e premte, 3 dhjetor 2010

ZGJEDHJET: Premtojn sundim të ligjit përderisa atë e shkelin vet!

Adresat e hyrjeve të komplekseve banesore dhe emrat e rrugëve në shumë lagje të Prishtinës nuk vërehen më nga posterët e partive politike.


Fletushkat e shtypura nga kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë “shtruar” rrugët, madje janë stolisur edhe kontejnerët, shkruan gazeta Zëri.



Kartëvizitat e tyre gjatë gjithë ditës iu shpërndahen pandërprerë kalimtarëve, ndërsa hapësira para monumentit të “NewBorn-it”, të enjten është shndërruar në vendtakim ku shpërndahen kartat personalisht nga kandidatët e disa partive.


Ngjyra e zgjedhjeve mbizotëron në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndonëse, ligji nuk lejon vendosjen e njoftimeve, pllakateve dhe posterëve, emrave të kandidatëve ose sloganeve, pa lejen e pronarëve ose shfrytëzuesve, kjo nuk është respektuar nga partitë dhe kandidatët.


Rrethoja e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është stolisur paraditen e së enjtes me reklama të kandidatëve për deputetë, ndërkohë pasdite dikush ka hequr disa nga ato. Po ashtu edhe kabinat e trafikut urban, të cilat është e ndaluar të mbulohen tërësisht.


Analistët e vlerësojnë këtë gjendje si garë që mund t’iu sjellë vota partive apo edhe t’iu humbë. Qytetarët shprehen jo pak të irrituar, ndërsa ka edhe parti që ankohen se të tjerat po ua mbulojnë posterët me posterët e tyre.

shko