Futen dhe dalin nga dyert që çelen dhe mbyllen si të ishin ato të një makine magjike. Kur janë brenda ngjishen me njëri- tjetrin, zakonisht në ato që konsiderohen si “orët e pikut”, orët e mëngjesit dhe të darkës kur njerëzit nisen dhe kthehen nga puna. Brenda mbizotëron një llojshmëri e vërtetë
gjuhësh, racash, veshjesh, moshash. E ku tjetër mund të gjesh një përzierje të tillë kaq heterogjene sa në metrotë europiane ndër të cilat ajo e Londrës zë vendin e parë. Po për çfarë mund të ketë vendosur Londra një rekord me këtë rit të përditshëm?Sipas statistikave të fundit të publikuara nga “Transporti për Londrën”, autoriteti i transportit publik i kryeqytetit britanik ka bërë të ditur se gjatë vitit që shkoi nëpër metronë dhe në të gjitha mjetet e transportit publik të kryeqytetit kanë qarkulluar thuajse 3 miliardë e gjysmë njerëz. Imagjinoni pra bëhet fjalë për gjysmën e popullsisë së botës të mbyllur nëpër metrotë dhe autobusët londinezë, ata dykatëshit e kuq dhe mjetet e tjera të transportit të kryeqytetit britanik. Nëse do të imagjinoni këtë pamje do të krijoni një ide se çfarë domethënie ka një gjë e tillë: gjysma e popullsisë së botës që transportohet në mjetet publike të një qyteti të vetëm.
Kjo është edhe pamja më e veçantë e Londrës në mënyrë të padiskutueshme. Por shifrat nuk mjaftohen vetëm me krijimin e një rekordi, por rrëfejnë edhe një histori. Rritja e numrit të pasagjerëve me mbi 165 për metronë, ose “tube” siç e quajnë londinezët për shkak të formës së tubit që ka ajo, si dhe rritja me mbi 7% e udhëtarëve nëpër autobusë flet për një Londër që duhet se ka dalë nga gjendja problematike ekonomike dhe financiare e vitit 2008.
Kjo sepse ky numër i madh njerëzish janë turistë, blerës, konsumatorë, pra njerëz që shpenzojnë një para shumë të madhe në një qytet të vetëm dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore siç është viti. Kjo do të thotë se këta njerëz ia kanë rritur shumë të ardhurat jo vetëm transportit publik, por të gjithë sektorëve të shërbimit të kryeqytetit. Të paktën nëse do t’u referoheshim shifrave të vitit që shkoi që përbëjnë me të vërtetë një rekord të jashtëzakonshëm. Sipas autoriteteve londineze, kryeqyteti nuk ka pasur kurrë më parë një fluks të tillë të ardhurish, të huajsh, turistësh si në vitin e kaluar. Kjo është shenjë që transportet publike janë përmirësuar duke u shndërruar në vende jo vetëm më të sigurt, por edhe më komodë.
Po të kuptohemi që sistemi nuk është perfekt. Reduktimet e shpenzimeve publike që u vunë re në shkallë të gjerë në buxhetin e këtij viti ka prekur edhe sektorin e transporteve në të cilin janë mbyllur edhe shumë vende pune dhe janë reduktuar disa shërbime. Megjithatë, qytetarët dhe udhëtarët në përgjithësi nuk kanë ndonjë alternativë tjetër veç transportit publik. Qyteti është shumë i shtrirë me periferitë që ndodhen shumë larg dhe kjo bën që ky mjet qarkullimi të jetë i vetmi më i lirë në dispozicion. Madje, Londra është më e madhe se Vjena dhe Roma e marrë së bashku. Trafiku me makinë është shumë kaotik. As edhe vetë terrorizmi dhe frika e ndonjë akti terrorist në metro si në vitin 2005 nuk i ka ndalur njerëzit që të preferojnë me shumicë transportin publik.
Atentati i vitit 2005 në të cilin humbën jetën 50 vetë dhe u plagosën 700 të tjerë ishte një ndër më të rëndët e kohëve moderne në Londër e megjithatë metrotë vazhdojnë që të jenë më të preferuarat pavarësisht se sulmi më i madh ndodhi në metro. Londra ka metronë më të vjetër në botë, metro që u inauguruan në vitin 1863 me 270 stacione të hapura nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 1 të natës. Më pas vijnë autobusët e kuq me dy kate dhe më pas vjen shërbimi me omnibus qëkur nisi si shërbim në vitin 1829 kur tërhiqeshin nga kuajt. Të gjitha këto mjete transporti publik janë ato që mbajnë në kurrizin e tyre gjysmën e popullsisë së botës brenda kufijve të një qyteti të vetëm./topLajm