e enjte, 24 shkurt 2011

RTK-ja shpenzon 600 mijë euro për tri serialet e reja

Më se 600 mijë euro në vit është shuma që paguan Radiotelevizioni Publik i Kosovës për tri serialet që së fundi i janë shtuar skemës programore.
Prej javës së kaluar, numri i serialeve është rritur në pesë. “Lagjja e re”, “Shtëpia ime” dhe “Qyteti pa lumë”, janë produksionet që transmetuesi publik i ka blerë nëpërmjet një tenderi. Numri i serialeve që ofron RTK-ja - e cila financohet nga taksapaguesit kosovarë - për disa kineastë kosovarë është kërcënues për shikuesit. 
Pos kësaj, në njërin prej tyre është angazhuar edhe anëtari i bordit të RTK-së. Të njëjtit serial muzikën ia ka bërë i biri i redaktorit përgjegjës të programit argëtues. Kësisoj aktori Avni Abazi, anëtar i bordit, luan në serialin “Qyteti pa lumë”, muzikën e të cilit e ka bërë Korab Shaqiri, i biri i Ilir Shaqirit. 
Me ligjin për RTK-në, anëtarëve të bordit nuk u lejohet të ushtrojnë veprimtari afariste në RTK. 

  Anëtari i bordit në “Qyteti pa lumë” 

Të tre serialet që kanë nisur sefte të transmetohen janë produkt i tenderit të parë që RTK-ja ka shpallur në muajin nëntor, për blerjen e veprave audiovizuale të producentëve të pavarur. Në serialin “Qyteti pa lumë”, i prodhuar nga produksioni “Idea”, një rol i është ndarë Avni Abazit, anëtar i bordit të RTK-së. 
Në nenin 24 të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës, në pikën 24.5 thuhet se “Anëtari i Bordit ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtrojë veprimtari afariste me institucionin publik të RTK-së”. 
Por për vetë aktorin dhe anëtarin e bordit të RTK-së, kjo nuk paraqet problem. 
“Kur më ka ardhur oferta nga regjisori jam konsultuar me bordin dhe nuk ka pasur problem. Ky është një projekt i pavarur”, ka thënë Abazi, ani pse RTK-ja ka paguar 260 mijë euro për ta blerë këtë produksion. 

RTK-ja pa kritere 

Bekim Hasani, drejtor programor i televizionit, thotë se përzgjedhja e aktorit Abazi është bërë nga producenti dhe regjisori i këtij seriali. Që anëtarët e bordit të mos angazhohen në të, vetë Hasani pranon se RTK-ja nuk ka vënë kusht. 
“Menaxhmenti i RTK-së nuk ka vënë asnjë kusht, as për produksionin IDEA dhe as për produksionet e tjera të pavarura në procesin e përzgjedhjes së ekipeve realizuese. Angazhimi i aktorit Avni Abazi nga produksioni IDEA është bërë në mënyrë të lirë dhe të pavarur nga RTK-ja”, ka thënë Hasani. 
Për regjisorin e serialit, Ilir Kabashi, zgjedhja e Abazit që të luante në këtë serial është çështje profesionale. 
“Edhe Avniu është rastësisht në bord. Është çështje profesionale, krejt e dinë që është aktor”, ka thënë Kabashi. 
Por Avniu nuk është i vetmi në këtë situatë. 
Kompozitor i këtij seriali është Korab Shaqiri, djali i redaktorit përgjegjës të programit argëtues në Radiotelevizionin e Kosovës, Ilir Shaqiri. Për këtë të fundit kjo nuk është fare konflikt interesi. 
“Korabi muzikën ia ka falur këtij produksioni. Ju e dini saktë se kah unë nuk kalojnë konflikte interesash dhe probleme të natyrave banale”, ka thënë Shaqiri. Për regjisorin e serialit, Korab Shaqiri është kompozitor me profesion dhe kjo është arsyeja pse e ka angazhuar. “Nuk e kam marrë pse e ka babanë redaktor”, ka thënë Kabashi. 

Seriale me bollëk, filmi kurrkah 

Por jashtë komplikimeve ligjore, numri prej pesë serialesh për disa është i madh. Ndërsa shpenzimet për këto seriale nga ana e RTK-së janë të panevojshme. 
Pos “Qytetit pa lumë”, dy serialet e tjera “Lagjja ime” nga produksioni “Lagjja ime” i ka kushtuar RTK-së 232 mijë e 700 euro për një vit, ndërsa seriali tjetër “Shtëpia ime” e produksionit “Arena” kap koston prej 118 mijë eurove. Dy serialet veterane “Kafeneja jonë” dhe “Familja moderne” që kanë më shumë se tre vjet që shfaqen në RTK, nuk kanë një kosto të saktë. 
Pa e llogaritur koston, regjisori Isë Qosja, thotë se ky numër i serialeve është i lodhshëm për publikun. 
“Numri më duket kërcënues. Shumë seriale janë dhe këto e lodhin njeriun”, ka thënë Qosja. Për të, do të ishte më mirë sikur RTK-ja të shpenzojë këto para për bashkëprodhimin e ndonjë filmi artistik. 
“Do të mund të bëhet një film artistik me cilësi të larta”, ka thënë Qosja. 
Të njëjtin vlerësim ka dhënë edhe Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”. Madje ai thotë të mos i ketë parë kurrë këto seriale. 
“As nuk i kam parë dhe as që e kam ndërmend t’i shoh”, ka thënë Mehmetaj. Pa gjykuar vlerën artistike, Mehmetaj thotë se investimi i gjithë këtyre mjeteve në seriale do të ishte mirë të kanalizohej në prodhimin e filmave. 
“Do të ishte më mirë që të bëheshin filma artistikë. Ose dy-tre filma televizivë”, ka thënë Mehmetaj. 
Por regjisorët e tri serialeve dhe vetë drejtori programor i RTK-së, nuk mendojnë kështu. 


Produksione private, në emër të ligjit
 
Drejtori programor i televizionit, Hasani, ka thënë se me prodhimin dhe transmetimin e këtyre serialeve RTK veçse “po i përmbush obligimet ligjore dhe morale për t’i ofruar audiencës përmbajtje cilësore programore”. 
“Ne jemi duke bërë përpjekje për të krijuar kushtet për prodhimin edhe të një filmi të metrazhit të gjatë”, ka thënë Hasani.
“Por edhe serialet janë duke u pritur shumë mirë”, ka theksuar ai. 
Florent Mehmeti, regjisor i serialit “Lagjja e re” ka thënë se seriali i tij ka qenë e nevojshëm për programin e RTK-së. 
“Seriali ynë i ka munguar publikut. Ka një zhanër prej komedie që nuk është e parë në ndonjë serial tjetër”, ka thënë Mehmeti. 
“Tregimi i serialit është për përballjet ditore me jetën e një familjeje. Familja zhvendoset por bashkë me ta edhe fqinjët që sjellin situata komike”, ka thënë Mehmeti, duke shpjeguar fabulën e serialit. 
Ndërsa lidhur me tregimin e serialit “Shtëpia ime”, regjisori i tij Sunaj Raça thotë se është përçimi i mesazheve edukuese tek audienca e RTK-së. Atij i duken pak, pesë seriale në javë. 
“Seriali me regji timen ka qenë shumë i nevojshëm për RTK-në dhe shikuesit e saj. Por edhe numri i serialeve të tanishme nuk është i madh”, ka thënë Raça. Megjithatë, sipas tij, koha do të tregojë se cilët nga serialet kanë ofruar vlera artistike. 
“Serialeve që kanë nga 300 episode besoj se u ka ardhur fundi. Ato nuk tregojnë më asgjë”, ka theksuar Raça. 
Për Ilir Kabashin regjisori i “Qyteti pa lumë” numri i serialve e rrit konkurrencën brenda tyre. 
“Shpejt disa do të bien e disa do të qëndrojnë”, ka thënë ai./kn
shko