Bashkëshortja e Presidentit Obama zbret “në shesh” për zgjedhjet e nëntorit në favor dhe në mbështetje të kandidatëve demokratë. E pajisur me një prestigj personal dhe me një pikavarazh prej 25% më shumë mbështetje se i shoqi, ajo ndihet e gatshme për të “luftuar”
Mishel Robinson Obama, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një “mbiemër” të ri: “The Closer”. Është termi që amerikanët përdorin për të emëruar avokatin që arrin të gjejë zgjidhjen e duhur në një kontratë të vështirë, apo për policin që arrin të gjejë provën vendimtare dhe bindëse në një rast shumë të vështirë gjyqësor, provën që liron një të pafajshëm nga burgu.
Dhe këtë “mbiemër” ia ka vënë bashkëshorti, që është edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, për t’u treguar të gjithëve se sa e rëndësishme është për të prania dhe mendja e Zonjës së Parë në projektin e tij politik.
Tani, Shtetet e Bashkuara janë të përfshira nga ethet e zgjedhjeve për në Senat dhe Kongres, zgjedhje që do të mbahen në 2 nëntor dhe sipas sondazheve, Partia Demokrate ndodhet në një pozicion aspak të mirë krahasuar me rivalen e saj, Partinë Republikane. Kjo bën që Obama të ndodhet para rrezikut, që dy vitet e ardhshme të mandatit të tij presidencial të qeverisë pa pasur shumicën në Kongres. Por në një rast të tillë, të shumtë janë ata që mendojnë se roli i Mishelës mund të jetë vendimtar.
Ajo vetë e di një gjë të tillë dhe ka vendosur të luajë lojën e saj deri në fund dhe të jetë pranë të shoqit në të gjitha veprimtaritë e tij politike elektorale. Në fakt, ajo e ka bërë një gjë të tillë gjithmonë, që nga dita kur vendosi të ndante me Barak jetën e saj, por ndërkohë ka pasur gjithmonë edhe mendimin, fjalën dhe verdiktin e saj në shumë çështje. Nga e mërkura 13 tetor, Mishel Obama ka nisur një turne për të mbështetur disa kandidatë demokratë për në Kongres. Bëhet fjalë për disa kandidatë, zgjedhja e të cilëve nuk është tërësisht e sigurt. Për këtë arsye prania e Zonjës së Parë mund të jetë me të vërtetë një prani që do të bëjë diferencën në momentin e votës. Objektivi? Është ai i shndërrimit të elektoratit ende të pavendosur në një elektorat demokrat në zgjedhjet e 2 nëntorit. Kështu Mishel do të ndihmojë me praninë e saj senatorin e Uiskonsinit, Russ Feingold, atë të Kolorados, Majkëll Benett, atë të shtetit të Uashingtonit Patty Murray, të Kalifornisë, Barbara Boxer, të Nency Pelosit, që është edhe kryeparlamentarja dhe Aleksi Giannulais, një “hyrje e re” që kandidon në Ilinois për të marrë vendin që dikur ishte ai i senatorit Barak Obama.
Sigurisht që Zonja e Parë, e cila sipas revistës amerikane “Forbes” mban titullin e gruas me më shumë pushtet dhe ndikim në planet, do ta luajë lojën sipas mënyrës së saj, sipas asaj që mund të konsiderohet si ideja e Mishelës për politikën dhe konkurrimin e kandidatëve. Këtë gjë e kanë vënë në dukje prej kohësh si zëdhënësja personale e Mishelës, ashtu edhe mbështetës të tjerë të saj. “Mishel është një mama dhe i konsideron të gjitha çështjet që shqyrtohen përmes syve të kujdesshëm të një mamaje që preokupohet për fatin dhe të ardhmen e fëmijëve të saj”, thotë zëdhënësja e Mishel. Sipas saj, Zonja e Parë do të jetë pranë kandidatëve demokratë për t’i përcjellë elektoratit sigurinë se janë ata kandidatë që nëse do t’u besohet vota, do të dinë më së miri të mbrojnë në Kongres idealet dhe kërkesat e njerëzve të thjeshtë dhe mbi të gjitha të ardhmen e fëmijëve. Në të njëjtën mënyrë Mishel ka interpretuar këta 21 muaj të qeverisjes së bashkëshortit, edhe rolin e saj personal në këtë lojë politike. Kështu, për shembull, në rastin e problemit të reformës në shëndetësi, Mishel organizoi një fushatë të posaçme për të luftuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit në lidhje me fenomenin shumë negativ të obezitetit, një nga më problematikët e brezit të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Shtëpia e Bardhë ajo nënvizoi rëndësinë e të mirushqyerit. Një tjetër çështje shumë e rëndësishme ishte ajo e Amerikës, e cila është përfshirë që prej vitesh në dy luftëra. Edhe këtu Mishel ndërmori një seri takimesh me familjet e ushtarëve që janë në front dhe veçanërisht me familjet e ushtarëve të vrarë në luftë, me ato familje që kanë vuajtur më shumë nga lufta. Le të marrim më pas rastin e krizës ekonomike, që për të nxitur konsumin e amerikanëve, Mishel zgjedh që të veshë vetëm stilistët dhe produktet amerikane, duke e reklamuar me forcë një gjë të tillë e duke i nxitur njerëzit.
Zonja e Parë është gjysma perfekte e mollës, në të cilën është bazuar deri më sot suksesi politik i Barak Obamës. Ata që kanë qenë të pranishëm në Nju Jork më 23 shtator në Iniciativën Globale të Klintonit, kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të asaj marrëdhënieje që ekziston mes Barak dhe Mishel Obamës. Është e vështirë në fakt për të thënë nëse bëhej fjalë për diçka të programuar me shumë kujdes, apo për një spontanitet të përkryer, por është fakt që çifti i parë i Amerikës u ka lënë të kuptojnë të tjerëve se sa të afërt dhe në sinkroni janë me njëri-tjetrin. Kështu, ndërsa Bill Klinton ishte duke lavdëruar bashkëshortet përkatëse për mençurinë dhe zgjuarsinë që kanë, Obama tha: “Deri më tani nuk e kam thënë kurrë më parë, por që kur e kam takuar Mishelën 22 vjet të shkuara, të gjithë njerëzit që kam njohur para kësaj date dhe më pas më kanë thënë: ‘A e di Barak, ti na pëlqen, je i fortë, por bashkëshortja jote është diçka më shumë’, dhe këta njerëz kanë të drejtë dhe unë i jam me të vërtetë mirënjohës Mishelës, që për asnjë çast nuk vendosi që të kandidonte kundër meje për Presidencën amerikane, sepse jam i bindur që në një rast të tillë do të më kishte mundur lehtësisht”.
Sigurisht që është një batutë për të qeshur dhe dinake nga ana e Presidentit të Amerikës. Obama e di shumë mirë se bashkëshortja e tij mund të bënte shumë zgjedhje në jetën e saj profesionale, por nuk do të ishte marrë kurrë me politikë dhe mbi të gjitha nuk do të kishte marrë kurrë pjesë në zgjedhje, cilado qofshin ato. Pra kësisoj konkurrenca në familje nuk ekziston. Mishel e do politikën dhe e konsideron atë si një shërbim social, si një aktivitet për të zgjidhur problemet praktike të njerëzve, por pa qenë e nevojshme që të kesh tituj e grada.
Kur ishte në universitet, fillimisht në Princeton, dhe më pas në Harvard, Mishel Obama krahas shkollës ishte shumë e dhënë edhe për punën që kishte të bënte me organizimin e ndihmave për shtresat më në nevojë të shoqërisë, kryesisht në rastin e saj, të fëmijëve. Me t’u diplomuar u pranua menjëherë në një studio ligjore, në të cilën mori një pagë vjetore shumë të lartë prej 67 mijë dollarësh në vit, ndërkohë që i ati i saj, i cili kishte një jetë të tërë që punonte, nuk kishte mundur që të merrte më shumë se 45 mijë dollarë. Pikërisht në atë vend pune ajo njohu për herë të parë Barakun, i cili kishte ardhur për një stazh shtesë, pasi kishte mbaruar Harvardin. Fillimisht firma ligjore ia ngarkoi asaj detyrën që të ishte tutorja e Barakut. Por ishte një përvojë që nuk zgjati shumë. Pas kësaj studioje ajo u punësua nga Valerie Jarrett, si këshilltarja e bashkiakut të Çikagos dhe që nga ajo kohë të dyja janë mikesha të mira. Jarrett aktualisht është një nga njerëzit më të afërt të Presidentit dhe më të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë. Ishte pikërisht Jarrert ajo që e prezantoi çiftin e ri me elitën ekonomike dhe intelektuale afroamerikane të Çikagos dhe i dha mundësinë avokates së re që të bënte pjesë në një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte lehtësimi i marrëdhënieve të qytetarëve të ndërmarrjeve të vogla me administratën komunale. Më pas Mishel punoi edhe në Universitetin e Çikagos, ku u mor në mënyrë të vazhdueshme me vullnetarizëm, duke e mbështetur një gjë të tillë me gjithë shpirt.
Mënyra e saj e të jetuarit të politikës i ka rrënjët në kujtimet e fëmijërisë në fund të viteve ’70, kur dëgjonte komentet e të atit Fraser në lidhje me kandidatët e Partisë Demokrate. I ati fillimisht entuziazmohej nga premtimet e bëra prej kandidatëve dhe më pas revoltohej kur ata nuk i mbanin ata dhe i shante e u shfryhej për këtë arsye.
Në vitin 2004, bashkëshortja e Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkroi një artikull në “Chicago Tribune”, në të cilin shfrynte se “politika në shumë raste është një humbje kohe”. Sigurisht që edhe nga këto fjalë mund të kuptohet lehtësisht se cila ka qenë dhe është konsiderata që ajo ka pasur për politikën dhe cili është raporti që ajo ka ndërtuar me Barakun që nga momenti që ai i tha se do të merrej me politikë. Barak, ndryshe nga Mishel, synonte një karrierë që do të kalonte përmes zgjedhjeve. Ishte viti 1995 dhe Barak i tha Mishelës, me të cilën ishte martuar 4 vjet të shkuara, se kishte si synim që të kandidonte për postin e senatorit. Ajo i foli për të gjitha problemet që do të kishin nëse ai do të fitonte, ndër të cilët më i rëndësishmi ishte ai se së bashku do të shiheshin shumë më rrallë, sipas të gjitha gjasave vetëm në fundjavë. Megjithatë pranoi. Erdhi edhe dita kur Barak i tha se do të kandidonte për në Shtëpinë e Bardhë dhe ja çfarë përgjigje mori prej së shoqes së Presidentit të ardhshëm: “Je duke bërë shaka? Nuk bëhet fjalë në këtë moment. Le të ndalemi pak të pushojmë dhe më pas të rinisim garat”. Edhe një herë i paraqiti të gjitha dyshimet dhe ngurrimet që kishte për një garë dhe pozicion të tillë, por në momentin kur të dy vendosën, ajo bëri si në të gjitha rastet e mëparshme: vendosi që t’i qëndrojë pranë të shoqit në ditë të mira dhe të vështira, por ama duke respektuar qartësisht disa rregulla të pandryshuara: vajzat nuk duhet që ta ndienin në asnjë mënyrë mungesën e të atit, që do të thoshte se Barak duhet ta organizonte ditën në mënyrë të tillë që në darkë të ishte gjithmonë me familjen.
Dhe tani kjo grua, për të cilën familja është gjëja më e rëndësishme, duket se po del në terren për të promovuar këtë dhe vlera të tjera që mbart ajo dhe njeriu që i qëndron pranë.