e diel, 26 dhjetor 2010

Ndarjet VIP të 2010-ës


Viti 2010 nuk ka rezultuar shumë i mirë për çiftet VIP në Shqipëri.
Kështu shumë nga personazhet e ekranit i kanë prishur planet për t’u fejuar a martuar me njëri-tjetrin. Të tjerë kanë përfunduar në dyert e gjykatës për të zgjidhur martesën e tyre. Po cilat janë çiftet që nuk i rezistuan dot 2010?
Genta Ismajli, këngëtarja e njohur  i ka dhënë fund lidhjes së saj fare pak përpara se të mbërrinte 2010. Pas lidhjes së gjatë me djaloshin kosovar, Milotin, muaji i parë i 2010 e ka gjetur singëll bukuroshen, Ismajli. Që nga ajo kohë e deri tani, në media nuk është bërë publike asnjë lidhje e Gentës ndonëse thashethemet kanë qenë të shumta, ajo i ka mohuar të gjitha.

Çiljeta Xhilaga, gjithashtu u përball me ndarjen gjatë këtij viti. Marrëdhënia e saj 5-vjeçare me Romeon, ka përfunduar që në muajt e parë të 2010. Thashethemet qarkulluan që në fillim të 2010, por kur Romeo u shfaq në ditëlindjen e 25-të të Çiljetës, gjithçka u duk se mori kthesë. Pavarësisht kësaj edhe kjo rezultoi të ishte një tentativë e kotë, dhe sot Çili gjendet në krahët e një mashkulli tjetër, me të cilin duket se është shumë e kënaqur.
Aleksi, shqiptari simpatik që prej vitesh jeton në Londër, ka përmbushur jetën e këngëtares Xhilaga, duke sfumuar kështu njëherë e përgjithmonë Romeon nga jeta e vajzës së dashur të ekranit.

Gazetarja, Aida Shtino hyri gjithashtu gjatë këtij viti në mesin e beqareve. Gjykata e Tiranës vendosi pak muaj më parë të firmosë kërkesën për divorc të Shtinos nga bashkëshorti i saj Albano Ahmeti. Procesi gjyqësor për ndarjen e çiftit zgjati plot një vit, për shkak se në mes ishte djali i tyre Brendon Ahmeti, i cili sipas vendimit të gjykatës kaloi nën kujdestarinë e së ëmës, Aida.

Gjykata e Tiranës në fund të qershorit të këtij viti firmosi divorcin e çiftit të njohur, Genc Pollo e Dajena Pollo (Kumbaro). Sipas këtij vendimi, kërkuesit Dajena Pollo (Kumbaro) dhe Genc Pollo kanë paraqitur kërkesë të përbashkët për zgjidhjen e martesës së tyre dhe pasojat e saj, duke kërkuar njëkohësisht dhe përfundimin e regjimit martesor të pasurisë së përbashkët, të vënë gjatë martesës. Nga kjo martesë kanë lindur dy fëmijë, (vajza) përkatësisht Ema Pollo, lindur më 2002 dhe Stefania Pollo, lindur në 2004. Kërkuesit, për shkak të problemeve të lindura mbi çështje të ndryshme familjare, janë marrë vesh për zgjidhjen e martesës me pëlqimin reciprok të tyre. Divorci është firmosur nga gjykata, e cila ka vendosur që kujdestaria e vajzave, t’i kalojë nënës së tyre, Dajena.

Në verë të këtij viti është firmosur edhe divorci mes çiftit të mirënjohur të artistëve, Inva Mula-Pirro Çako. Vendimi është marrë nga gjykata e Tiranës, e cila ka caktuar dhe kujdestarinë e djalit të lindur si fryt i martesës së sopranos shqiptare me famë botërore dhe bashkëshortit të saj kantautorit të mirënjohur, Pirro Çako. Sipas gjykatës, Anthony, 14 vjeç do të qëndrojë me të ëmën, Inva Mula në Paris. Në vendimin e gjykatës thuhet se kantautori do të mund të takohet me të birin sa herë të ketë mundësi, për shkak se jetojnë në dy shtete në ndryshme, Anthony në Francë, vetë ai në Tiranë. Kriza mes çiftit të njohur duket se nisi prej momentit kur Pirro Çako vendosi të linte Parisin dhe të rikthehej në Tiranë, megjithatë gjykata nuk u mor me caktimin e fajësisë. Si sopranoja ashtu dhe këngëtari, flitet se kanë nisur histori të reja dashurie, por zyrtarisht nuk e ka pranuar asnjëri prej tyre. Duket se për zyrtarizimin ishte bërë pengesë firma e gjykatës, çka ligjërisht i ka dhënë fund martesës se tyre.

Lidhja e tyre mund të cilësohet pa frikë, si lidhja më e përfolur e 2010-ës. Për javë e javë të tëra kanë qëndruar në faqet e para të gazetave rozë. Seldi dhe Domenika, janë çifti që rrëmbyen vëmendjen më të madhe të publikut, pas deklaratës shokuese që Domi bëri në lidhje me prirjet seksuale të partnerit. Kjo përveçse historia më e përfolur, është njëkohësisht edhe historia më famëkeqe. Të dy çfarë nuk thanë për njeri-tjetrin pas ndarjes, e ndërkaq ende nuk është mësuar të ketë hyrë ndonjë person tjetër në jetët e tyre.

Nuk i kanë shpëtuar këtë vit ndarjes as Olsi me Noçen, çifti i dashur i reality show-t “Big Brother”. Pikërisht atëherë kur gjërat po shkonin më mirë se ç’duhej, mjaftoi një gabim për të prishur gjithçka. Olsi paralajmëroi fejesën e cila pritej të zhvillohej përpara se të përfundonte 2010, ndërkohë që në qarqet e miqve u përfol për një krizë mes tyre. Pa kaluar shumë kohë, “Bluetooth” zbuloi se ndarja e tyre ishte definitive.

Anbeta Toromani dhe Oni Pustina i janë bashkuar listës së ndarjeve VIP për vitin 2010. Shkak për këtë mendohet të ketë qenë balerini italian, me të cilin balerina e mirënjohur Toromani është fotografuar vetëm pak ditë pas publikimit të lajmit në “Bluetooth”. Megjithatë edhe Oni nuk ka mbetur prapa në këtë aspekt. Fillimisht ai u përfol për një lidhje me prezantuesen Albana Osmani, ndërsa vetëm pak muaj më parë ai ka pranuar se është në një marrëdhënie me balerinën Linda Poda, me të cilën fitoi edhe garën e baletit të yjeve.

Bashkëshortja aktuale e kreut të opozitës, Linda (Basha) Rama, është gjithashtu një nga personazhet e njohur tashmë të ekranit, që ka pësuar divorc gjatë vitit 2010. Në qershor të këtij viti, gjykata ka bërë zgjidhjen e martesës së saj me bashkëshortin paraardhës Thanas Xhillarin. Nga martesa e parë, Linda ka një vajzë, Rean.

2010 nuk ka lënë bashkë as ish-numrin dy të Partisë Demokratike me Miss Buzëqeshjen e parë. Eduard Selami dhe Pegi Vreto, e njohur për shkak të pjesëmarrjes në konkursin e parë të bukurisë, janë ndarë përfundimisht pas disa vitesh martesë, për shkak të xhelozisë në marrëdhëniet në çift. Çifti që deri vonë dukej i lumtur ka tre fëmijë, të tre djem, dhe jetonin në New York vetëm para pak kohësh, ndërkohë që tani Edi është shpërngulur në Washington.

Ndërkaq lajmi për divorcin e Ema Andreas që u publikua në gazetë vetëm para pak ditësh çuditi jo pak njerëz. Martesa e aktores së suksesshme shqiptare, kishte marrë fund prej afro një dekade. E megjithatë, artistja vetëm pak ditë ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar zyrtarisht divorcin nga bashkëshorti i saj, Kostandin Kapo. Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, pedagogia e Akademisë së Arteve, shprehet se martesa me Kapon e ka humbur qëllimin dhe se nuk mund të bashkëjetojnë më me njëri-tjetrin. Andrea i ka kërkuar gjykatës që t’i besojë dhe kujdestarinë e vajzës së vetme, Sara, të cilën e ka sjellë në jetë gjatë lidhjes martesore me Kapon./vi

shko