e enjte, 23 shtator 2010

Sarkozi, një president gjithnjë e më i vetmuar

Presidenti francez, Sarkozi

Presidenti francez, Sarkozi, jo vetëm që ka ngjallur armiqësinë e partnerëve të tij europianë me politikën që po ndjek ndaj romëve, por tani edhe vetë francezët po i kthejnë shpinën. Kurrë më parë, një President në detyrë nuk ka qenë në pozita të tilla në Francë.
Javët e fundit, Presidenti francez, Sarkozi, ka ndërmarrë një tur në vend. Kudo që ka shkuar ka bërë atë që di të bëjë më mirë: premtimet. Ai u premtoi fermerëve që jetojnë në zonat malore të Francës  se do t’i mbështesë financiarisht për të gjitha problemet dhe hallet që kanë. U premtoi se do t’u japë mundësi kreditimi të varfërve të Parisit që të blejnë shtëpitë e tyre dhe në vazhdën e premtimeve u premtoi edhe familjarëve të ushtarëve të vrarë në Afganistan se do të vazhdonte edhe më tej luftën kundër terrorizmit.

Një taktikë e menduar mirë nga njerëzit rrotull tij që duan ende të vazhdojnë me imazhin e një Presidenti të kudondodhur, hiperaktiv, një njeri i cili është në gjendje që të kalojë të gjitha krizat njëra pas tjetrës pa asnjë problem dhe me lehtësinë më të madhe. Dhe nga një angazhim te tjetri Sarkozi dhe gruaja e tij bukuroshe ish-modelja Karla Bruni patën kohë që të vizitonin edhe shpellat parahisotrike të Lascaux dhe të admironin muralet 17 mijëvjeçare. Më pas me një lëvizje shumë të qetë dhe të qartë ai deklaroi: “Është me të vërtetë e rëndësishme për një President që të vizitojë një vend të tillë në një kohë të tillë”. Dhe më pas nuk dha asnjë deklaratë për të sqaruar këtë enigmë.
Më pas, të enjten, Sarkozi fluturoi për në Bruksel ku do të zhvillohej edhe takimi i posaçëm i liderëve të BE-së. Të martën, pra dy ditë më para samitit, komisionerja e Bashkimit Europian për drejtësinë, Viviane Reding në një fjalim të saj i kishte konsideruar përzëniet e romëve nga ana e qeverisë së Sarkozisë si “të turpshme” dhe të denja për epokën naziste të deportimeve. Madje, ajo kërcënoi që të ndërmerrte edhe veprime konkrete kundër Francës në lidhje me këtë çështje.
Presidenti francez iu kundërvu me shumë pasion dhe zell akuzave që iu bënë nga komisionerja dhe madje ai pati edhe një debat goxha të ashpër me vetë shefin e Komisionit Europian, Barrozo,  gjatë drekës së organizuar me këtë rast. Dhe po aty Sarkozi plasi bombën duke deklaruar se edhe Kancelarja gjermane, Merkel, kishte ndërmend që të shkatërronte të gjitha kampet e romëve në vendin e saj. Kjo deklaratë bëri që të gjithë të pranishmit në sallë të “frynin sytë”. Sigurisht që Berlini e mohoi menjëherë deklaratën e bërë nga kreu i shtetit francez duke e lënë Sarkozinë “thatë”.
Veprimet e Sarkozisë gjerësisht të dënuara ndërkombëtarisht kanë gjetur deri më tani vetëm mbështetjen e një tjetër lideri europian, Kryeministrit të vendit fqinj, Berluskoni, i cili prej vitesh është duke e drejtuar politikën e vendit të tij si të ishte një reality-shoë. Berluskoni që ka bërë shumë operacione plastike, që grimohet rëndë para se të dalë në publik për të fshehur rrudhat, që ka bërë vazhdimisht deklarata dhe veprime shumë të çuditshme publikisht dhe është i rrethuar vazhdimisht nga akuza dhe skandale nga më të ndryshmet është i vetmi që e mbështet Sarkozinë. Por me Berluskonin tashmë të gjithë ishin mësuar, ndërsa Sarkozinë nuk e kishin parë ndonjëherë më parë të shpërthente dhe të bënte deklarata të pabaza publikisht. Pyetja që del është mos vallë Europa veç Berluskonit do të ketë edhe një tjetër “yll” gallate në Paris?
“Po”, i është përgjigjur kësaj pyetjeje një gazetë parisiene që këtë dyshe e ka quajtur “Sarkosconi”. Në kundërshtim me politikën diskriminuese të Presidentit francez janë veç të tjerash edhe shumë intelektualë të vendit, të cilët së fundi kanë dalë me një peticion të titulluar: “Ne të gjithë jemi francezë”, një peticion që refuzon dhe kundërshton planin e Sarkozisë për të larguar nga Franca të gjithë ata që nuk kanë lindur aty edhe pse kanë dokumente franceze. Sipas një pjese të madhe të intelektualëve francezë që e kanë nënshkruar këtë peticion Sarkozi është një narcizist i pashpresë si Berluskoni, i obsesionuar njësoj si ai  nga ideja e kontrollit të medias dhe i nxitur nga dëshira për të pasur informacion dhe kontroll mbi të gjithë dhe mbi gjithçka.
Sikundër edhe Kryeministri italian edhe Sarkozi ka emëruar shokë dhe familjarë të tij në pozicionet kyçe të drejtimit të vendit dhe kryesisht në politikë dhe media. Tani ai është duke u përfshirë edhe në populizmin ksenofobik. Sipas shumë analistëve, gjithçka që i ka mbetur tani Sarkozisë të bëjë është përzierja me ekstremin e djathtë. Dhe në këtë mënyrë nuk përbën asnjë çudi që Berluskoni ishte i vetmi lider europian që e mbështeti Sarkozinë në betejën e tij vetmitare.
Ndërmarrja e veprimit të Sarkozisë ndaj romëve ndodh kur imazhi i tij në shkallë vendi ndodhet në pikët më të ulëta të të gjitha kohërave. Vetëm 3 vjet pasi ai hyri në pallatin “Elize”, rezidenca zyrtare e presidentëve francezë, dy të tretat e francezëve janë të vendosur tashmë që nuk duhet ta kishin zgjedhur atë si President të vendit dhe se nuk do t’i japin mbështetjen e tyre për një mandat të dytë presidencial. Thuajse gjysma e popullsisë janë për një rikthim të të majtëve në pushtet. Sarkozi aktualisht është duke qeverisur ndaj një populli që jo vetëm i ka kthyer shpinën, por që refuzon edhe t’i besojë Presidentit të tij. Kështu, nëpër stacionet e autobusëve janë vendosur shumë postera me kopertinën e parafundit të revistës “The Economist” në të cilën shfaqet në plan të parë dhe të madh Karla dhe më pas një Sarkozi me përmasa shumë të vogla i zhytur i tëri nën një kapele napoleonike.
Disa gazeta kanë shkuar edhe më tej me pyetjet e tyre: “A është ky njeri i rrezikshëm?”, thotë “Nouvel Observateur” që këtë titull e vë mbi foton e Sarkozisë që ka dalë i parruar. Kjo foto u sjell të gjithëve ndër mend fytyrën e trazuar të ish-presidentit amerikan, Nikson, gjatë një debati televiziv në vitin 1960 me Kenedin, debat që rrënoi përfundimisht edhe aspiratën e tij për presidencën e vendit. Edhe më parë ka pasur presidentë francezë problematikë me “njolla të errëta” në biografi. Kështu për shembull, ish-presidenti Miteran pati një fëmijë të paligjshëm gjatë presidencës dhe kishte një të kaluar të dyshimtë gjatë epokës së Vishisë, por duke qenë se lexonte autorë të tillë të ndriçuar si Shatobrian, Stendal apo Tolstoi vazhdonte që të kishte ende respekt te njerëzit dhe të sillej pavarësisht jetës private si një burrë shteti. Kjo bënte që francezët të vazhdonin të respektonin.
Pasuesi i Miteranit, Shirak arriti që t’u shpëtonte hetimeve për korrupsion për shkak të postit të Presidentit që nuk lejonte ndërmarrjen e hetimeve. Mendohet se Shirak në mënyrë ilegale ia kaluar miliona franga në llogari të partisë së tij politike kur ishte kryebashkiak i Parisit. E pavarësisht të gjithë këtyre dyshimeve, francezët e pëlqenin, sepse ai ishte në gjendje që t’u fliste njerëzve, t’u shtrëngonte duart dhe të shfaqej herë pas here me këmbë në tokë.
Në kundërshtim me gjithë paraardhësit e tij, Sarkozi, Presidenti i gjashtë i republikës së pestë në fillim dukej nga ata njerëzit e dhënë pas punës dhe plot energji dhe tipare të denja për një burrë shteti. Por me të ardhur në pushtet, ai veproi me guston dhe zakonet e një pasaniku të ri që sapo i kishin në rënë në dorë pushteti dhe paraja duke filluar huqe pasanikësh që me ndërrimin  e gruas dhe me marrjen për bashkëshorte të një modeleje bukuroshe  të përfolur e deri festimet dhe kalimi i pushimeve me biznesmenë të famshëm dhe super të pasur nëpër resorte e jahte luksoze. Sarkozi u premtoi votuesve gjatë fushatës elektorale për një thyerje me të shkuarën dhe u kërkoi francezëve që të çoheshin herët në mëngjes dhe të përveshnin mëngët për t’iu futur punëve dhe për të ndryshuar imazhin e vendit dhe të vetes së tyre. Ai paralajmëroi ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse dhe radikale që do të rinovonte sistemin e vjetruar. Fillimisht për francezët ai u konsiderua si “ajri i pastër” i munguar prej shumë kohe. Ata shpresonin për një Francë të re të orientuar drejt.  Por Presidenti i tyre i sapozgjedhur me lëvizjet e tij të para politike dhe ato që vijuan nisi që t’u krijonte mbështetje dhe hapësirë fitimesh miqve të tij biznesmenë. “Në fillim të presidencës së Sarkozisë më pyetën se cili ishte rreziku më i madh që mund t’i vinte vendit nga presidenca e Sarkozisë. Unë që në fillim e kam gjykuar se e rreziku më i madh është vetë personi i tij, sepse Sarkozi është një njeri një nuk njeh kufij dhe që synon që të gjitha institucionet politike t’i shkojnë për shtat presidencës së drejtuar prej tij”, deklaron Edëy Plenel, shefi i një shërbimi lajmesh online “Mediapart”. Ai është një 58-vjeçar që njihet shumë mirë në Francë dhe ka qenë ish-kryeredaktori i “Le Monde”. Gjatë drejtimit të gazetës nga ana e tij janë denoncuar një sërë skandalesh ndërkombëtare.
Së fundi kanë dalë edhe fjalë se Karla Bruni ka futur duart në dosjet e shërbimeve sekrete. Dhe nuk është çudi që kjo të jetë e vërtetë, sepse në fund të fundit ajo është bashkëshortja e një burri që nuk njeh asnjë kufi.
shko