e diel, 26 dhjetor 2010

PDK e LDK përplasen në Gjilan

Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Gjilan,
vlerësuan se në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit, nuk është fitues askush, dhe se humbës është demokracia, e cila sipas tyre është lënduar rëndë  me keqpërdorimet që janë bërë. Mirëpo, drejtues të PDK-së ka thënë se tashmë  dihet se fitues i zgjedhjeve është PDK-ja, por humbësit kanë të drejtën të gjejnë justifikime para elektoratit të tyre për dështimin edhe në këto zgjedhje.
Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, ka thënë se ky subjekt politik edhe sot e kësaj dite nuk mund t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, përderisa KQZ-ja nuk del me qëndrim zyrtar, dhe përderisa nuk ofron siguri dhe garanton që procesi zgjedhor në tërësi është përfunduar.
Ndërkaq, kryetari i Degës së PDK-së, Izmi Zeka, i është kundërpërgjigjur Hazirit, duke thënë se rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet edhe kur je humbës, dhe jo vetëm atëherë kur del fitues
Sipas kreut të LDK-së në Gjilan, Hazirit, „do të jetë vështirë që dikush të ndërtojë qeveri stabile, qeveri me legjitimitet dhe  me kredibilitet politik, e që është më e rëndësishmja, me mbështetjen e shumicës së madhe të qytetarëve të Kosovës“.
“Në zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk  është fitues askush, por është lënduar demokracia, është lënduar procesi zgjedhor dhe është shkelur kushtetuta, si e drejtë elementare e çdo qytetari, për të cilin garanton votë të lirë dhe vullnet të lirë të shprehur përmes procesit zgjedhor “, ka thënë Haziri.
I pari i LDK-së së Gjilanit  ka hedhur akuza në drejtim të PDK-së, duke thënë se doli që ajo ka administruar me këtë proces zgjedhor, fatkeqësisht duke bërë që vullneti i qytetarëve të shtrembërohet, por, siç u shpreh Haziri, shpresohet shumë se më 9 janar, kur do të përsëritet pjesërisht procesi zgjedhor, do të përmirësohet, apo do të arrihet që së paku lëndimet e mëdha të këtij procesi të përballohen.
Nëse dikush merr përgjegjësi që LDK në Gjilan, shikuar nga numri i votave në këtë komunë, nuk doli madje as e dyta, Haziri ka nënvizuar se nuk kanë garuar për pozitë në radhitje, por për rritje të anëtarësisë dhe për t’i fituar këto zgjedhje, dhe se, sipas tij, LDK ka pasur rritje krahasuar me vitin 2009 e 2007.
“Krahasuar me vitin 2009 dhe me vitin 2007, LDK në Gjilan ka rritje. nëse i shtohet edhe pesha e abuzimit të votës nga ana e PDK dhe të tjerëve, e në veçanti monitoruesve të verifikuar, si ’Demokracia në Veprim’, e cila ka qenë mekanizëm dhe dorë e zgjatur e PDK në Gjilan , për të manipuluar dhe abuzuar me votën e qytetarëve, del që LDK është fituese morale e këtyre zgjedhjeve dhe ka shumicën  e qytetarëve, mbështetës, përkrahës dhe votues”, ka thënë Haziri.
Mirëpo, pohimet e Hazirit i ka mohuar Degës së PDK-së në Gjilan, Izmi Zeka, i cili ka thënë se „është e drejtë që humbësit ta justifikojnë humbjen dhe dështimin para elektoratit të tyre, që përditë po zvogëlohet“, dhe, sipas Zekës, „zakonisht ata që humbin bëjnë zhurmë, që t’i mbulojnë ato që nuk mbulohen as arsyetohen – humbjet“. Zeka ka thënë se sovrani i demokracisë, qytetari, i ka dhënë LDK-së vendin e tretë, ndërsa „Gjilani edhe njëherë është treguar qytet i demokracisë, me zgjedhje korrekte, siç qe dëshmuar edhe në tri radhë votimesh për kryetar Komune, ku kandidati i PDK-së tri herë e mposhti kandidatin e LDK-së“. 
Sipas Zekës, PDK i vlerëson të sukseshme zgjedhjet, dhe „demokracia nuk bëhet me fjalamani e ankesa, por është vota e qytetarit ajo që ta cakton vendin, e këtë e ka dëshmuar edhe në Gjilan, ku PDK, duke qenë partia më e madhe dhe më serioze, doli përsëri e para, ka thënë Zeka.
Në fund Zeka e ka porositur Hazirin që „të mësojë nga demokracia, që zgjedhjet nuk mbahen sa herë dikush del humbës, por ai duhet të presë rastin me 2013 e 2014, sepse zgjedhjet nuk bëhen as për hir të PDK-së as të LDK-së, por sipas parimeve dhe rregullave që i ka caktuar mënyra demokratike e qeverisjes në tërë botën demokratike“./io
shko