e mërkurë, 22 dhjetor 2010

Nënë e bijë kampione

Kolegë dhe familjarë kishin kërkuar dhe lutur pingpongisten më të mirë kosovare,
Besire Domaniku, të mos japë maksimumin dhe të lejojë vajzën e saj, Amare Janjevën, ta mposhtë në duelin e drejtpërdrejtë. Mirëpo, insistimet e tyre ishin të kota, pasi Domaniku në tavolinën e pingpongut edhe vajzën e saj e shihte si një kundërshtare, shkruan sot “Koha Ditore”. 

"Ndjenjat familjare i kam lënë në shtëpi", u thashë të gjithë atyre që insistonin. Ndodhi kjo vitin e shkuar në finalen individuale të konkurrencës së sendorëve, pasi e bija e Besires, Amarja, më parë kishte triumfuar në kategorinë e kadeteve dhe junioreve. 

"Para përballjes të gjithë më lutnin t'ia lëshoja finalen Amares pasi e kam vajzë, por unë nuk e bëra një gjë të tillë dhe e mposhta. U thashë se më përpara tërhiqem sesa bëj një veprim të tillë", kujton Besirja atë moment. "Amaren kam dëshirë ta shoh sa më lart, por në atë duel e shihja si të gjitha kundërshtaret e tjera edhe pse përballë kisha vajzën time". 

Pingpongistja më e mirë kosovare nuk mban mend kur ka pësuar humbjen e fundit në Kosovë. Ajo është në përfundim të karrierës, por kundërshtaret e vërteta nuk i sheh në horizont. Kohët e fundit ka ulur intensitetin e stërvitjeve dhe të garimit dhe tani luan vetëm në gara ekipore dhe në ekip ka edhe vajzën, Amaren, te Prishtina.

"I kam shijuar të gjitha në karrierë dhe tash ua kam lënë vendin pingpongisteve të reja, që dëshiroj t'i shoh sa më lart", tha Domaniku 38-vjeçare. "Ishte ëndërr imja që të luaja kundër vajzës time dhe kjo u plotësua. Është një ndjenjë fantastike". 

E bija e Besires, Amarja, është 15-vjeçe dhe ajo në konkurrencën e saj të kadeteve, por edhe në atë të junioreve nuk njeh konkurrencë. Megjithatë, e ëma beson se ajo nuk është e përkushtuar sa ishte vetë ajo kur ishte e re.

"Më pengon se përkushtimi i saj është më i vogël se imi që e kam pasur kur isha më e re", tha Besirja.

Rrugës së Besires është nisur edhe vajza më e vogël, Era, 10-vjeçare. Ajo vitin e ardhshëm do të garojë në kategorinë e kadeteve dhe do të ketë rastin të përballet me motrën e saj më të vjetër. 

"Do të luaj edhe një meç me Erën, por ajo është ende e re. Mund të them se Era më përngjan më shumë me stil dhe karakter të lojës sesa Amarja", tha Domaniku. "Era në edicionin tjetër do të përballet me Amaren, por asaj i duhet kohë për të shënuar fitore, sepse Amarja po i afrohet gradualisht nivelit tim". 

Amare Janjeva është kampione në kategorinë e kadeteve dhe junioreve. Ajo nuk është pajtuar me disfatën nga e ëma dhe thotë se shumë shpejt do t'i kërkojë revansh. Megjithatë, ajo pranon se e ka model të ëmën.

"Në të ardhmen do t'i kërkoj edhe një meç tjetër. Nuk pajtohem me atë humbje dhe do t'i revanshohem. Nëse vazhdoj me këtë lojë, atëherë besoj se mund t'i arrij sukseset që ka pasur nëna", u shpreh Amarja. "Ishte një ndjenjë e mirë të luash kundër nënës, por edhe më e mirë kur e ke bashkëlojtare. Të dyja i kam përjetuar dhe tash po pres edhe Erën, e cila ka nisur të merret me pingpong"./kv
shko