e mërkurë, 8 shtator 2010

Policia VS Gazetaret

Dy gazetarët e Kohavisionit, Arta Avdiu dhe kameramani Veton Vehapi, janë maltretuar të martën nga një zyrtar policor i Deçanit, vetëm pse kanë filmuar ndërtesën e Stacionit policor.

Togeri Sejdë Krasniqi i ka ndalur gazetarët në stacion duke i marrë në pyetje për arsye, siç ka thënë ai, se e kanë xhiruar me kamerë ndërtesën e Stacionit pa leje përkatëse, ani se në këtë ndërtesë nuk ka asnjë shenjë që ndalohet incizimi apo fotografimi i saj.
“Kemi qenë duke marrë pamje prej anës tjetër të rrugës dhe në momentin që kemi dashur të hynim në Stacion për të marrë pamje e kemi pyetur njërin prej policëve, i cili na ka thënë që nuk mundemi të xhirojmë pa leje. Ne jemi nisur të kalonim rrugën për të hipur në veturë, kur togeri Sejdë Krasniqi i ka rënë pipit dhe na ka thirrur të kthehemi pas”, ka shpjeguar ngjarjen gazetarja Arta Avdiu, e cila në Deçan ka qenë të martën për realizimin e një teme.
Ajo ka thënë se ky zyrtar policor u ka kërkuar kartat e identitetit, por ka kërkuar edhe leje të punës dhe dokumente të tjera. Avdiu ka shtuar se kur ajo dhe kolegu i saj ia kanë dhënë ID-të zyrtare të KTV-së, togeri Sejdë Krasniqi u ka thënë se këto nuk vlejnë duke tentuar që ta marrë në stacion vetëm kameramanin Veton Vehapi.
“Kemi shkuar brenda të dytë, por në pyetje është marrë vetëm kameramani Veton Vehapi, duke mos më lënë mua në asnjë moment të hyja në zyrë, pasi që unë kam qenë përgjegjëse për të gjitha pamjet që ka marrë kameramani”, ka shtuar gazetarja Avdiu.
Ajo thotë se kjo “seancë pyetjesh” ka zgjatur mbi 15 minuta dhe shton se janë liruar vetëm pasi në stacion ka ardhur komandanti, Rasim Sylaj, për të cilin gazetarja ka thënë fjalë të mira.
“Komandanti z. Rasim Sylaj është sjellë shumë mirë. Na ka kërkuar falje duke thënë se ‘nuk është qëllimi ynë ta pengojmë punën e gazetarëve’”, ka thënë me tej Arta Avdiu. Gjatë asaj kohe, sipas Avdiut, aty ka qenë edhe një polic i EULEX-it dhe disa policë kosovarë me rroba civile.
Gazetarja Avdiu ka thënë se gjatë marrjes në pyetje kameramani Veton Vehapi i ka shpjeguar se ka marrë pamje nga jashtë, ndërsa kur ka dashur të filmonte brenda stacionit dhe nuk i ishte lejuar është nisur për të shkuar drejt veturës. Por togeri Krasniqi i ka mohuar këto duke thënë se nuk është e vërtetë. Ajo ka thënë se nuk i ishte lejuar të fliste nga togeri Sejdë Krasniqi, duke i thënë: “Ti rri qaty mos lëviz, ty nuk të vlen kjo ID, ama lejen e punës”, etj.
Gazetarja ka treguar se togeri ia ka kërkuar edhe shoferit, që në atë kohë ndodhej në veturë, përveç patentë shoferit dhe lejes së qarkullimit, edhe lejen e punës.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe komandanti i Stacionit policor të Deçanit, Rasim Sylaj, por këtë e ka quajtur “më shumë një keqkuptim”. “Aty ka qenë një keqkuptim. Unë u kam treguar edhe gazetarëve, edhe unë kam qenë shumë i hapur me ta dhe u kam thënë që Policia e Kosovës është shumë e hapur me gazetarë dhe kur kemi ndonjë ngjarje, ne bëjmë vende të posaçme ku mund të qëndrojnë gazetarët”, ka thënë Sylaj. “Unë kam biseduar me gazetarët, u kam dhënë të gjitha mundësitë dhe të gjitha të drejtat që kanë ata, kështu që, edhe zinxhirit tim komandues lidhur me këtë ngjarje i kam raportuar”, ka shtuar ai.
Ndonëse nuk ka folur për detajet, ai e ka pranuar se nuk ndalohet filmimi i stacionit policor dhe se në këtë objekt nuk ka asnjë shenjë që tregon se ndalohet një gjë e tillë.
“Aty lejohet filmimi por, sipas informatave që kam unë, ata kanë hyrë brenda rrethojës së stacionit, por togeri që ka qenë në stacion ka dashur që të jetë në dijeni se kush janë këta që po xhirojnë dhe i ka legjitimuar”, ka shpjeguar ai. Komandanti Rasim Sylaj ka thënë se ngjarjen e ka raportuar në rajonin e Pejës.
“Unë mendoj më shumë në një keqkuptim në mes të policisë dhe gazetarëve sesa që ka qenë ndonjë ndalim apo ndonjë procedurë që me ju shkaktu dëm apo me ju shkel të drejtat atyre”, ka këmbëngulur ai.(Koha)
shko