaqësie.
Gjatë këtyre viteve, jeta ime nuk më ka pëlqyer aspak. Në një farë mënyre ky është “kurthi” i yjeve të muzikës: jemi në kërkim të diçkaje që i pëlqen masës dhe harrojmë atë që na pëlqen neve. Gjithmonë mendoj me vete se e mira nuk ka ardhur ende. E vërteta është se unë nuk jam kënaqur kurrë me veten, vazhdoj të kërkoj diskun perfekt, një këngë që të mbetet në gojën e të gjithëve. Megjithatë, i kam shkuar afër, por nuk ia kam arritur qëllimit.
A mund të bëheni vartës ndaj suksesit, ashtu siç ndodh edhe me drogat?
Mendoj se është në natyrën njerëzore të kërkojë më shumë, të arrijë maksimumin, të kapërcejë vetveten dhe kur një person është kërkues ashtu siç jam unë, do të jetë edhe mbi të tjerët. Ky proces është i shëndetshëm dhe stimulues derisa gjërat shkojnë mirë, por bëhet i frikshëm përpara vështirësive të para. Fillova të përdorja droga dhe alkool për të arritur më të mirën, por në fakt ishte vetëm fillimi i një makthi.
Videoja e këngës “Shame” është xhiruar në “Brokeback Mountain”. E kujt ishte ideja?
E imja. Doja diçka të veçantë, diçka jashtë botës së muzikës pop, atmosfera e një kënge të vjetër “country” e ndërthurur me pamjen e dy homoseksualëve. Tani mund të bëjmë shaka me këto argumente. As unë dhe as Gary nuk nevrikosemi nëse dikush shkruan që jemi gej.
Bashkimi me grupin “Take That” është diçka që ju ka shkuar ndërmend prej shumë kohësh, apo ishte një rrufe në qiell të hapur?
Mendoj se gjithmonë kam dëshiruar të kthehem me djemtë, por nuk mundesha për shkak të impenjimeve. Suksesi im kishte arritur kulmin, ndërkohë që ato po harroheshin. Nëse do të kthehesha, veprimi im do të gjykohej si një akt ekstrem. Tani që “Take That” po mbushin sërish stadiumet dhe jemi në nivel të barabartë, bashkimi erdhi në një kohë të favorshme për të dyja palët.
Ju morët një vendim të rëndësishëm, u larguat nga Anglia, për të jetuar në Shtetet e Bashkuara. Një gjest domethënës prej divi. Përse e bëtë?
Gjërat që shkruheshin në internet dhe agresiviteti i gazetave ma bënë jetën të pamundur. Dikur unë përfundoja në për faqet e para të gazetave më të rëndësishme në vend. Kur gazetat e tjera filluan ta kuptonin këtë, që thashethemet shisnin gazetën, atëherë nisën të sajonin skandale të rreme dhe i publikonin në faqe të parë. Situata filloi të bëhej e padurueshme, unë isha një gjah nga më të preferuarit. Kështu zgjodha Los Anxhelos, ku pothuajse askush nuk më njihte. Ishte një çlirim të mos jetoja më duke u vëzhguar gjithë kohës me mikroskop.
Por as dielli i Kalifornisë nuk ju dha qetësi...
Në Los Anxhelos kam jetuar si një njeri i tërhequr nga bota. E pyesja gjithmonë veten: mos vallë është faji i punë sime që jam i vetmuar, i mbyllur në vetvete, apo kjo gjë u ndodh dhe të tjerëve? Për të thënë të vërtetën nuk jam tërhequr kurrë nga jeta e natës, as kur isha i ri. Më pëlqen rehatia e shtëpisë sime, dua të kaloj sa më shumë orë në studion e shtëpisë. Jeta në Los Anxhelos përbëhej nga momente të vështira, ulje-ngritje. Jo për shkak të famës, por të drogës dhe alkoolit. Për të mos folur pastaj për varësinë që kisha ndaj ilaçeve. Sot që Ayda është pjesë e jetës sime, e quaj veten me fat, të rrethuar nga luksi. Jam një i burgosur i lumtur.
Martesa ju shpëtoi jetën?
Ky është një titull gazete, askush nuk mund të të shpëtojë nëse nuk dëshiron ti. Gjithçka në jetë i detyrohet karrierës, suksesit, martesës. Tani jemi një skuadër dhe kur ke pranë dikë që të do pa kushte, perspektivat ndryshojnë. Edhe fakti që shet më pak disqe bëhet i parëndësishëm, madje edhe mungesa e suksesit amerikan nuk është më një problem. Nuk punoj më 24 orë në ditë për të arritur një vend të parë në klasifikim.
Jeni gati të bëheni baba? E keni menduar ndonjëherë këtë?
Po, vazhdimisht, madje edhe sot në mëngjes, pasi bëra dashuri me gruan time. Kjo gjë më tërheq dhe më tremb në të njëjtën kohë. Ndihem ende si një fëmijë tetë vjeç.
Ishit në Los Anxhelos kur vdiq Michael Jackson?
Jo, isha në Bahamas, por lajmi më tronditi pa masë. Para pak muajsh edhe unë isha në të njëjtën situatë, do të shtrohesha në një qendër rehabilitimi, ndërkohë që bëja llogaritë se sa shumë VIP-a kanë humbur jetën nga varësia ndaj drogave dhe ilaçeve. Gjëja e parë që më erdhi ndërmend ishte se mund të kisha qenë unë në vendin e tij.