e diel, 26 dhjetor 2010

Fotografi gjerman, nga Spanja në Shqipëri me biçikletë..

Fotografi gjerman, Stefan Rohner, me banim në Ibiza të Spanjës, ka nisur një udhëtim me biçikletë nga Barcelona në Tiranë.

Në 2300 kilometra të udhëtimit të tij me biçikletë, Rohner do të kalojë nga Barcelona, Perpignani, Montpelier, Arles, Kana, Gjenova, La Spezia, Firence, Peruxhia, Bari, prej andej në
Dubrovnik e më pas në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Një udhëtim gati një mujor që do të përfundojë në fund të gushtit. Me vete, përveç biçikletës, mjetit të tij të udhëtimit, ka edhe një çantë shpine dhe patjetër një aparat fotografik. Në Tiranë do të drejtojë një trajnim për studentët e shkollës së fotografisë “Projekt 5.6”.

Gjithnjë me humor dhe në kërkim të aventurës, fotografi gjerman pëlqen shumë të luajë me efektin e dritës në fotografi. Bashkëpunëtorja nr. 1 është gruaja e tij, gjithashtu fotografe. Modelja kryesore është vajza Ariel, e cila nuk ngurron të pozojë asnjëherë përpara aparatit të prindërve të saj.

Portrete, peizazhe, njerëz të rrugës, e momente me kënaqësitë e çastit janë momentet që Rohner pëlqen më shumë të fiksojë në aparatin e tij. 

Personazhet e Rohner janë njerëz të thjeshtë, larg shkëlqimit të luksit. Fotografi gjerman përpiqet t’i fotografojë ata sa më njerëzorë.
“Më pëlqen të tregojë karakterin e njerëzve në fotot e mia. Përpiqem të fotografoj njerëz me karakter të fortë, që jetojnë në kufi të shoqërisë me rregulla dhe kjo i bën ata mjaft interesantë”, shkruan Rohner në faqen personale të internetit.

Për Rohner, kryesorja është lidhja që lind mes fotografit dhe modelit të tij. “Lidhja mes artistit dhe modelit është mjaft e rëndësishme. 

Dua që personazhet e fotove të mia të jenë komod përpara aparatit dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse bisedon me to. Me disa kjo lidhje vjen më natyrshëm me të tjerë duhet më tepër kohë”, shkruan Rohner në faqen e tij zyrtare, ku gjenden mbi dhjetë albume me fotografitë e tij më të mira, të shkrepura kudo në botë.
shko