e shtunë, 22 janar 2011

Partitë reagojnë për dënimin e nëntë shqiptarëve të Luginës

Përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës reaguan lidhur me dënimin e nëntë të rinjve shqiptarë nga Gjykata Serbe.

Ata theksuan se shqiptimi i dënimit drakonik me 101 vite burg është një proces i pastër i montuar politikisht.



Kryetari i PDSH-së dhe i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa theksoi se me këtë vendim Serbia po tenton që krimin ta
barazojë me forcat paramilitare serbe që kanë kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë.



Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH), Orhan Rexhepi theksoi se dënimi i rëndë është një akt i montuar politik i serbëve.



Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), një subjekt i dalë nga lufta vlerësoi se gjyqësia serbe edhe njëherë dëshmoi me vendimet e çoroditura antiligjore dhe antidemokratike, duke i dënuar në mënyrë drakonike, me 101 vjet heqje lirie, 9 të rinj shqiptarë nga Luginë e Preshevës, ish pjesëtarë të UÇPMB-së, me akuzën për krime lufte gjatë vitit 1999, ndaj civilëve serbë dhe joshqiptarë në rajonin e Gjilanit.



LPD theksoi se ky vendim është vazhdimësi e politikës sistematike diskriminuese ndaj shqiptarëve.



Nëntë të dënuarit në këtë proces janë: Ahmet Hasani 10 vjet, Nazif Hasani 10 vjet, Ferat Hajdari 8 vjet, Kamber Sahiti 8 vjet e Burimu Fazliu 10 vjet, Faton Hajdari 10 vjet, Samet Hajdari 15 vjet, Selmon Sadiku 15 vjet e Agush Memishi 15 vjet burg.



Ndërkaq të liruarit me kusht më 28 dhjetor 2010 Ahmet Hasani, Nazif Hasani, Ferat Hajdari, Burim Fazliu dhe Kamber Sahiti të cilët sërisht janë lejuar të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre deri sa të hyjë në fuqi vendimi i gjykatës për të vuajtur dënimin.



Nëntë qytetarët shqiptarë nga Presheva ishin arrestuar më 26 dhjetor të vitit 2008,ndërkaq procesi gjyqësorë ndaj tyre pati filluar në shtator të vitit 2009/ina
shko