e diel, 26 dhjetor 2010

9 dasmat që i dhanë shkëlqim vitit


E para që çeli siparin e dasmave ishte këngëtarja e njohur  Tuna Sejdiu.
Martesa e saj me Rilind Rekën, zgjoi vëmendjen e të gjithë gazetarëve, të cilët në përfundim të saj publikuan edhe shifrën e kripur të kësaj ceremonie. 100 mijë euro, flitet të ketë shpenzuar bukuroshja e skenës, e cila aktualisht vijon të bashkëjetojë në Kosovë, me bashkëshortin Rilind Reka.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i ka dhënë gjithashtu fund beqarisë gjatë këtij viti. Më 16 korrik të 2010, Gerti dhe Edlira, ka zhvilluar ceremoninë e parë të martesës së tyre, ku të ftuar ishin shumë personalitete të vendit. Dasma më pas ka vijuar në kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, e më tej në një darkë te ngrohtë me familjen.

Pas Gertit, ishte prezantuesja Xhemi Shehu, ajo që përjetoi emocionet e martesës. Pas një lidhjeje të gjatë me biznesmenin Elvis Sula, këtë fillim vjeshte prezantuesja bukuroshe ka kurorëzuar lidhjen e saj në një dasmë tradicionale. Pas muajit të mjaltit që kaluan në Karaibe, Xhemi dhe Visi janë të pritje të fëmijës së tyre të parë, që do të jetë djalë.
Vetëm një javë pas saj, kolegia e Top-it, Amarda Toska lidhi kurorë me humoristin e dashur, Ermal Mamaqi. Pasi përmbushën me sukses misionin e tyre për të martuar sa më shumë njerëz, më në fund u erdhi radha të martoheshin vetë. Tre ceremoni, secila me një stil të veçantë, më pas një muaj mjalti për t’u pasur zili në Aruba…Kjo ka qenë axhenda e ngjeshur e dasmës së çiftit të dashur të ekranit.



Këngëtari Blero Muharremi, nuk i ka shpëtuar dot martesës gjatë këtij viti. Pas lindjes së vajzës Tara, Blero dhe aktorja Teuta Krasniqi kanë celebruar lidhjen e tyre në një dasmë plot ngjyra.

Jo më pak e përfolur ka qenë edhe dasma e Elvis Pupës, aktorit të njohur të “Portokalli”, me Belinën, vajzën shqiptare që prej vitesh jetonte në Amerikë. Vetë Visi rrëfeu ekskluzivisht në “Bluetooth” njohjen me Belën dhe planet për t’u zhvendosur përfundimisht në Amerikë, aty ku Bela jetonte prej 13 vitesh.

Megjithatë dasma e kreut të opozitës, Edi Rama, është ajo që do të lërë më shumë gjurmë në gjithë martesat e 2010. Pas gjithë zhurmës që ka bërë me jetën e tij private, Rama vendosi të vërë kurorë këtë tetor me Linda Bashën, pedagogen e shkencave ekonomike. Mbi 800 të ftuar, ka qenë numri i pjesëmarrësve në dasmën e liderit të opozitës, ndërkohë që më qindra zarfe e dhurata kanë mbërritur në adresë të çiftit gjatë ditës së shënuar…Çifti Rama banon në një shtëpi me qira, tek ish-ekspozita.

Modelja e famshme shqiptare në Amerikë, Valbona Çoba, që nga ky vit nuk do të futet më në radhët e beqareve. Bukuroshja shqiptare, mblodhi të gjithë miqtë e saj në Shqipëri në një ceremoni glamuroze tek një nga hotelet më të njohura në vend. Bona lidhi kurorë me menaxherin amerikan, Todd, me të cilin njihej prej disa vitesh. Aktualisht Çoba jeton në rezidencën e Toddit në SHBA.

E fundit nga vajzat e famshme të ekranit që lidhi kurorë gjatë këtij viti ishte prezantuesja dhe këngëtarja Gerta Heta. Dasma e saj me futbollistin kroat Matko Djarmati, ka qëndruar për javë në faqet e suplementit “Bluetooth”, duke zbuluar herë pas here detaje të reja nga lidhja e tyre, e cila u celebrua në një ceremoni fantastike. Gerta është në pritje të një vajze, emrin e së cilës tashmë e ka vendosur./vi

shko