e diel, 12 dhjetor 2010

Votojnë liderët partiak

Në Prishtinë kanë votuar disa nga përfaqësuesit e lartë të partive politike, të cilat pretendojnë se do të dalin fituese në zgjedhjet e sotme parlamentare. 


Pas votimit, ata kanë dhënë deklarata për media duke u bërë thirrje qytetarëve për dalje në votime dhe duke shprehur bindjen në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.


Në kryeqytetin kosovar deri në orën 11:00 kanë votuar: kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministri në ikje, Hashim Thaçi; kryetari i LDK-së, Isa Mustafa; nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala; lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ai i LDD-së, Nexhat Daci, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, njëri nga themeluesit e Partisë Fryma e Re, Shpend Ahmeti, drejtuesi i Listës “Dr. Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, ka raportuar Telegrafi.

Duke i uruar të gjithë qytetarët për ditën e zgjedhjeve, lideri i PDK-së, kryeministri në largim, Thaçi, ka vlerësuar se këto janë zgjedhje të rëndësishme për faktin se po mbahen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Thaçi pasi ka përmendur disa nga premtimet e tij të fushatës parazgjedhore, ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese që në mënyrë sa më masive të dalin dhe të votojnë.


Lideri i LDK-së, Mustafa, uroi për zgjedhje të suksesshme, ndërsa sa i përket fituesit tha se “do të fitojë ai që e merr votën nga qytetarët”.
Ndërsa Shala ka shprehur bindjen e tij se do të jetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai që do të qeverisë Kosovën pas këtyre zgjedhjeve.


Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali të Prishtinës. Edhe Pacolli ka ftuar qytetarët të votojnë, duke shprehur bindjen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.


Nexhat Daci, lider i LDD-së, votoi në shkollën fillore "Iliria". "Unë do të doja që sot të jetë referenca më e mirë për Evropën se qytetarët e Kosovës janë të gatshëm të jenë të lirë për udhëtime, të jenë të lirë për integrime, të mund të votojnë të lirë dhe të ndershëm dhe urime Kosovë të gjithëve" tha Daci

.
Ndërkohë, në vendvotimin e vendosur në ndërtesën e Fakultetit Ekonomik, lideri i lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshimin. “I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të dalin sot e të votojnë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës”.

Në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë, ka votuar njëri prej themeluesve të partisë Fryma e Re, Shpend Ahmeti me bashkëshorten. Ahmeti ka ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje. “Presim ndryshime, presim të kemi një skemë tjetër politike”, tha Ahmeti, duke thënë se është momenti i fundit të bëhen këto ndryshime.

Edhe dreltueesi i Listës “Dr. Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, ka votuar në orët e paradites. Ai duke ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese që në mënyrë sa më masive të dalin dhe të votojnë, ka vlerësuar se këto janë zgjedhje të rëndësishme ngase mbahen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të cilat kanë për qëllim fuqizimin e institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë, sipas Telegrafit,  në shkollën fillore “Faik Konica”, ka votuar edhe ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. “Konsideroj se domethënia e këtyre zgjedhjeve për proceset demokratike, për demokracinë në përgjithësi është tepër e rëndësishme dhe dëshiroj që ashtu siç kanë filluar me rregull, pa probleme gjithë ky proces të mbyllet ashtu siç është vullneti i qytetarëve të Kosovës, për interesin e qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin e demokracisë së Kosovës”, tha Krasniqi
shko