e enjte, 20 janar 2011

Dhjetë manipulimet më të famshme në Wikipedia

Kushdo mund të bëhet autor, mund të vendosë artikuj dhe t'i korrigjojë ata, dhe ka edhe të ashtuquajtur administratorë, të cilët hedhin një sy në artikujt që publikohen dhe përpunohen. 


Përmbajtjet e Wikipedias mund të përdoren dhe përhapen pa pagesë, nëse përmenden autorët. Por ka raste që artikujt e Wikipedia-s manipulohen për arsye nga më të ndryshmet. 
Ja cilat janë dhjetë rastet më të njohura të
manipulimeve në Wikipedia.

1. John F. Kennedy

Në artikullin për gazetarin amerikan John Seigenthaler Sr. në vitin 2005 për muaj me radhë mund të lexoje se ai kishte pasur lidhje me vrasjet e presidentit John F. Kennedy dhe vëllait të tij Robert. Dikush kishte bërë një shaka dhe kishte vendosur të dhëna të rreme.

2. Jürgen Rüttgers

Në maj 2005 punonjës të parlamentit gjerman Bundestag, duket kishin manipuluar artikullin e Wikipedias për kandidatin kryesor të Partisë Kristiandemokrate në fushatën zgjedhore në landin Rini Verior Vestfali, Jürgen Rüttgers. Ata kishin shuar të gjithë paragrafët kritikë për politikanin.

3. Alan Mcilwraith

Punonjësi i një qendre telefonie në Skoci, Alan Mcilwraith, vendosi në tetor të 2005-s një artikull për veten e tij në Wikipedia, dhe pretendonte se ishte një hero lufte me shumë dekorata. Në prill të vitit 2006, artikulli me të dhëna të rreme u zbulua nga një gazetë. Ai ekziston ende sot në portalin Wikipedia.

4. Karl Marx

Në nëntor 2005 u bë e ditur se në faqen gjermanisht të Wikipedias, e gjithë pjesa për filozofinë ishte mbushur me artikuj nga fjalorë të vjetër enciklopedikë të ish-RDGJ, të cilët pasqyronin filozofinë shtetërore marksiste-leniniste.

5. Jens Stoltenberg

Në nëntor të 2005-s për një ditë të tërë në faqen anglisht të Wikipedias lexohej se për shkak të pedofilisë kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg kishte qenë një vit në burg.

6. Betrand Meyer

Profesori zvicerian i informatikës Bertrand Meyer, sipas Wikipedias kishte vdekur në Natën e Shenjtë të vitit 2005. Gabimi u zbulua pas pesë ditësh. Duket se ishte fjala për një shaka studentësh.

7. Klaus Kleinfeld

Në maj të 2006 u bë e ditur se koncerni Siemens kishte dashur të zbukuronte një artikull në Wikipedia për ish shefin e bordit ekzekutiv, Klaus Kleinfeld. Kështu roli i tij në shitjen e sektorit të koncernit për telefonat celularë ishte paraqitur më pozitivisht.

8. Siria

Më shumë se dhjetë muaj në faqen anglisht të Wikipedias ekzistonte një artikull për ishullin Porchesia, para brigjeve të Sirisë (në foto shihet një pjesë e bregut në Siri). Mashtrimi u zbulua në shtator të 2006-s.

9. Karl-Theodor zu Guttenberg

Pas emërimit të Karl-Theodor zu Guttenberg-ut ministër federal i Ekonomisë, në shkurt të 2009-s, një përdorues anonim plotësoi emrin e politikanit me një emër të rremë. Emri i gabuar Wilhelm u përdor nga shumë medie.

10. Microsoft

Edhe sipërmarrje të ndryshme janë përpjekur herë pas herë të zbukurojnë artikujt në Wikipedia për produktet e tyre. Kështu për shembull Microsoft fshiu një paragraf kritik për problemet në lojën e tij Xbox 360.
shko