e premte, 25 shkurt 2011

Krasniqi: PDK nuk është vetëm e Thaçit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e konsideron Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) vepër të tij, duke thënë se ka qenë njeriu më i angazhuar në PDK për stabilitet,
unitet dhe jo ndarje të kësaj partie. Në intervistën për të përditshmen “Zëri, Krasniqi tha se PDK-ja nuk është rezultat i një individi, as i kryetarit të saj Hashim Thaçi, por i shumë veprimtarëve të tjerë politikë, që kanë një kulturë dhe traditë politike, por të cilët asnjëherë deri me sot nuk janë shtyrë për pozita. 
Në këtë intervistë kryeparlamentari Jakup Krasniqi është shprehur haptazi kundër vendimeve të Thaçit dhe procedurave që ai ka aplikuar për të ardhur deri tek përzgjedhja e Behgjet Pacollit president i Kosovës, duke e quajtur pazar të koalicionit. 


Ai ripërsëriti se është shkelur neni për presidentin, ku thuhet se ai duhet të jetë personi unifikues i popullit të Kosovës. Si mundet të jetë një preson edhe unifikues edhe të votohet me 61 vota, pra me gjysmën e votave të deputetëve. Pra, ka absurditete në këtë rast, kështu që Kushtetuta jonë duhet të ndërrohet. Neni 70, pika 1, tregon që deputeti duhet të jetë i lirë për të votuar dhe ndërprerja apo pauza në një mënyrë sikur nuk ia lë këtë liri. 
Unë mendoj se zgjedhja e lirë e deputetëve ka qenë hera e parë dhe e dytë dhe në herën e tretë zgjedhja e lirë është eliminuar. Të gjitha janë të precizuara edhe me Rregulloren e punës së Kuvendit për mënyrën se si kërkohet pauza.


Me Kushtetutë kërkohet që në dy herët e para në sallën e Kuvendit të Kosovës të jenë 80 deputetë e që atë ditë në seancë nuk kanë qenë. Kështu është lënë mundësia që edhe me 60 deputetë të zgjidhet presidenti. 
I pyetur nëse ka pasur presion në pauzë, Krasniqi u përgjigj se personalisht nuk kishte  pasur presion, por duke qenë se pjesa më e madhe e deputeteve janë të rinj ka lënë mundësinë që të jenë frikësuar se mund të shkohet me zgjedhje të tjera. “Ndoshta njerëzit nuk kanë dashur ta çojnë Kosovën në zgjedhje të tjera”, është shprehur ai.


Për kryeparlamentarin Krasniqi ka qenë shpejtim i përzgjedhjes. “Për mua ka qenë jo shumë e kuptueshme, pasi që kemi pasur hapësirë për të bërë një zgjedhje më të qëndrueshme, për të qenë pjesë e votimit edhe opozita për të dhënë kontributin e vet, siç e dha edhe në pjesën e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, tani kemi institucionet, janë këto institucionet dhe zhvillimet që do të vijnë do të përcaktojnë se cila do të jetë rruga për të ecur më tej. 


Megjithatë, kjo situatë që është krijuar pas zgjedhjeve ka treguar dy çështje, me të cilat duhet të merren kjo legjislaturë. Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe të plotësohet edhe të konkretizohet. Gjithashtu duhe të bëhet edhe reforma e sistemit zgjedhor. 
Ndryshimi duhet të bëhet për të lehtësuar procesin zgjedhor mbi bazën e nivelit të zhvillimit të demokracisë, nivelit të kulturës së qytetarëve të Kosovës të jetë më e thjeshtë që zgjedhësit e Kosovës të shkojnë në mënyrë të lirë te kutitë e votimit. Janë këto çështje që kjo legjislaturë në afatin më të shpejtë të mundshëm të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i bërë këto ndryshime. 

Tani për tani Kushtetuta e ka një zbrazëtirë në këtë drejtim dhe duhet në të ardhmen të ndryshohet. Varet shumë nga partitë politike dhe nga qëndrimet e partive politike në Kuvend, vetë ndryshimi i kushtetutës me një konsensus, natyrisht me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pastaj një vendim që të ndryshohet forma e zgjedhjes së presidentit, për të mos u bërë presidenti pazar i koalicionit qeverisës, ndoshta do të duhej të shkohet me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët. 

Presidenti është njeriu i parë, përkatësisht pozita e parë në Kosovë dhe ai duhet të ketë mbështetje më të gjerë popullore, duhet të jetë një personalitet më unifikues gjithsesi nëse zgjidhet nga Kuvendi duhet të precizohet që të jetë një votim jo me 60 plus një, por, presidenti duhet të sigurojë së paku 80 vota. Të shkohet me zgjedhjet e drejtpërdrejta nga qytetarët e Kosovës, ndoshta kjo është zgjedhja më ë mire e mundshme tani për tani, ka thënë ai. Krasniqi nuk ka mundur të shpjegojë si u bë që të rritet numri i votuesve pro, pas dy rundave që nuk siguruan as minimumin për zgjedhjen e presidentit. 


“Unë kam marrë pjesë në votim dhe vota ime ka qenë kundër”, i ka thënë “Zërit Jakup Krasniqi”.
Për pasojat që do të prodhojë gjithë procesi i zgjedhjes së presidentit ai ka bërë përgjegjës Hashim Thaçin. Me asnjë rast nuk kemi bërë as përpjekjen më të vogël për të kërkuar dorëheqjen e z. Thaçi. Tani krijimi i këtyre institucioneve, në këtë formë që është bërë, sigurisht që ka krijuar një ndarje në mendime dhe në ide, në ata që kanë thënë se nuk kemi zgjedhje tjetër, që është z. Thaçi, dhe ne që mendojmë se megjithatë kemi mundur të kemi një zgjedhje më të mirë.


Kemi pasur afat 30 ditë që të bisedojmë me të gjitha partitë politike, pa marrë parasysh që disa kanë qenë mjaft rezistuese, mirëpo është dashur të bëhen tentime në forma të ndryshme për të krijuar një stabilitet më të fortë, në rend të parë brenda përbrenda koalicionit dhe pastaj në institucionet e Kosovës. Unë mendoj se nuk janë shfrytëzuar të gjitha këto mundësi. Megjithatë, përgjegjësia është e kryetari edhe e atyre që e kanë mbështetur kryetarin. 


Krasniqi ka sqaruar pse ishte kundër zgjedhjes së Pacollit president. Jam përpjekur t’u them të gjithëve në parti se angazhimi ynë është për kombin, interesi i dytë për partinë dhe i treti për vete. Unë jo me çdo kusht kam qenë të marr atë pozitë. Qëndrimi im nuk është mbështetur mbi inate, s’është e thënë që unë të jem kandidat për president, por jo Pacolli.  S’kam asgjë personale, por Pacolli nuk është zgjedhja më e mirë dhe zgjedhja që i duhet Kosovës për krijimin e institucioneve në kohën kur u shtuan kritikat nga jashtë. Kosovës i duhej një personalitet që i heq këta zëra kritikues për Kosovën. Ne kemi bërë të kundërtën, jo vetëm që nuk e kemi hequr kritikën, por i kemi shtuar ato.


Edhe pse në kryesi me konsensus është marrë vendim që kandidat të jem unë dhe refuzimin e Thaçit e konsideroj se nuk e ka pasur një konsistencë në këtë drejtim për faktin se Thaçi nuk ka parë aleat tjetër me të cilët do ta formonte qeverinë, është shprehur kryeparlamentari i Kosovës dhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së./kn
shko