e premte, 11 shkurt 2011

Orban, njeriu që ka “trembur” Europën

Shenja e parë që gjërat kishin ndryshuar ishin pllakat katrore që u shfaqën në muret e zyrave të qeverisë, garnizonet ushtarake dhe teatro.

Me titullin: “Deklaratë e Bashkëpunimit Kombëtar” ato informonin të gjithë se tashmë pas votës së përgjithshme në vend kishte ndodhur  një revolucion i mirëfilltë kushtetues në Hungari dhe se një kontratë e re sociale, ajo e konsolidimit kombëtar do të sillte një të ardhme të re bazuar në kolonat e shenjta: “Punë, familje, shtëpi, shëndet dhe rend”. Viktor Orban kishte mbërritur më në fund. Në Hungari është e pamundur që të shmangësh gjurmët e qarta dhe të dukshme politike që ka nisur të lërë me shumë forcë Kryeministri i ri i vendit, i cili gëzon një nga shumicat më të mëdha parlamentare në historinë elektorale të Europës me partinë e tij, Firdez, një rrjedhojë e Aleancës së Demokratëve të Rinj. Këtë ngjarje shumë të madhe elektorale ai e konsideron edhe si “revolucioni i dy të tretave”. 
Në të gjithë Europën, liderët kanë reaguar me alarm ndaj njeriut që e ka përdorur popullaritetin e tij të madh dhe të beftë në Hungari për të vendosur një stil të ri e nacionalist pushteti në të gjithë vendin. Me të drejtë, ai mund të pretendojë se dy të tretat e popullit të tij i kanë besuar të ardhmen dhe se ai me këto vota mund të vërë në jetë vizionin e tij. Kjo fazë është e fundit në rrugëtimin e Orban, dikur një djalosh me flokë të gjata që ngriti zërin ndaj pushtetit komunist në vitet ’80, që në vitin 1989 ishte një  hero i demokracisë që pas viteve ’90 nisi që të formatohej si një lider i konservatorëve dhe sot është një figurë që veç të tjerash lidhet edhe me figurën e Kryeministrit rus, Vladimir Putin, dhe Presidentit të Venezuelës, Çaves, për nga mënyra shumë autoritare me të cilën qeveris vendin që nga dita kur mori një mandat shumë të fuqishëm në Parlament. 
Që nga një janari i këtij viti ai është edhe Kryeministri i vendit që drejton me rotacion për këtë 6-mujor Bashkimin Europian. Gjuha e përdorur te pllakatet e ndërtesave qeveritare ishte vetëm fillimi i një tonaliteti të ri që nisi të përdoret në politikën vendase si dhe në gazetat që ndodhen nën pushtetin e fortë dhe censurën e ashpër të një pjese të madhe të mediave vendase. Madje organe të veçanta, sipas ligjit të ri që censuron shumë mediat, kanë tashmë të drejtën që të akuzojnë dhe penalizojnë të gjitha ato organe mediatike që dalin kundër apo me një zë që nuk është në unison me propagandën qeveritare. Bëhet fjalë për ligjin famëkeq të mediave që u aprovua me shumë nxitim në Parlamentin hungarez ditët e fundit të dhjetorit të kaluar dhe që do të hyjë në fuqi ditën e parë që Hungaria nuk do të jetë më në krye të presidencës së BE-së pra në fund të këtij qershori.
 Ajo që tronditi me të vërtetë gjithë opinionin ndërkombëtar për sa i përket Orban është qëndrimi i tij në lidhje me mënyrën shumë të rreptë dhe të kontrolluar të politikëbërjes në vend. “Herën e fundit kur ai ishte në pushtet (1998-2002) kishte shumë gjëra të tijat me të cilat nuk ishim në një mendje, por gjithçka ishte brenda kornizës ligjore të demokracisë. Ndërsa sot nuk është kështu”, deklaroi Kinga Goncz, një socialist dhe ish-ministër kabineti që aktualisht është anëtar i Parlamentit Europian  dhe që përbën një nga figurat më të spikatura të opozitës në Hungari. “Këtë herë qëllimi, përmes gjithë legjislacionit në fuqi, është  stabilizimi i pushtetit dhe ky është i vetmi qëllim që ka Orban. Të gjitha hapat që ka ndërmarrë në të shkuarën dhe që është duke i ndërmarrë edhe tani janë të dobishme vetëm në arritjen e një qëllimi final: akumulimin e pushtetit dhe shtrirjen e ndikimit”.
Ministri i Komunikimit të Orban, Zlotan Kovacs, në një intervistë të fundit ka deklaruar se ligji i mediave kishte pasur për qëllim që të ishte një çështje teknike dhe se të gjitha elementet përbërëse të tij mund të gjendeshin lehtësisht në ligje dhe legjislacione të vendeve të tjera të Europës si në Gjermani vend në të cilin konsiderohen si të paligjshme të gjitha deklaratat dhe shkrimet antisemite në gazeta. Por i pyetur se përse një ligj i tillë është hartuar dhe imponuar në një moment të tillë shumë të rrezikshëm, ministri është përgjigjur se partia e tij është inatosur me dy gazeta të opozitës socialiste, të cilat u akuzuan menjëherë nga Orban si “të njëanshme” në rastin e përpjekjes së tij të parë për t’u bërë Kryeministër i vendit, e cila dështoi, në vitin 2002.
Por përveç ligjit të mediave që është një nga më skandalozët e miratuar këto 20 vitet e fundit në parlamentet evropiane, Orban ka përdorur shumicën e tij parlamentare, e cila mjafton për të bërë edhe ndryshime kushtetuese rrënjësore, për të mbushur edhe nivelet më të ulëta të administratës shtetërore me njerëz besnikë të qeverisë së tij dhe të axhendës që ai ka nisur që të zbatojë. Ai gjithashtu ka nxjerrë të jashtëligjshëm edhe Këshillin Fiskal të Pavarur, detyra dhe misioni i të cilit ishte “hetimi” dhe monitorimi i buxhetit të shtetit. Orban ka konfiskuar fondet private të pensioneve në mënyrë që të financojë shkurtimet e buxhetit dhe kur Gjykata Kushtetuese ktheu mbrapsht një ligj të tijin për taksat. Ai në mënyrë arbitrare e “zhveshi” Gjykatën Kushtetuese nga pushteti i saj për të marrë vendime në lidhje me të gjithë legjislacionin që ka të bëjë me buxhetin.
Por ajo çka ka qenë më alarmuese për të huajt në lidhje me Orban është veprimi i përsëritur i tij për të zhvarrosur fantazmat më të frikshme të së shkuarës së Hungarisë. Në korrik, disa ditë pasi kishte ardhur në pushtet, Orban kaloi një ligj në lidhje me krijimin e  Ditës Kombëtare të Unitetit çdo 4 qershor me rastin e përkujtimit të Traktatit të Trianonit, në vitin 1920 – reparacionet e luftës – ligji që kufizoi përmasën e kufijve hungarezë si një dënim ndaj krimeve të kryera nga Austro-Hungaria  dhe aleatët e tyre gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ligji i referohej një “kombi hungarez të unifikuar” dhe së fundi është pasuar nga një tjetër ligj që është mbështetur fuqishëm nga Orban, i cili shumë shpesh e përmend tragjedinë e Trianonit si një “tragjedi kombëtare”. Ky ligj mundëson marrjen e nënshtetësisë hungareze për të gjithë ata hungarezë etnikë që jetojnë në shtete të tjera. Ndërkohë që edhe Gjermania ka ligje të ngjashme shtetësie për gjermanët në Poloni, askush nuk e ka dëgjuar Merkelin deri më tani që të kritikojë Konferencën e Jaltës, e cila reduktoi dukshëm kufijtë gjermanë.
Viktor Orban nuk është fashist, apo ndonjë ultranacionalist  racist i djathtë. Në fakt, mbrojtësit e tij thonë se shumica e tij parlamentare ka pasur një rëndësi për vendin, pasi e ka nxjerrë jashtë loje partinë e ekstremit të djathtë, Jobbik. Por mënyra ekstremisht nacionaliste e argumentimit të ligjeve nga ana e Orban dhe vendimet e qeverisë së tij nuk janë hasur e parë nga hungarezët që nga vitet e pas 1956-s dhe kontrollit sovjetik. Janë të shumtë në Hungari ata që mendojnë se pushteti aktual në vendin e tyre është shumë pranë një regjimi autoritar.
“Orban nuk është një djalë që i përket ekstremit të djathtë”, thotë një nga themeluesit e partisë në pushtet, Fidesz, i cili aktualisht është anëtar i Partisë Socialiste. “Por si një populist, ai është duke luajtur me pikëpamje që i ndan një hap nga ekstremizmi”.
Mes njerëzve që e kanë ndjekur Orban në vite ka një debat të hapur dhe të gjallë në lidhje me atë nëse Orban e ka ndryshuar qëndrimin e tij me kalimin e kohës, apo i ka dhënë një gjuhë të re mendimeve të tij të vjetra. Sigurisht që shumë nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër mendojnë se Orban pa dyshim ka qenë gjithmonë një nacionalist i flaktë, edhe kur përdoret retorikë liberale.
Themelues të partisë Fidesz që janë ende afër Kryeministrit Orban thonë se autoriteti i tij rrjedh nga instinktet e luftëtarit të cilat i ka pasur gjithmonë. “Ai është i vetmi që ka qenë në mesin e ndryshimeve në vitin 1989 dhe kjo i ka dhënë shumë fuqi veprimi”, thotë një analist hungarez. Sipas tij, Orban e ndien me të vërtetë se mund të ndryshojë botën dhe për të realizuar një gjë të tillë mendon se i duhet një shtet i fuqishëm.
Po sa të shqetësuar duhet që të jenë europianët ndaj një njeriu të tillë që ka shumë pushtet për të bërë ndryshime në një vend të rëndësishëm si Hungaria?  Daniel Cohn – Bendit, lideri i Partisë së Gjelbër Europiane, deklaroi në Parlamentin Europian pak kohë më parë se Orban është duke u shndërruar në një Hugo Chavez të Europës, pra në një nacionalist populist. Disa publikime amerikane dhe europiane kanë shkuar edhe më tutje duke e përshkruar politikën e Orbanit si “putinizim të Europës”, një fyerje kjo e tmerrshme për çdo lider në Hungari, një vend që thuajse u kolonizua nga Rusia për thuajse gjysmëshekulli.
Megjithatë, ka nga ata që mendojnë se paralelet më të mëdha të ngjashmërisë ai i ka me Berluskonin një tjetër Kryeministër të përfolur europian, i cili me mjetet e tij ka tentuar që të mbajë nën kontroll median vendase duke qenë edhe pronari më i madh mediatik në vend. Megjithatë, Orban edhe pse e ka nisur keq mandatin e Kryeministrit ka kohë përpara për të treguar se ka reflektuar ndaj etiketimeve jashtë vendit dhe pakënaqësisë brenda vendit që shumë shpejt mund t’i shndërrohet në një pengesë të madhe të paparashikueshme./topLajm
shko