e hënë, 24 janar 2011

Berisha: U vranë 3, mund të vriten 300

Kryeministri Sali Berisha, në një takim me punonjësit e policisë pas demonstratës së 21 janarit, ka shprehur vlerësimin e tij për Policinë e Shtetit dhe ka paralajmëruar që kushdo që guxon të
dhunojë institucionet do të marrë një përgjigje të paimagjinueshme.
“Brenda në Kryeministri ishin oficerët e mi dhe Garda e Republikës. Ata ishin që nga tarraca deri në tokë të gatshëm për të më mbrojtur… Nëse dikush do të tentojë për herë të dytë të dhunojë institucionet, do të gjejë atë që nuk mund të hetohet kurrë në histori. Mos tento më të dhunosh institucionet, të shkelësh Kushtetutën, se ke bërë një gabim fatal”, tha Berisha.
“Kemi kërkuar nga vendet mike që të na tregojnë ekspertë për të hetuar. Grushti i shteti nuk mund të kalojë. U vranë 3 u vranë, mund të vriten 300. Mund të ishin vrarë të gjithë ata që gjendeshin brenda gardhit”, shtoi ai.
Më pas, kreu i qeverisë ka akuzuar sërish Prokurorinë si pjesëtare të puçit të organizuar, sipas tij, nga kryetari i PS-së, Edi Rama.

“Të bësh dënim  kolektiv tregon se je pjesë e një skenari. Kryeministrinë nuk mund ta marrë kurrë ai. Ai që synon të marrë institucionet do të gjejë fund fatal të tij. U krijua një situatë shumë e rëndë. Të nxjerrësh mandate-arresti kolektive pa asnjë hetim?! I vetmi dokument për arrest është rregullorja e gardës. Një situatë e paimagjinueshme”, tha Berisha./tch/
shko