e shtunë, 25 shtator 2010

Sa e cuditshme Zvicra!

Zviceranët janë në mesin e etheve elektorale ndërsa Parlamenti pritet që të zgjedhë dy anëtarë të qeverisë, Këshillin Federal, që vepron si një presidencë për vendin. Por edhe ekspertët zviceranë të këtyre çështjeve tashmë kanë hequr dorë nga tentativa për t’u shpjeguar të huajve sistemin e çuditshëm politik të vendit.
Këto ditë, zviceranët janë të përfshirë nga një ethe e çuditshme që është duke u pasqyruar edhe në faqet e para të gazetave dhe ekranet e TV. Ata që vijnë për vizitë në këtë vend e kanë të vështirë që të kuptojnë se përse bëhet fjalë dhe cili është shkaku i gjithë këtij entuziazmi. Sigurisht që kuptohet lehtësisht se bëhet fjala për zgjedhje dhe një garë shumë të ngushtë mes një farë Karin Keller-Sutter dhe Johann Schnieider-Ammann dhe bëhet fjalë për çështjen nëse duhet apo jo që në qeveri të shtohet edhe një grua tjetër e pestë, apo që në të të bëjnë pjesë dy anëtarë që vijnë nga i njëjti kanton, Berna? Por edhe po të dëgjojnë një gjë të tillë, të huajt sërish nuk do të arrijnë të kuptojnë shumë.

Kur Parlamenti zviceran zgjodhi dy anëtarë të rinj të qeverisë të mërkurën e kaluar, në pjesën tjetër të Europës ajo çështje nuk do të lërë asnjë gjurmë dhe nuk do të vihet re. Zvicra njihet si një vend që është shumë i dhënë pas referendumeve, vend në të cilin janë qytetarët ata që thonë fjalën e fundit për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ta. Po kush qeveris aktualisht në këtë vend?
Rreth tre vjet më parë, një gazetë gjermane shkruan një artikull me titull: “Zvicra qeveriset nga Kazanova” ishte një artikull i bazuar në një raport të AP në të cilin thuhej se Kancelarja e re e Bernës ishte Corina Casanova. Ndryshimi i madh në këtë rast është se një kancelar në Zvicër nuk ka të njëjtat atribute siç ka të themi Kancelari në Gjermani. Në Zvicër, kancelari është thjesht shef stafi i qeverisë.
Zviceranët nuk e konsiderojnë një injorancë të tillë të shprehur në artikullin gjerman si një fyerje, por thjesht si një fakt jetësor. Historiani Urs Altermatt, eksperti më i njohur në vend në lidhje me sistemin qeverisës të Zvicrës thotë se ai tashmë ka hequr dorë nga përpjekjet për t’u shpjeguar të huajve sistemin qeverisës të vendit të tij. Loja politike e pushtetit në Zvicër është një lojë që në fakt vetëm zviceranët mund ta kuptojnë. Ja për se bëhet fjalë shkurtimisht në rastin konkret: dy nga shtatë vendet e Këshillit Federal në qeverinë e Zvicrës janë vende vakante. Sigurisht që ato nuk kanë ndonjë ndikim, apo rol të madhe në orientimin politik të vendit, por individët që do të vendosen në këto vende do të qëndrojnë aty për vite me radhë dhe zakonisht kjo zgjat deri në momentin që ata vendosin të dorëhiqen vetë. Për zviceranët, një situatë e tillë është shumë e ngjashme me atë të një telenovele, personazhet e preferuara të së cilës janë në prag të zëvendësimit me aktorë të tjerë. Qeveria zvicerane i ngjan një komune të krahut të majtë që është shumë e përkushtuar për arritjen e konsensusit në çështjet e vendimmarrjes. Qeveria përbëhet nga shtatë anëtarë të barabartë të njohur si këshilltarët federalë, të cilët së bashku qeverisin vendin. Deri të mërkurën, ky kabinet përbëhej nga 3 gra dhe 4 burra. Secili nga këshilltarët federalë ka në ngarkim një departament ekzekutiv dhe janë pikërisht këta 7 anëtarë që votojnë në lidhje me të gjitha vendimet. Nuk ka një kryetar, ose ndonjë person që të ketë i vetëm gjithë pushtetin. Janë shtatë persona që kanë të njëjtën fuqi dhe ndajnë të njëjtat përgjegjësi. Zyra e Presidentit, që njëri prej tyre me rrotacion e merr një herë në vit, është në fakt një zyrë që mban një post ceremonial. Këshilli i Federatës është në fakt një kryesi shtetërore kolektive – një President që ndahet “në shtatë pjesë” nëse do ta quanim kështu.
Zvicra është një vend Kushtetuta e të cilit është hartuar në mënyrë të tillë që të parandalojë çdolloj koncentrimi të pushtetit. Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Federatës ekzistojnë një tërësi rregullash. Të gjitha rajonet e vendit duhet që të përfaqësohen, sekset duhet që të jenë në proporcion të drejtë dhe nëse është e mundur, duhet që të ketë anëtarë që përfaqësojnë të tre komunitetet gjuhësore të vendit (gjermanisht, frëngjisht, italisht). Duhet, gjithashtu që të ketë një përfaqësim të të gjitha partive, sepse në një demokraci konsensuale, të gjitha pushtetet politike qeverisin së bashku. Megjithatë, ka pasur diferenca në opinione mes palëve të ndryshme në lidhje me proporcionet aktuale, që kur populisti i qendrës së djathtë, Christoph Blocher i Partisë Popullore Zvicerane u zgjodh në Këshillin Federal në vitin 2003 dhe nuk u rizgjodh 4 vjet më pas.
Këtë vit, aktualisht janë liberalët e Demokratëve të Lirë dhe socialdemokratët e qendrës së majtë ata që do të zëvendësojnë përfaqësuesit e tyre në ikje. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e këtyre partive do të kenë nevojë për mbështetjen edhe votën e anëtarëve të Parlamentit. Gara është pak shumë e gjatë dhe media çdo ditë referon se cili nga kandidatët është në vend të parë sipas sondazheve të fundit dhe cili ka pasuar rënie apo ngritje për arsye nga më të ndryshmet. Është në fakt, për vendasit një ritual simpatik dhe tërheqës dhe megjithatë, rrallëherë ka ekzistuar një pakënaqësi më e madhe se ajo aktuale në lidhje me sistemin e qeverisjes në vend. Gjatë viteve të fundit, zviceranët kanë përjetuar një sërë krizash të tilla si grabitjen e dy qytetarëve të saj në Libi apo sulmin ndërkombëtar që iu bë ligjit të sekretit bankar, më të rëndësishmit të bankave zvicerane. Ka pasur një sërë kritikash të ashpra kundër qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes dhe mbi të gjitha reagimeve të saj përkatësisht kundër Libisë dhe Bashkimit Europian. Këshilltarët federalë janë akuzuar për diletantizëm. Sistemi i bazuar mbi konsensusin nuk funksionon më si dikur, sepse Zvicra tashmë është shumë e polarizuar në dy kampe të mëdha atë të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Aktualisht, atmosfera politike duket shumë e helmatisur. Këshilltari federal, Moritz Leuenberger, anëtar i socialdemokratëve, ka ngritur vazhdimisht pyetjen: kush e qeveris Zvicrën? Po ai vetë a është në gjendje që t’i përgjigjet një pyetjeje të tillë? “Sigurisht”, thotë ai. “Janë votuesit ata që qeverisin. Sipas Kushtetutës, ata janë pushteti suprem dhe kjo është e vërtetë edhe në sensin politik”. Ai e di mirë se në Zvicër nuk është qeveria ajo që ka fjalën e fundit, por janë qytetarët ata që “qeverisin” përmes shtrimit të shumë çështjeve të ndryshme në referendume.
Leuenberg ka qenë në Këshillin Federal për 15 vjet dhe është shef i Departamentit të Ambientit, Transportit, Energjisë dhe Komunikacioneve. Një nga karakteristikat e sistemit zviceran të qeverisjes është qëndrimi për një kohë të gjatë i shtetarëve të lartë në atë detyrë. Dhe kjo është një nga shenjat e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së vetë sistemit. Ata mund të mos njihen në shkallë ndërkombëtare, por për sa u përket ministrive të caktuara europiane ata janë shumë të njohur në to dhe kanë punuar me disa ministra në një hark kohor shumëvjeçar. Një ministër zviceran rri aq gjatë në detyrë sa të kalojë me radhë disa ministra, pra homologë të një vendi tjetër. Një pjesë e madhe e zviceranëve janë mbështetës të sistemit në të cilin të gjitha partitë gjejnë një konsensus në qeverisjen e vendit dhe për çështje të caktuara. Sot ka nga ata faktorë politikë, apo publikë që janë për të shtuar numrin e këshilltarëve që qeverisin vendin nga shtatë në nëntë. Ka edhe propozime që janë për një shkurtim të afateve të tyre qeverisëse. Por nëse do të bëhen ndryshime të mëdha dhe të menjëhershme, atëherë situata mund të destabilizohej dhe në fund të fundit Zvicra është ajo që është pikërisht falë stabilitetit të saj dhe mbi të gjitha nuk është shquar kurrë si një prodhuese “revolucionesh”.
shko