e martë, 25 janar 2011

Marty: Kam dëshmitarë

Në punimet e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vënë për diskutim raporti i raportuesit të
posaçëm të këtij mekanizmi, Dick Marty, për, siç është thënë, “trafikim të paligjshëm organesh nga një grup i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Duke rikujtuar fillimisht rrethanat që kanë nxitur këtë raport, e që kishin të bënin me pohimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla del Ponte, Marty në paraqitjen e tij tha se “raporti nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit kosovar dhe atij shqiptar”.

Raporti, sipas tij, ka të bëjë me “shkeljet e të drejtave të njeriut”.

“Kur u publikua ky raport, e kam nënvizuar se duhet të lexohet me kujdes dhe fjalët duhen kuptuar ashtu siç janë shkruar dhe pa nënkuptime të tjera”, ka thënë Marty, duke vlerësuar se, bazuar në raportimet e mediave dhe reagimeve të politikanëve, ky rekomandim i tij është injoruar.

“Është e vërtetë se në raportin tim do të mund t’i shmangia emrat, por pastaj do të bëja një vlerësim të përgjithshëm dhe i gjithë kombi do të mund të fyhej”, tha Marty, por, sipas tij, e vërteta dhe sinqeriteti intelektual, respekti për popullin kosovar dhe familjet e viktimave “kërkojnë nga ne që gjërave t’u themi me emër”.

“Këta emra janë emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”, ka thënë Marty.

Ai ka pohuar se për përmbajtjen e raportit ka dëshmitarë. “Po, kemi gjetur dëshmitarë, po, ata janë dëshmitarë kredibilë, ata na e kanë mundësuar të jemi të saktë dhe pikërisht kjo frikëson qarqe të caktuara”, ka thënë Marty, duke mohuar se këta dëshmitarë kanë ndonjë lidhje me serbët apo me rusët dhe janë njerëz që e duan vendin e tyre, Kosovën.

Sipas tij, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare dhe në këtë rrafsh, Marty i kushtoi një vëmendje të posaçme programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të diskutohet në punimet e së mërkurës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Rezoluta dhe raporti, që bëjnë thirrje për hetime, janë akte të drejtësisë dhe respekt për ata burra dhe gra që jetojnë në këtë vend të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë”, tha në fund Marty, duke porositur se drejtësia nuk mund të vihet në vend pa të vërtetën.

Pohimet në këtë raport janë kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare, e veçanërisht nga kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përmendur në të, duke e ndërlidhur me akuzat për “trafikim organesh, kontrabandim armësh dhe narkotikësh”./yp
shko