Fotoja lakuriq e Demi Moore në vitin 1991, ku ajo shfaqej shtatzënë, do të ndizte shumë diskutime për revistën “Vanity Fair” dhe vetë aktoren në atë kohë. Moore ishte shtatë muaj shtatzënë me vajzën e saj, Scout LaRue. Debatet e nxehta për atë pozë vazhduan gjatë dhe zunë faqe të tëra gazetash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pas saj, shumë femra VIP pozuan gjatë muajve të ëmbël të shtatzënisë. Kopertinat e yjeve botërorë gjatë shtatzënisë së tyre kanë qenë më të paguarat, më të shiturat, dhe më tej fotot e këtyre personazheve kanë qenë më të klikuarat në Internet. Një javë më parë, në faqet e gazetës “Mapo” kemi parë Ledina Çelon duke pozuar me një këmishë nate shtatzënë. Sensuale, me natyrshmërinë dhe ëmbëlsinë që të fal pragu i të bërit nënë. Është në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe kjo foto e shfaq në shtëpinë e saj në Gjermani.
Nuk është një foto profesionale, as nuk ka qenë nevoja për photoshop, për të shprehur bukurinë që të falë kjo periudhë e një gruaje. E veshur vetëm me të brendshme, ajo afron pak me foton shtatzënë të Monica Belluçit, e megjithatë është shumë më natyrale. Para pak vitesh më ka ndodhur që me dy personazhe të ekranit, njëra vajzë dhe tjetri djalë, për të dhënë fotot e dasmës së tyre kanë dashur t’i shesin e të bëjnë para me ditën e tyre të martesës. Është e drejta e tyre. Megjithatë, askush nga mediat shqiptare nuk mori përsipër këtë tekë të tyre. Përkundrazi, në njërin rast media e braktisi personazhin dhe lajmin e martesës së personazhit, ndërsa në rastin tjetër, një paparac arriti të kishte foto ekskluzive të çiftit. Pavarësisht interesit të lexuesit, tregu i vogël shqiptar nuk e ka luksin për të paguar. Pavarësisht që mund të ketë kërshërinë më të madhe të mundshme, nuk harxhon për të parë një VIP, të cilin e sheh nga mëngjesi në darkë nga njëri televizion në tjetrin dhe nga mëngjesi në darkë rrugëve të Bllokut.
Tirana (Shqipëria) e vogël ta mundëson këtë. Në botën e madhe Hollivood-iane, në lagjet VIP, në qytetet e mëdha, në vilat disakatëshe të yjeve botërorë, është e vështirë të depërtosh. Nga ana tjetër, imazhi i filan VIP-i ka një audiencë që i kalon kontinentet. E kemi cilësuar të guximshëm dhe tejet të pastër veprimin e saj. Nuk ka kërkuar të paguhet për të dalë në foto, nuk ka kërkuar të zërë kopertinat e revistave, përkundrazi përderisa ka folur për shtatzëninë e saj e ka parë mëse të natyrshme ta ilustrojë atë me një foto. Një foto si kjo e Ledinës, në fakt asnjë VIP shqiptar nuk na ka servirur deri më sot. Ato që kemi parë kanë qenë mëse të veshura dhe pa ndonjë veçanti. Asnjë nuk ka guxuar të zhvishet gjatë shtatzënisë. Çelo, e cila vitet e fundit jeton larg Shqipërisë, i ka dhënë dokumentin e parë publik fëmijës që pritet të lindë në muajin prill. Çelo ka kuptuar mësë miri jetën e një personazhi VIP.
Sigurisht fakti që nuk jeton në Shqipëri e ka bërë të pamundur vëzhgimin e jetës së saj private, por ajo duke kuptuar interesin dhe rëndësinë që ka jeta private e një personazhi VIP ka ditur ta servirë atë pa shumë bujë, në mënyrë shumë elegante ka bërë të ditur lidhjen e saj të dashurisë, më tej martesën me shqiptarin nga Kosova, ish-kampionin e Kik Boks-it, Naim Kabashi, më tej faktin që është shtatzënë e tashmë edhe këtë pozë që do të mbetet për shumë gjatë në mendjet e njerëzve dhe që do të kthehet nesër në një nga më të klikuarat në internet. E sigurisht, duke dëshmuar se është e para që theu këtë tabu./io