e mërkurë, 16 shkurt 2011

Rektori Rugova: Ata djem janë gjak i prishtë (VIDEO)

Një ditë pas “përgjakjes” së Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, nga aktivistë të “Vetëvendosjes”, ka ardhur edhe reagimi i tij. Aktin e djeshëm, Rugova e ka dënuar me akuza të rënda, duke thënë se autorët “janë gjak i prishtë dhe kopila”.

Këto komente, Rektori Rugova i ka bërë gjatë një intervistë dhënë Radio Dukagjinit.

“Ky është sulm fizik. Jam sulmuar me substanca që janë edhe kanceroze, por edhe lëndë djegëse. Ngjyra ka qenë e tretur në lëndë djegëse dhe ka mundur që prej një shkëndije të sjell edhe flakë. Këto janë gjëra që i bën një pjesë e rinisë e cila është gjak i fëlliqur se me siguri dikush prej këtyre ose gjyshin a katragjyshin e ka me elemente sllave”, ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se “ky gjak i prishur nuk do t’ia arrij qëllimit ta përçajë universitetin”.

“Në ato zonat e mija është thënë se djali kurrë nuk i bie babës. Nëse i bie, atëherë është kopil. Në qoftë se ky Universitet është sulmuar në këtë mënyrë, atëherë është sulmuar nga gjaku i prishur edhe nga elemente të cilat nuk ia duan të mirën këtij populli”, citohet të ketë thënë Rektori Rugova në intervistën dhënë Radio Dukagjinit.

Ai ka shtuar se ky veprim më së paku i shkon për nder “Vetëvendosjes”, e cila, sipas tij, “nuk është distancuar fare”.

“Mirëpo ata e dinë se çka kanë bërë dhe e dinë se si e kanë punën me opinionin e tyre që ju ka dhënë votat. Kësisoj, nuk formohet shteti”, ka thënë për fund Rektori i UP-së, Mujë Rugova.
Ndërkaq, dy aktivistët e “Vetëvendosjes”, të cilët edhe mbuluan me ngjyrë të kuqe Rektorin Rugova, janë në paraburgim./zeri

shko