Gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë fotot e dasmës familjare, ku nusja shqiptare dhe dhëndri kroat, Matko Djamanti, e kanë shijuar në maksimun ceremoninë e jetës së tyre, ku i kanë dhënë fund beqarisë.
Ata kanë një arsye më shumë për të gëzuar pasi tashmë e dinë që fëmija i tyre i parë do të jetë një vajzë, të cilën e kanë pagëzuar ende pa ardhur në jetë. Me dëshirën e Matkos, vajza do të quhet Luna. Pavarësisht shtatzënisë, Gerta, si nuse e qeshur nuk i ka lënë asgjë mangët ceremonisë së martesës së saj duke kërcyer dhe duke e dëfryer në festën me 120 të ftuar, kryesisht familjarë dhe miq të ngushtë të saj. Në sy të të ftuarve ranë fustanët e nuses, dhuratë e sjellë nga Australia, e shoqes së saj të ngushtë. Mes fustaneve të nusërisë, në vallen e nuses ajo kërceu me një fustan velloje, me motive popullore. Gerta bëri “show”të vërtetë në dasmën e saj, jo vetëm duke kërcyer, por edhe duke kënduar.
Ajo performoi këngën “Inspirim”, me të cilën konkurroi në “Top Fest 7”, duke zbuluar për herë të parë një sekret, faktin që këtë këngë ia kishte kushtuar pikërisht burrit të saj të ardhshëm. Çifti vendosi të celebrojë lidhjen me këtë martesë në dimër, vetëm pak muaj pas zbulimit të dashurisë së tyre.
Nga viti 2009 futbollisti kroat Matko Djarmati, 28 vjeç, vazhdon të jetë pjesë e klubeve shqiptare, në fillim tek “Skënderbeu” në Korçë, kurse tani tek “Kastrioti”, që është dhe arsyeja pse ai ka lënë Kroacinë për ca kohë. Ishte pikërisht kjo zhvendosje për shkak të punës që e njohu dhe me Gerta Hetën, e cila punon si drejtoreshë programacioni në radion “Kiss FM”, ku bën dhe një emision të vetin. Pas dasmës, çifti do të vazhdojë të jetojë në Tiranë, për faktin se karriera e të dyve lidhet me Shqipërinë.