e diel, 26 dhjetor 2010

Ish-komandanti i UÇPMB-së mbron Kurtin, sulmon Xhemajlin

Lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi, njëherësh nënkryetar i Komunës së Preshevës dhe ish-komandanti i UÇPMB-së, duke reaguar, të dielën, ndaj prononcimit të kreut të Organizatës së Veteranëve të  Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, i cili akuzoi Albin
Kurtin për lidhje me  shërbimin sekret serb, deklaroi për “Koha Ditore” se shpreh shqetësimin e tij për këtë akt. 


"Jam i detyruar të reagoj në deklaratat monstruoze-sharlataneske të kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, i cili pa as edhe një fije turpi, natyrisht edhe pa fakte, sepse ato nuk ekzistojnë gjëkundi, nxjerr në opinion “të dhëna” për Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dhe për aktivistin e parë të saj, Albin Kurtin”. 


Është po ky Muharrem Xhemajli, theksoi Rexhepi, ai, i cili një muaj më parë nuk pranoi të më japë një vërtetim-dokument për mbrojtjen e nëntë shqiptarëve nga Presheva, që për 15 muaj rresht janë para Gjykatës serbe për krime lufte në Beograd, vërtetim-dokument të cilin pa asnjë problem mundeshin të ma jepnin dhe e kishin atë të drejtë, dhe i cili do t’i ndihmonte shumë djemve tanë.


“Këtë vërtetim-dokument u detyrova ta kërkoj në degën e OVL-së së UÇK-së në Gjilan, atje mezi e mora edhe atë pas tri ditë lutjeje”, shpjegon Rexhepi, duke shtuar se “Muharrem Xhemajli në këtë rast punoi në dëm të nëntë djemve shqiptarë dhe në dobi të Gjykatës serbe”.
 
Orhan Rexhepi është caktuar nga familjarët e nëntë të arrestuarve shqiptarë për përcjelljen e procesit gjyqësor për së afërmi./koha
shko