e martë, 1 mars 2011

Bisedimet me Serbinë, jo pa bekimin e Kuvendit

Bisedimet me Serbinë, qoftë të karakterit teknik, apo edhe politik, sipas analistëve kosovarë, duhet të marrin së pari bekimin e Kuvendit. Qeveria ka emëruar, ditë më parë,
zëvendëskryeministren Edita Tahiri si shefe të ekipit kosovar, por ende nuk janë caktuar grupet e ekspertëve që do përfshihen në bisedime, për të cilat Prishtina insiston se do jenë teknike. 
Analisti Ardian Arifaj thotë se pa marrë parasysh natyrën e bisedimeve, Kuvendi i Kosovës duhet të jetë ai që harton strategjinë dhe jep dritën jeshile për bisedimet. 


”Me një demokraci parlamentare, çfarë po mëtojmë të ndërtojmë në Kosovë, Kuvendi duhet të ketë fjalën përfundimtare. Kjo vlen njësoj edhe për bisedimet me Serbinë. Kuvendi duhet të jetë instanca e parë, e cila do ta miratojë një platformë dhe do të japë një leje se a mund dhe për çka duhet të bisedohet... Mandej, të fillohen bisedimet”, thotë Arifaj për Radio Evropa e Lirë. 
Një ditë më parë, opozita kërkoi fuqizim të rolit të Kuvendit në bisedimet, ndërkaq kryeparlamentari Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës duhet t’i përcaktojë kornizat e bisedimeve të ardhshme me Serbinë.  


Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se Kuvendi do të ketë rol, por jo të drejtpërdrejtë. Ai thotë se qeveria duhet ta marrë pëlqimin edhe të opozitës në lidhje me bisedimet.

 
Ndoshta nuk do të raportohet për çdo gjë, por së paku grupet parlamentare do të duhej të jenë të informuara. Një lloj konsensusi para bisedimeve do të duhej të ekzistonte. Opozita ka të drejtë që kërkon përmes Parlamentit të zyrtarizohet një platformë”, thekson Maliqi.


Zyrtarët e qeverisë, ndërkaq, mëtojnë të mos u japin ndonjë peshë të madhe bisedimeve, duke i quajtur ato të karakterit teknik. Por, analisti Arifaj thotë se për shkak të problemit politik të pazgjidhur me Serbinë, çdo dialog shndërrohet në politik. 


“Deri tash, nuk ka pasur bisedime teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha kanë qenë bisedime politike. Edhe çështjet që nuk janë teknike, por humanitare, si ajo e personave të pagjetur, janë të politizuara. Për këtë shkak është e nevojshme të merret leja nga Kuvendi i Kosovës, sepse mes Kosovës e Serbisë asgjë nuk do të jetë teknike, çdo gjë do të jetë politike. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë tërë kohën“, vlerëson Arifaj.


Analistët shfaqin drojën se në këto bisedime nuk do të lihet pa u prekur edhe veriu i Kosovës, i cili vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. 



BE-ja dhe SHBA-ja kanë konfirmuar se çështja e statusit nuk do të preket në këtë dialog, duke siguruar se veriu nuk do t’i shkëputet Kosovës. Edhe Maliqi mendon se ndarje nuk do ketë, por dhënie të një statusi të veçantë po. 
“Ndoshta, në instancën e fundit, mendoj se mund të bëhet ndonjë lëshim, jo territorial, jo që Kosova të ndahet, sepse kjo as që duhet të diskutohet... Disa po e përmendin një status që mund të jetë ndryshe nga ai i komunave tjera, disa e quajnë ‘Ahtisaari Plus’, por nuk duhet ta paragjykojmë këtë si negative, ose që do ta shkatërronte Kosovën. Nëse do të bëhej ndonjë marrëveshje, që të njëjtin status ta ketë Lugina e Preshevës, kjo do t’i ndihmonte shqiptarët andej dhe do të krijonte situatë mirëkuptimi”, mendon Maliqi. 

Dialogu, që është miratuar në parim nga liderët e të dyja vendeve dhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare edhe përmes një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vjeshtën e vitit të kaluar, është menduar të nisë si një lloj bashkëpunimi dhe të relaksojë raportet e ngrira ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.


Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek i ka porositur kosovarët që, para se të hyjnë në bisedime, të saktësojnë se çfarë duan të nxjerrin nga ato për të mirën e qytetarëve kosovarë./kd/
shko