e shtunë, 26 shkurt 2011

Qeveria denon sulmin në Gjakovë të autobusit me serbë

(Update) Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka dënuar sulmin mbi autobusin, me të cilën barteshin pelegrinët e komunitetit serb, që kishin ardhur për të kryer ritet fetare në kishën ortodokse në Gjakovë. Ky është një akt i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga të gjithë qytetarët e saj, thuhet në komunikatë.
Qeveria thekson se ky sulm është një goditje ndaj vlerave të tolerancës dhe të bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë, vlera këto që janë promovuar në vazhdimësi nga institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.


Qeveria do të vazhdojë vizionin dhe përkushtimin e saj, për të krijuar një ambient tolerant dhe të sigurt, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve për të ushtruar të lirë besimin e tyre fetar, të drejta këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha ligjet e vendit, përfundon komunikata, me të cilën u bëhet thirrje organeve kompetente që menjëherë të ndërmarrin hapat e duhur që shkaktarët e këtij sulmi të nxirren para organeve të drejtësisë.




Katër persona janë arrestuar nga policia e Gjakovës të shtunën në drekë, pasi kishin gjuajtur me gurë një autobus me targa të Beogradit, që transportonte  serbë, të cilët ishin në një vizitë Kishës Ortodokse dhe varrezave në Dardani dhe Lugbunar.

Jo zyrtarisht mësohet se të arrestuarit janë anëtar të Lëvizjes “Vetëvendosje”.


Incidenti ka ndodhur rreth orës 13:30, në kohën kur serbët po ktheheshin, nga kjo vizitë. Sipas Zeqir Kelmendit, përgjegjës për media në Drejtorinë Rajonale në Pejë,  nuk ka pasur të lënduar, përveç krisjeve në dy xhama, që janë shkaktuar nga hedhja e gurëve.


“Pas përfundimit të vizitës, disa të rinj e kanë gjuajtur autobusin me gurë, për pasojë janë shkaktuar qarje të dy  xhamave, mirëpo që nuk ka pasur të lënduar”, tha Kelmendi. 
Deri në orën 15:00, kur zëdhënësi Kelmendi është kontaktuar nga Koha Ditore, të arrestuarit nuk janë liruar.


Dhjetëra serbë që ishin për vizitë në Gjakovë, kanë ndezur qirinj të shtunën në drekë, në kishën serbe në Gjakovë, për të respektuar “shpirtrat e të vdekurve”, një ditë e shënuar kjo tek ortodoksët. Në ndërkohë, më herët ata kanë bërë vizita edhe në varrezat e tyre në Lugbunar e Dardani.


Vizita ka qenë e organizuar.


Ish kryetari i dhunshëm i Gjakovës dhe futbollist i ekipit bazë të Vëllaznimit, Gjokica Stanojeviq, i cili tash e disa vite po organizon vizitat e serbëve në data të caktuara, tha se “në përkujtim të kësaj dite kanë ardhur 78 veta, të gjithë serbë të Gjakovës e që tash jetojnë në Beograd, Kralevë, Kragujevc. “Sot kemi kalu shumë mirë, pasi organizimi i policisë ka qenë i mirë”, tha Stanojeviq. 


Kjo është vizita e dytë gjatë këtij viti e qytetarëve serb në Gjakovë.


Danica Llaban, ish qytetare e Skivjanit, ka thënë se vazhdimisht po vjen për të vizituar vendlindjen dhe që shpreson se një ditë do të kthehet përgjithmonë. “Tash po ndihem shumë më mirë, pasi mundet me ardhë njeriu në vizita. Në shpresojmë se ngadalë do të përmirësohet situata”, tha Llaban, e cila prej pas luftës jeton në pjesën veriore të Mitrovicës./kn




shko