e enjte, 30 shtator 2010

VETEVENDOSJE: AKSIONI I RADHËS KUNDËR PRIVATIZIMIT TË PTK-SË

Pas pak, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca ku pritet të shqyrtohet prapë çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kur populli i Kosovës pret dhe ka nevojë për zhvillim ekonomik e për mirëqenie sociale, qeveria e kuvendi (qysh po shihet me këtë seancën e sotme) po e vazhdojnë angazhimin e tyre për shkatërrimin e vendit duke shitur çdo gjë të vlefshme që i takon qytetarit.
Kur populli pret dhe ka nevojë për punë e barazi, politikanët e Kosovës e thellojnë papunësinë ndërsa vetë pasurohen pa pikën e turpit.
Shpërputhje më të madhe në mes të një populli dhe qeverisë së tij, zor që mund të ketë.

Populli i Kosovës ka nevojë që t’i hiqen qafesh politikanët e korruptuar që vazhdimisht i shkaktojnë humbje e jo PTK-ja që sjellë vetëm fitim, megjithë menaxhimin e keq që aktualisht ia bënë Qeveria e Kosovës.
Nëse në kompanitë tona publike paska korrupsion, kjo flet për gjendjen e shtetit të Kosovës e jo thjesht të një kompanie të caktuar. Është Qeveria ajo që e zhvillon korrupsionin prandaj, ky i fundit nuk ndalet duke i shitur pasuritë tona por duke e ndërruar Qeverinë e cila ka bërë që shteti të kapet në korrupsion e krim të organizuar nga maja e piramidës shtetërore e poshtë.

Pra, është e qartë që shitja e PTK-së është shumë e dëmshme për Kosovën dhe nga ky privatizim po përfitojnë vetëm politikanët e korruptuar, të cilët e kanë vjedhur PTK –në edhe deri më tani, e tash na thonë: po e shesim sepse aty po vidhet.

Ata nuk e kanë ndërmend ta ndalin privatizimin me PTK-në. Nëse nuk do të ketë angazhim qytetar që do ta largonte nga pushteti këtë klasë politike atëherë këta do ta privatizojnë tërë Kosovën.

Dhe kur për interesa personale të Hashim Thaçit, Ahmet Shalës dhe të tjerëve rrezikohet e mira e përgjithshme e qytetarëve atëherë kemi të bëjmë me një gjendje ku hajnia i zë udhën zhvillimit.
Kemi të bëjmë me një gjendje që urgjentisht duhet ndërruar!
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 30 shtator 2010
shko