e premte, 25 shkurt 2011

Shpërthen Jakup Krasniqi: Thaçi totalitar, Pacolli president me vota të presionit

Në emisionin e mbrëmshëm “Rubikon” të Kohavsionit, kryetari i Kuvendit,  Jakup Krasniqi, e ka quajtur presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacollin, të “papërshtatshëm”, “i zgjedhur pa
vullnetin e qytetarëve” dhe “me vota të presionit”.
Ai ka akuzuar bashkëpartiakun e tij, Hashim Thaçi për mënyrën e zgjedhjes së Pacollit president, duke i frikësuar deputetët me heqje nga lista nëse nuk e votojnë zgjedhësin e tij.  Krasniqi ka ritheksuar se është shkelur kushtetuta në këtë rast dhe se vullneti i deputetëve të pranishëm ishte ai nga votimi i herës së parë, kur Behxhet Pacollit nuk iu dhanë më shumë se 54 vota. Jakup Krasniqi ka folur edhe për krizën brenda PDK-së, e cila është bërë e pashmangshme me rastin Pacolli, duke e akuzuar drejtpërdrejt  pos Thaçin, edhe kryetarët e komunave që mbështetën këtë zgjedhje për hir të interesave të tyre vetjake. Ai madje ka akuzuar për totalitarizëm, PDK-në në krye me Hashim Thaçin dhe e konsideron fitues veten për kahen që ka marrë ai dhe disa të tjerë brenda PDK-së. Duke thënë këtë Krasniqi e ka pohuar ndarjen zyrtare në dysh të PDK-së, në fraksion me të në krye, dhe një tjetër të udhëhequr nga kryetari i Partisë Thaçi.  Sekretari i përhershëm i PDK-së Jakup Krasniqi ka shpjeguar qëndrimin e tij në tërë këtë tollovi, duke thënë se kishte preferuar që më parë të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme se sa të shkohet drejt një krize institucionale disavjeçare me Aleancën Kosova e Re. 
“Prezenca e Sami Lushtakut në Kuvend ishte e panevojshme atë ditë. Më mirë do të ishte sikur ai të merrej me punët e komunës”, ka thënë Krasniqi, duke ripohuar se si kryeparlamentar ai po jep shenja të mira për funksionimin e rendit demokratik në Kuvendin e Kosovës. “Do t’i vëzhgojmë punët e kryeministrit dhe të presidentit, madje dhe do të kërkojmë dorëheqjen e tyre në rast se nuk funksionin rendi dhe ligji” është shprehur i pari i Kuvendit. Ai ka thënë se është koha që PDK-ja të mbajë kuvendin zgjedhor, ndërsa është shprehur me ironi ndaj “parashutistëve” që kanë aderuar në PDK kohët e fundit, duke i cilësuar si poltronë të kryeministrit Thaçi dhe interesxhinj./kn
shko