e enjte, 21 tetor 2010

Yjet që shkëlqyen vetëm pak

Yjet që shkëlqyen vetëm pak




Nga "Dirty Dancing" te "Footlose", "Karate Kid" apo "Showgirls", shumë aktorë dhe aktore shkëlqyen vetëm një sezon. Pas filmave me sukses të jashtëzakonshëm u lanë në harresë nga industria kinematografike. Disa për probleme personale, të tjerë nga mungesa e fatit


Mallkimi i roleve të mëdha
Në botën e madhe të kinemasë, një vëmendje të veçantë u duhet kushtuar viktimave të roleve të mallkuara, ose ndryshe
personazheve që u bënë të famshme vetëm për një sezon. Ata që shkëlqyen pak, pastaj u zhdukën nga sytë e të gjithëve si me magji. Në fakt janë shumë yjet që përfunduan në harresë si pa u ndier, sikur bumi që jetuan me një film të vetëm u kthye në mallkim. Për probleme personale apo mungesë fati shumë prej tyre u kemi harruar edhe emrat. Shembujt, sidomos në 20-30 vitet e fundit, janë të shumtë në numër. 


Jennifer Grey
E kush nuk e kujton vajzën e dashuruar marrëzisht me bukuroshin Patrick Swayze në kërcimet e “Dirty Dancing”? Sigurisht të gjithë. 


Edhe pse thuajse asnjë nuk e ka fiksuar emrin e saj: Jennifer Grey. Në filmin “Dirty Dancing”, Patrick ishte profesor kërcimi në një fshat turistik në Amerikë, ku ra në dashuri me bukuroshen Baby, një vajzë fisnike, e cila ishte me pushime me prindërit. E gjithë historia e kësaj dashurie lidhet me vallëzimin: ku pasioni i tij “infektoi” edhe Baby-n. Pas suksesit të “Dirty Dancing”, ajo mori pjesë në një tjetër film, “Bloodhounds of Broadway”, ku shfaqet edhe këngëtarja Madonna. Por Grey kujtohet gjithmonë me rolin e Baby-it dhe duke qenë se nuk mund të shqitej nga ky personazh, në vitet pasardhëse interpreton vetëm filma për televizionin dhe pa ndonjë sukses të madh. Në fakt ky është vetëm një shembull mes shumë të tjerëve. Ja një repertor i vogël i disa interpretimeve kult që protagonistëve u ka kushtuar shumë shtrenjtë: thjesht duke i bërë të pakujtueshëm për publikun.


Ish-fëmijët gjenialë


Linda Blair
Kjo kategori përfaqësohet denjësisht me dy emra. I pari është ai i Linda Blair, vajza që interpretoi filmin “The Exorcist”. Ajo nisi të ketë sukses në fushën e kinemasë që në moshën 6-vjeçare dhe në vitin 1973, kur ishte vetëm 13 vjeçe, tronditi botën duke interpretuar rolin e Regan MacNeil. Pikërisht ky film i dha famën dhe e bëri të fitonte edhe një çmim (si dhe u bë kandidate për çmimin “Oskar”). Blair ishte protagoniste edhe në shumë filma të tjerë pas këtij, por në asnjë prej tyre nuk arriti të linte gjurmë: për publikun do të mbetet gjithmonë vogëlushja e pushtuar nga djalli me pamjen e saj të çuditshme. 


Macaulay Cuklin
Rasti i dytë lidhet me emrin e Macaulay Culkin. Djaloshi biond, i zhdërvjellët përpara kamerave, pas suksesit të jashtëzakonshëm në filmat “Home Alone 1” dhe “Home Alone 2” dhe disa role të tjerë të vegjël, nuk arriti ta gjejë më veten për shkak të problemeve shumë të rënda personale me alkoolin, apo ato me familjen mbi pasurinë e tij. 


Brad Renfro
Rast i ngjashëm është ai i Brad Renfro, heroit të “brezit të humbur” që kishte nisur rrugën e tij të aktrimit që në moshën 10-vjeçare. Renfro humbi jetën dy vjet më parë, në moshën 25-vjeçare, për shkak të problemeve me drogën dhe alkoolin. Ai u bë i njohur me interpretimin e jashtëzakonshëm në filmin “The Client”, subjekti i të cilit ishte marrë nga bestselleri i John Grisham. Ai fitoi famën e djaloshit të keq, pasi që në moshën 16-vjeçare nisi të kishte probleme me policinë, për shkak të sjelljeve jo normale. 


Te shembujt e tjerë, më pak dramatikë, mund të përmendim: Haley Joel Osment, partneri i Bruce Willis në filmin “The sixth sense”, apo Jake Lloyd. Më i afërt, por jo më pak i bujshëm, edhe rasti i Henry Thomas.


Bukuri që u vanitën


Elizabeth Berkley
Edhe këtu është një rast që spikat mbi të tjerët. Bëhet fjalë për Elizabeth Berkley. Një emër që për shumë njerëz mund të mos personifikojë asgjë. Por fytyra dhe trupi i saj (me kostumin e një lap dancer) në vitin 1995 shfaqej në kopertinat e të gjitha revistave. Në fakt ishte epoka e “Showgirls”, ku ajo ishte protagoniste: filmi me të cilin Paul Verhoeven shpresonte të përsëriste suksesin e “Basic Instinct”. Por operacioni dështoi dhe pavarësisht fushatës gjigante promocionale, Elizabeth përfundoi në hije. 


Shembuj të ngjashëm? Mena Suvari, nimfa adoleshente në filmin “American Beauty” (e shohim shpesh në pasarela apo tabloidë të ndryshëm, por kush kujton një tjetër film të rëndësishëm të saj?); bukuroshen Phoebe Cates në filmin “Paradise”, dhe së fundmi Bo Derek protagonisten e filmit “10” (prova të saj të tjera në ekranin e madh është më mirë t’i harrosh).


Shkëlqyen vetëm një sezon


Olivia Newton John
Përveç, Jennifer Grey, protagonistes së “Dirty Dancing”, duhet përmendur absolutisht Lori Singer, partnerja e Kevin Bacon në filmin “Footloose”. Dukej e destinuar të bëhej një yll i kinemasë, por papritur u zhduk, pikërisht si Olivia Newton John. Ylli i “Grease” mbeti shumë shpejt në hije, të paktën në kinema.






Peter O' Toole


Ikonat historike


Personazhe edhe tani shumë të famshme, por që e kanë lidhur imazhin dhe famën e tyre me një rol të vetëm në një film të vetëm. Edhe pse është e qartë se nuk është se janë lodhur shumë për të arritur majat. Kampioni i kësaj kategorie është Peter O' Toole i filmit “Lawrence of Arabia”. Më pak të bujshëm, por jo më pak interesantë, janë rastet e Ralph Macchio në “Karate Kid” dhe Robert Englund, heroit negativ të sagës së pafundme “Nightmare”.


Raste ekstreme


Sam J. Jones
Kjo kategori lidhet me emrin e Sam J. Jones, fytyra dhe emri i të cilit kanë përfunduar në harresë. Megjithatë ishte ai që pati rolin kryesor në filmin që në kohën kur doli (1980) u fol vërtet shumë. Është fjala për “Flash Gordon”. Karrierë jo shumë brilante edhe për protagonistët e supersuksesit “American Pie”, duke nisur nga Chris Klein. Jo se u zhdukën nga qarkullimi, por kurrë nuk arritën suksesin e fillimit. Të njëjtën rrugë ka përshkuar edhe Michael Madsen, që mori famën me filmin e Quentin Tarantino “Reservoir Dogs” dhe Robert Patrick, kundërshtari i Schwarzenegger në “Terminator 2”.
shko