e diel, 26 shtator 2010

Eric Clpaton

"Në rrënjët e muzikës time, një udhëtim mes bluzit dhe xhazit”


Rrëfehet kitaristi legjendar anglez, që shumë shpejt do të nxjerrë një album të ri që do të mbajë emrin e tij. Për herë të parë do të interpretojë pjesët që ka dëgjuar kur ka qenë i ri, me të cilat ka mësuar të luajë kitarë.
Eric Clapton është 65 vjeç dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, ka nxjerrë një album “antik”. Ka marrë rreth 20 këngë të shkruara mes viteve ‘30 dhe ‘50-të dhe ka vendosur t’i bëjë bashkë në një album që ashtu siç thekson ai vetë: "është një lloj autobiografie: një mal me këngë të vjetra që i dua shumë dhe kisha dëshirë t’i incizoja”. Me pak fjalë nuk ka rrok, mes të zgjedhurve të Clapton-it, por vetëm bluz, xhaz, këngë të mëdha e të bukura (nga Autumn leaves te pjesë të pavdekshme si How deep is the ocean), një zhytje në të kaluarën me të cilin mitiku “Slowhead”, i Unplugged (muzika live akustike më e shitur në historinë e muzikës dhe fituese e 6 çmimeve “Grammy”) rilidhet me rrënjët e tij, me muzikën që dëgjonte qëkur ishte fëmijë, ato që kanë gjurmë në historinë e tij, “ato që kanë kontribuar në mënyrë vendimtare të më bëjnë mua muzikantin që jam sot”.

Zoti. Clapton, përse vendosët tani pas kaq vitesh të bënit një album si ky? 
"Projekti lindi thuajse rastësisht. Kisha dëshirë të regjistroja
me J. J. Cale një album me këngë klasike dhe kisha nisur të seleksionoja pjesët që më pëlqenin. Por në këtë punë zbulova shumë pjesë me të cilat isha i lidhur shumë.
Kjo ishe muzika që dëgjoja në radio kur isha i vogël? 
Po, në vitet ‘40, radioja ishte mënyra e vetme për të dëgjuar muzikë të mirë. Disa emisione transmetonin muzikë shumë të mirë. Kishte programe si “Uncle Mac” apo “Two way family favorites”, që unë dëgjoja me devotshmëri, me një sy shumë selektiv. Dëgjoja gjithçka me shumë dëshirë, duke shpresuar që të ritransmetoheshin këngët që më pëlqenin më shumë”.
Kishe ndonjë regjistrues për të ruajtur këngët e preferuara? 
"Jo, nuk kishin dalë ende regjistruesit. I pari që më ra në dorë ishte një Grundig, me shirit, i madh dhe plastik, por që erdhi shumë vite më vonë. E përdorja për të seleksionuar dhe ridëgjuar ato që më pëlqenin. Pastaj kur kisha moshën e duhur shkoja për të blerë albumet.
Cilat? 
"Kur isha pesë vjeç xhaxhai im dhe mamaja ime dëgjonin Harry James, vëllezërit Dorsey, Fats Waller, Louis Armstrong, Stan Kenton, mbi të gjitha muzikë afro-amerikane. Në veçanti më kujtohet një pjesë instrumentale e Sonny Terry-t dhe Brownie McGhee: Whoopin and Holerin, isha shumë i vogël, por më dukej shumë e bukur
Kështu zbulove muzikën bluz? 
Sinqerisht, nuk e dija që quhej kështu. Një pjesë e imja përgjigjej spontanisht ndaj asaj muzike, që më qëndronte në shpirt. Vite më vonë u shfaq si pjesë e udhëtimit tim muzikor. E kujtoj shumë mirë kur nisi të më pëlqejë muzika bluz: ndodhi duke dëgjuar Big Bill Broonzy. Që aty kuptova se nga vinte "skiffle" (një lloj muzike pop shumë në modë në vitet ‘50 në Angli) dhe gjithçka tjetër për mënyrën se si kishte evoluar muzika. “Hey hey” dhe “Key to the highway” e Broonzy, kanë qenë këngët e para që kam kënduar.
Ke mësuar të luash në kitarë duke dëgjuar këto këngë?  
Po me Jimmy Reed, me shumë këngë bluz, Robert Johnson dhe këngë të mëdha amerikane, rock'n'roll, xhazi, Glenn Miller...".
Sa e vështirë ka qenë për ju të interpretoni këngë kaq të ndryshme nga ato që këndoni aktualisht? 
Jo shumë me thënë të drejtën, sepse gjithmonë kam lëvizur mes zhanreve të ndryshme të karrierës sime dhe nuk besoj se publiku do të befasohet shumë. Pastaj koka ime funksionon tamam si një “jukebox”: kam dëgjuar “Ain't misbehaving” dhe “My very good friend the milkman”, apo “When somebody thinks you're wonderful”, kur isha fëmijë mes moshës 7 dhe 9-vjeçare dhe i kam mësuar të gjitha. I di përmendësh, mund t’i këndoj pa e parë tekstin, sepse janë këngë që i kam kënduar me veten time prej 60 vjetësh. Tani i kam vendosur të gjitha në një album. Sigurisht, atëherë nuk mendoja se do i regjistroja një ditë dhe as që do të këndoja akoma në moshën 65-vjeçare.
Por bashkëmoshatarët tuaj dëgjonin të tjera gjëra...
"Po, pjesërisht është e vërtetë, por edhe mua më pëlqente shumë “skiffle" i Lonnie Donegan dhe Elvisi më dukej revolucionar, shumë më tepër se Buddy Holly. Po ashtu më pëlqente edhe rock'n'roll. Megjithatë, nuk e kam dashur kurrë muzikën për të rinj, dhe as tani s’më pëlqen. Më pëlqen të ec gjithmonë kundër rrymës.
Si mendon se do të pritet rikthimi pas në kohë? 
Kush më do është mësuar me stilin tim dhe mendoj se kjo përpjekje për t’u kthyer në të shkuarën do vlerësohet akoma më shumë. Unë personalisht mendoj se jam më i zoti si interpretues se autor këngësh. Por ka periudha kur më mungon frymëzimi dhe atëherë preferoj të marr këto këngë të shkruara mrekullisht për të cilat kam shumë respekt dhe t’i interpretoj.
Pas koncerteve me Jeff Beck dhe ato me Steve Winwood, do t’u shohim dal vivo?
"Të luaje me Jeff ishte shumë bukur dhe shpresoj të kthehem në skenë sërish. Me Winwood nuk kemi ndaluar kurrë së bashkëpunuari. Unë e admiroj dhe më pëlqen që edhe ai të këndojë në koncerte. Por nga maji i vitit tjetër do nis një tur i vetëm, për të bërë gjërat e mia dhe interpretuar këngët e diskut tim të fundit.
shko