Në shkrimin e Krasinqit thuhet se këto ditë, opinioni shqiptar, evropian dhe ndërkombëtar është bombarduar nga raporti i Dick Martyt, i cili, sipas tij, është i mbushur me shpifje, me trillime dhe me denigrime për gjënë më të shenjtë për shqiptarët, idenë e lirisë dhe të çlirimit. Më tutje në shkrim thuhet se akuzat për trafikim të organeve njerëzore, trafikim të drogës dhe kontrabandim të armëve nga UÇK-ja janë të pabaza dhe të padëshmuara.
Sipas tij, vetë Raporti është politikisht i njëanshëm, tendencioz, qëllimkeq dhe me përmbajtje tmerrësisht raciste dhe antishqiptare. Krasniqi e vlerëson raportin si vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, Carla Del Ponte, në librin e saj, për të cilat hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për t’i vërtetuar këto akuza. Krasniqi e vlerëson Martyn si njeri me ndjenja të pakontrolluara urrejtjeje ndaj Kosovës. Krasniqi shpreh qëndrimin e tij se akuzat e Dick Martyt kurrë dhe në asnjë gjykatë ndërkombëtare, të asnjë niveli, nuk do të konfirmohen dhe se do të klasifikohen si të pavërteta./yp