e martë, 11 janar 2011

Alban Skënderaj me Miriamin: Ne mund ta fitonim Eurovizionin


Dueti i Alban Skënderajt dhe Miriam Camit ishte në qendër të vëmendjes dhe vazhdon të jetë edhe tani kur jehona e Festivalit të 49-të të RTSH tashmë është shuar.
Aurela Gaçe e mori çmimin e parë në edicionin e 49-të të Festivalit të Këngës në RTSH, duke fituar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovizion”, ndërsa Alban Skënderaj dhe Miriam Cami, që ishin parashikuar si kandidatë të mundshëm, nuk ia dolën. E gjithë mjegullnaja e fjalëve për “shitje” të çmimit të parë, duket se u mbyll me këtë vendim të jurisë dhe publikut por deklaratat e Alban Skënderajt, në natën finale të ndarjes së çmimeve, tingëlluan si një hakmarrje. “Për ato gojët e liga, ja që ne nuk e fituam” – deklaroi Skënderaj, teksa i jepej çmimi i dytë. Situata aspak normale, që për herë të parë krijohej drejtpërsëdrejti në një skenë festivali, do të pasohej nga një tjetër deklaratë e triumfueses, tashmë Aurela Gaçe, e cila teksa po merrte kupën e çmimit të parë “ngushëlloi” kolegun e saj me fjalët: “Alban, flamurin e ngritëm në Vlorë, sido që të jetë”. Në një intervistë për MAPO-n, Alban Skënderaj komenton intrigat që u thurën për duetin e tij me Miriamin dhe për herë të parë flet për zhgënjimin e tij me pjesëmarrjen në këtë Festival
Si pjesëmarrës në disa festivale, tashme një këngëtar në karrierë, si do ta vlerësonit Festivalin e 49-të të RTSH-së?
Ishte një përsëritje, mund të them, e viteve të kaluara. Më shumë kalon koha dhe më shumë festivali ka tendencë të bjerë në nivel. Kjo nuk është për shkak të drejtorit artistik apo regjisorit, që është çdo vit, sepse ata janë të pafuqishëm për ndryshime radikale, por i një institucioni shumë të vjetëruar tashmë. Ka shumë pak prurje. Fatkeqësisht dëshira e këngëtarëve për të marrë pjesë në festival është gjithmonë dhe më e vogël dhe kompozitorët që marrin pjesë duket sikur e bëjnë për të marrë thjesht lekët e një produksioni, të cilat janë të paguara!!. Përsa i përket organizimit të festivalit janë disa gjëra që më kanë shqetësuar, por mbi të gjitha është fonia që është gjëja më e rëndësishme për performancën e një këngëtari, flas për aspektin muzikor.
Po për Miriamin?
Miriami mori pjesë për herë të dytë dhe të dyja herët ka qenë një zhgënjim total për të. Këtë herë ndjenja për të përfaqësuar shtetin e saj, në shtetin e saj të dytë, Gjermani, ku është rritur i dha forcë të përballonte një mentalitet që është larg nga i saji, por mesa duket kjo nuk ju shpërblye.
Ishit dueti më i përfolur në prag festival. Rezultoi një “shashkë” që u hodh nga një këngëtare e re, por që u mor fatkeqësisht në konsideratë. Pas gjithë kësaj furtune që ju kaluat, si e gjykoni sot gjithë situatën që u krijua?
Çdo vit bëhen thashetheme, por këtë vit shkoi larg me deklarata publike, ndoshta nuk është thjeshtë një rastësi, ndoshta është. Por ajo që di të them, është se kjo na penalizoi dhe kompleksoi shumë, një juri që kishte vetë probleme me komplekset e saj.
A mendoni se ishte kjo një mënyrë për të larguar “vëmendjen” nga dueti juaj, si kandidatë të mundshëm për çmimin?
Është një variant që nuk anashkalohet. Është e pabesueshme se sa seriozisht i marrin intrigat disa njerëz dhe në botën e artit në Shqipëri. Megjithatë nuk është ky problemi bazë. Fakti është që duhet të ndryshohet gjithçka në këtë mentalitet të vjetër e fanatik, ku e mira shihet vetëm nga një këndvështrim.
Ndjeni se u është mohuar pjesëmarrja në Eurovizion?
Jo, kjo s’do të ishte “fair” ndaj këngës fituese, por ndoshta një shans shumë i mirë, i është mohuar Shqipërisë sepse i kishim mundësitë si kurrë më parë për ta promovuar këtë këngë 360 gradë në Gjermani. Ne jetojmë aty dhe Miriami ka plot fansa dhe mbështetje atje, sepse nuk është vetëm kënga që ka vlerë, por është një paketë e tërë ku çdo gjë duhet vlerësuar në detaje. Mediat, shtëpia diskografike, stafi promovues, producenti që ishte mbas këngës tonë, do ta kishte bërë këngën shumë të njohur, që paraprakisht në Gjermani e jo vetëm. Kjo nuk ka asnjë vlerë, nëse Festivali Europian bëhet në Ukrainë apo ku di unë se ku. Ishte pikërisht sepse ishte në Gjermani, që shumë gjëra të pamundura për Shqipërinë do ishin të mundura. Megjithatë nuk i dihet, ne e përkrahim dhe i urojmë shumë suksese këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë.
Me këtë që ndodhi, Alban Skënderaj a e ka lënë pas Festivalin e RTSH e bashkë me të edhe dëshirën e çdo këngëtari për të marrë pjesë në Eurovizion, apo sërish do të tentojë në vitet e ardhshme të jetë pjesëmarrës në këtë festival?
Nuk jam natyrë festivalesh, edhe pse kam dalë nga një i tillë (shumë me avanguard se ky kuptohet). Nuk e shoh muzikën time si në konkurrencë me diçka tjetër. Në përgjithësi nuk e shoh muzikën ashtu. Secili artist ka stilin e vet, tekstet e veta dhe zërin e vet dhe mendoj se dhe duhet të krijojë një show të tijin, siç në fund të fundit funksionon në gjithë botën. Ashtu siç dhe thashë, unë mora pjesë këtë herë sepse ishte në Gjermani, aty ku mendoj se më mundësohej me të vërtetë të përfaqësoja denjësisht vendin tim. Në të ardhmen mendoj se do i shoh sa më nga larg skenat shqiptare, por do jem sa më shumë prezent me muzikën time në Shqipëri.
Si përfundim, ndjeheni të zhgënjyer ti dhe Miriami nga ky festival?
Pas punës kolosale dhe dedikimit me gjithë shpirt, mund të them që po. Megjithatë kemi qenë mëse të përgatitur psikologjikisht, kështu e përballuam me qetësi të paktën.
Së fundi, çfarë ishte gjeja e parë që bëtë të dy pas gjithë kësaj që?
Ka drama më të rënda në jetë së kjo. Megjithatë na duhet ta stakonim pak trurin dhe thjesht ishim disa ditë në Gjermani me disa miq në një vend ku kishte shumë borë dhe asgjë tjetër./vi
shko