Në vitin 1950 ishin vetëm dy metropole me më shumë se 10 milionë banorë. Në 2050-n do të jenë gjithsej 27, ku Tokio do të mbajë rekordin me 36 milionë. Por gara për qendrat urbane sjell me vete edhe shumë rreziqe. Ja cilat janë
Çhonging dhe Çenai, Karaçii, Lagos, Daka e Kinshasa: është koha të fillosh t’i kujtosh mirë këto emra, t’i vendosësh në hartën e re të botës dhe t’i fiksosh në hierarkinë gjeopolitike të lajmeve tona. Planeti po shkon drejt një revolucioni të ri: drejt triumfit të superqyteteve. Në 40 vitet e ardhshme do të jenë të paktën 27 përqendrime urbane, ku disa do të kalojnë pragun e 20 milionë banorëve, ndërsa të tjerët atë të 30. Është një transformim që do të ketë pasoja në çdo fushë: nga stili i jetesës tek konsumi kulturor, nga energjia tek uji i pijshëm, deri tek ekuilibrat politikë dhe sistemet e qeverisjes.
Një studim që është duke dalë në SHBA, “The World in 2050”, nga shkencëtari Laurence C. Smith, gjeograf i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, hedh dritë mbi pasojat e këtij ndryshimi të madh. "The World in 2050", i bazuar tek projeksionet demografike, nxjerr në dritë një planet ku jo vetëm qendra e masës së pasurisë dhe pushtetit po zhvendoset nga Perëndimi drejt Lindjes, por me shpejtësi të madhe po shfaqet edhe Jugu”, me Amerikën Latine dhe Afrikën befasuese. “Në mënyrë drastike po ndryshon natyra dhe fluksi i migrimeve, ndërsa lufta për burimet natyrore do të zhvendoset drejt kufijve gjithmonë më të largët: “Pushtimi i botës së re” (për rezervat e ujit që mbajnë akujt e Antarktidës apo ato të naftës dhe gazit në basenet polare) ose sfida për kolonizimin e hapësirës. Pjesërisht kjo sapo ka ndodhur dhe po zhvillohet poshtë syve tanë. Në vitin 1950 ishin vetëm dy zona metropolitane përtej pragut të 10 milionë banorëve, Nju Jorku dhe Tokio. Sot ky prag është tejkaluar nga dhjetëra megaqytete, shumë prej të cilave në vendet emergjente. 2010 ka qenë në fakt viti i ndryshimit historik në raportin qytet-fshat dhe është hera e parë që nga origjina e qytetërimeve njerëzore që banorët e zonave urbane kanë kaluar fshatarët dhe rezidentët e tjerë të zonave rurale. Por ndryshimi do të përshpejtohet në vitet e ardhshme nga faktorë shumë herë më të ndryshëm dhe kjo do të ndodhë në botën ku do të jetojnë fëmijët dhe nipërit tanë. Për shembull, metropol është një fjalë me origjinë greke dhe ne e lidhim me një model jetese të afirmuar në Perëndim: në kohën e Rilindjes nisën të lulëzonin qytet-shtetet në Itali; në shekullin e 18, Napoli ishte një nga qytetet më të populluara të Europës, ndërsa në shekullin e 19 dhe 20 u shënuan nga projekte të mëdha urbane të kryeqyteteve perandorake si Vjena, Parisi, Londra dhe Berlini. Sot një nga trendet që na shtyjnë drejt qyteteve gjigante ka lindur sërish në Perëndim: ka të bëjë me rikthimin në qytet të brezave të rinj të amerikanëve. Bashkëjetesa mes krizës ekonomike, modeleve të reja të konsumit, emigracionit, nxjerrin në dritë “American Way of Life”. Në mesin e shekullit të kaluar, qytetet amerikane ishin boshatisur nga banorët: klasa e mesme ishte drejtuar rreth periferive, ndërsa qendrat urbane ishin njësoj si zyrat nga të cilat popullsia zhdukej në mbrëmje. Tani po ndodh e kundërta: lidhjet energjetike, kostoja e lartë e transporteve, por edhe tërheqja e të rinjve për konsumin kulturor (muze, teatro, kinema) ndikuan në eksodin e kundërt që u forcua edhe nga emigrantët që priren gjithmonë drejt qendrave urbane. Zona metropolitane Nju Jork-Newark po e sheh veten me një popullsi që rritet me ritme galopante e që në vitin 2050 do ta ketë kaluar pragun e 20 milionë banorëve. Rivalja e saj e vetme në vitin 1950, Tokio, do të jetë edhe më mirë: mendohet se do t’i kalojë 36 milionë banorë në 40 vitet e ardhshme. Mes qyteteve historike edhe Londra dhe Parisi janë të destinuara t’i kalojnë 10 milionë banorët. Por ringjallja e metropoleve në vendet e industrializimit të vjetër është një pjesë e historisë, por jo më e rëndësishmja. Bumi i superqyteteve po shpejtohet mbi të gjitha nga vendet në zhvillim. Binomi zhvillim-urbanizim po rikthehet tek funksionimi perfekt, vetëm se qendra e rritjes ekonomike është diku tjetër. Kina që përshkruhet në librin "The Ëorld in 2050" do të ketë një GDP prej 44.500 miliardë dollarësh, shumë herë më të lartë se ajo e SHBA-së 35.000 miliardë. Menjëherë pas Amerikës pozicionohet India me një GDP prej 27.800 miliardë dollarësh. Në vendin e pestë, Brazili gati për të kaluar Japoninë, ndërsa asnjë vend europian nuk pozicionohet në pesëshen e vendeve liderë. Demografia dhe ekonomia do të ecin krah për krah, ndaj nuk na befason aq shumë fakti se do të ketë kaq shumë qytete të mëdha në të ardhmen e Indisë: Mumbai me 26 milionë banorë, Delhi me 22,5 milionë, Kalkuta 20, dhe Çennai (ish-Madras) më shumë se 10. Në Kinë matjet e gjeografit Smith e kanë kaluar tashmë realitetin. Pekini për shembull, sipas asaj që thuhet në letër, ka vetëm 14.5 milionë banorë, por në të vërtetë janë 20. Por ç’duhet të themi për një tjetër qytet me 30 milionë banorë që aktualisht mban rekordin botëror. Bufet fjalë për Chongqing në lumin Jance. Gjeografët e Los Anxhelosit kanë arritur të zbulojnë me mjeshtëri tendencën e re që ka çuar në shpërthimin urban të Afrikës me Kinshasën, Lagosin dhe Kajron që qëndron në krye të të gjitha klasifikimeve botërore. Pas tyre Amerika Latine, San Paolo dhe qyteti i Meksikës po ashtu janë projektuar për ta kaluar pragun e 20 milionë banorëve. Gjithsej nga 9.2 miliardë banorë që do të ketë në Tokë në vitin 2050, 6.4 miliardë do të jetojnë nëpër qytete. Hapin më vendimtar do ta bëjë pikërisht Afrika: me 1.2 miliardë banorë që jetojnë në metropolet e saj, kontinenti i zi do të përqendrojë thuajse një të pestën e së gjithë popullsisë urbane të planetit. Sot vetëm 38 për qind e afrikanëve jetojnë në qytet. Befasuese edhe ndryshimet në ekuilibrat mes brezave. Vende që sot i lidhim me një popullsi me moshë mesatare shumë të re do të njohin një plakje të shpejtë: në 40 vitet e ardhshme mosha mesatare e popullsisë në Meksikë dhe Iran do të rritet me 15 vjet, në Indi 14 vjet, në Kinë 10 vjet. Më pak të ekspozuarit ndaj fenomenit të plakjes do të jenë në SHBA për shkak të emigracionit: në vitin 2050 mosha mesatare e amerikanëve do të rritet me vetëm katër vjet. Me të njëjtat arsye mund të shpjegohet edhe shpërthimi i Kanadasë: “Do ketë rritje të popullsisë 6 herë më shpejt se Kina”. Për këtë arsye, Laurence Smith parashikon që “gara për të tërhequr emigrantët globalë do të jetë një elementë kyç në suksesin ose jo të kombeve”. Pellgu botëror që pritet të rinovojë forcën punëtore do të bëhet më pak i bollshëm dalëngadalë për sa kohë që vendet emergjente do të bëhen më të pasura dhe me më pak popullsi të re. Në shoqëritë e avancuara metropolet gjigante janë zgjidhja afatgjatë më eficiente për një përdorim racional të resurseve (konsumi për person i energjisë dhe ujit do të jetë më i ulët se sa ai i modelit periferi-shpërndarje). Megjithatë studimi "The World in 2050" na fton që të mos krijojmë iluzione: “Burimet e rinovueshme si energjia diellore nuk do të mjaftojnë për të kënaqur nevojat energjetike”. Polet ekonomike dhe demografike të metropoleve gjigande do të jenë protagonistët e rinj të garës botërore për furnizimin me naftë, gaz, ujë të pijshëm. “Që këtu nis gara mes fuqive të mëdha për të vendosur dominimin e tyre në arktik, Veri dhe më vonë në planetë të tjerë”, parashikon gjeografi kalifornian. Në fund një pyetje politike ia vlen të bëhet: përqendrimi i popullsisë nëpër qytetet e mëdha do të sjellë një zhvillim kaotik dhe paqëndrueshmëri politike si në shumë vende afrikane? Në një botë zhvendosjeje të masës nga fshatrat drejt qyteteve, modeli autoritar kinez do të pushtojë edhe kontinentet e tjera. Përveç kësaj, emigracioni do të jetë gjithmonë e më shumë me origjinë aziatike në Perëndim, duke qenë se nga 100 persona që do të lindin duke filluar që tani e deri në 2050-n, do të jenë me origjinë aziatike.