e mërkurë, 29 dhjetor 2010

Dënim qesharak për grisjen e flamurit shqiptar

Klubi i basketbollit “Rabotniçki” nuk e ka marrë dënimin e duhur nga ana e Komisarit disiplinor pranë FBM-së, Goran Tërbushovski, pasi në buletinin e publikuar lidhur me ndeshjet “Rabotniçki” – “Liria”, sipas tij ka pasur vetëm
ofendime në baza nacionale kundër basketbollistëve të Lirisë, ndërkohë që s’ka pasur grisje të flamurit shqiptar. Me këtë rast klubi “romantik” është dënuar me 39 mijë denarë (905 euro). Pas këtij shqiptimi, gazeta “Koha e Re” ka kontaktuar klubin shqiptar. Sekretari, Nagip Ferati, është shprehur i habitur me këtë dënim të ulët, mirëpo ai nuk do të merr asnjë vendim për të ardhmen deri sa Federata nuk ia kthen përgjigjen e ankesës që i ka dërguar këtij institucioni sportiv.
“Dënimi që ka shqiptuar Komisioni disiplinor është thirr në rregulloren e Federatës, që do të thotë se ne nuk do të pranojmë të njëjtën deri sa nuk arrin përgjigjja zyrtare për ankesën e dërguar. Në këtë institucion s’ka njerëz të Lirisë dhe ata munden të marrin vendime të ndryshme. Megjithatë ata kanë treguar se janë shpikës të këtyre incidenteve, kurse tani me këto dënime të ulëta vetëm se po i mbështesin incidentet e tilla”, pohoi Ferati, i cili shtoi se si të arrij përgjigja për ankesën, menjëherë do të ulet kryesia e klubit dhe do të vendosin së bashku se çka më tutje.
Nga ana tjetër, ka reaguar legjenda e basketbollit shqiptar, Enver Sllamniku. Ai për gazetën “Koha e Re” tha se dënimi i shqiptuar është shumë qesharake, për një incident të tillë siç ishte grisja e flamurit dhe sulmi fizik. “E kam shikuar ndeshjen dhe kam dëgjuar gjithçka çka ka ndodhur aty. Ka pasur sharje, sulm fizik por edhe grisje të flamurit kombëtar. Tani dëgjoj se Federata paska shqiptuar një dënim prej 39 mijë denarë (905 euro). Shumë qesharake për një incident të tillë. Mendoj se ka prapavija këtu. Dënimi ka dashur të jetë i ashpër, duke filluar nga marrja e pikëve, luajtja 6-7 ndeshje pa publikë, si dhe dënim në të holla”, tha Sllamniku./io
shko