e premte, 18 mars 2011

Fëmijët dhe rreziqet e pornografisë

Në moshën 11-vjeçare shohin imazhet e para pornografike. Në moshën 12-13 vjeç navigojnë në sajtet e para “hard” dhe shohin skena me përmbajtje të lartë dhune. Si mund të jenë kur të rriten këta fëmijë? I takon familjes dhe edukimit në shkollë të qëndrojë në krah të tyre...

Të parët që u fajësuan ishin prindërit anglezë: një në tre fëmijë, mes moshës 10-12 vjeç, shikon vazhdimisht faqe interneti me pullë të kuqe. Më të befasuarit rezultojnë estonezët, që zbuluan se 30 për qind e fëmijëve të tyre sheh imazhe pornografike. Më të zemëruarit prindërit kinezë, pasi një studim i bërë nga “China Youth Daily” ka treguar se pjesa më e madhe e fëmijëve në moshën e para adoleshencës kalojnë orë të tëra në internet në kërkim të seksit. 
Sot, në kohën kur televizioni nuk ofron ndonjë gjë shumë të madhe për fëmijët dhe kur interneti mund të përdoret lehtësisht nga të gjithë, kurioziteti për sajtet porno mund të shuhet vetëm me një klikim. Por pyetja që shtrohet është: si do jenë nesër këta fëmijë në jetë, kur impaktin e parë me seksin e kanë pasur që në moshën 11-vjeçare? Sot dihet që impakti me seksin është shumë i hershëm. Në ShBA, mosha 11-vjeçare është mesatarja kur nisin të shihen imazhet e para porno. 
Nga mosha 12 deri në 14 vjeç, të rinjtë kanë nisur të publikojë fotot provokuese në internet dhe një në pesë fëmijë e pranon se kërkon në “You Tube” video me skena që kanë përmbajtje të lartë seksi apo dhune. Gjithsesi këto të dhëna azhurnohen vazhdimisht. Për të qenë më e qartë, Sonia Livingstone e “London School of Economics and Political Science”, me rrjetin “EU kids online” ka realizuar studimin “Rreziqet dhe siguria e fëmijëve në internet”. 
Ajo ka bërë një “skaner” të rreth 25 mijë fëmijëve, njërit prej dy prindërve të tyre madje edhe fëmijë në moshën 9-vjeçare (sepse të vegjlit nisin ta përdorin internetin gjithmonë e më herët: 7 vjeç në Suedi dhe Danimarkë dhe 10 në Greqi, Itali, Turqi). Shqetësuese është dhe koha që kalojnë në rrjet: një në tre fëmijë mes moshës 9 deri në 10 vjeç e përdor internetin çdo ditë pa e ditur për rreziqet që u kanosen: të njohësh të panjohur, të shohësh imazhe shumë të rënda me seks dhe dhunë apo të marrësh dhe mesazhe që nuk përshtaten aspak me moshën. 
14 për qind e adoleshentëve nga 9 deri në 16 vjeç tregojnë se kanë parë në internet, në vitin e fundit, skena të tipit seksual. Por nuk është vetëm interneti: 21 për qind ka parë skena seksuale në televizor, revista apo telefona. Në krahasimin mes 25 vendeve spikat Estonia (30 për qind e të rinjve nën 16 vjeç ka parë imazhe seksuale online), Republika Çeke (29 për qind), Danimarka (20 për qind). Në Itali, përqindja e të rinjve që kanë parë skena seksi online është vetëm 7 për qind: më e ulët se kudo, sepse e ulët është edhe pjesëmarrja në internet. 
Por nëse marrim në konsideratë burime të tjera me përmbajtje pornografike, TV zë vendin kryesor. Fëmijët tanë navigojnë në internet kur janë në dhomat e tyre. Pothuajse 49 për qind e të rinjve europianë kanë kompjuterë në dhomë dhe askush nga prindërit nuk i kontrollon se çfarë shohin apo çfarë bëjnë në mesnatë. “Dikur e dija se çfarë bënin vajzat e mia në kompjuter, sepse qëndroja me to për shumë kohë. Sot kur janë në kompjuter dhe më shohin që kalojnë, ekranet boshatisen ndërsa ato ulin shikimet”, tregon Greg Holden, eksperte e sigurisë së informatikës. Sepse nga të dhënat, është shtëpia vendi nga bëhet lidhja e madhe e të rinjve me botën me drita të kuqe. 
“Fëmijët flasin pak, prindërit nuk marrin shumë vesh nga teknologjia, ata duhet t’i vëzhgojnë e të mos i lënë vetëm në internet. Kompjuteri nuk duhet të jetë privat, por i prekshëm nga të gjithë dhe në një vend të dukshëm për të gjithë”. Sigurisht nuk është e thënë që ekspozimi ndaj rreziqeve të përkthehet menjëherë si diçka e dëmshme, por pyetja është si të përballohet gjithë kjo për të mos u bërë e dëmshme më vonë. 
Psikologët thonë se familjariteti i madh me seksin mund të çojë në humbje të interesit dhe ta shikojnë si diçka natyrale dhunën që përmbajnë shumë prej këtyre imazheve. Po sipas tyre, familja dhe shkollat duhet të jenë ato që do të udhëheqin këto procese. Kontrolli i moderuar nuk të bën kurrë keq, po ashtu edhe informacioni i duhur.

Adoleshentët e painformuar

Janë të pasionuar pas teknologjisë, njohës të mirë të realitetit virtual më shumë se të trupit të tyre. Navigojnë në rrjet si profesionistë, por në dashuri dhe seks improvizojnë dhe rrezikojnë shumë. Janë këta adoleshentët europianë të shekullit të ri: 27 për qind e tyre nuk përdor fare masa mbrojtëse dhe kjo përqindje shkon në 35 kur flitet për vajzat. 
Rezultatet shihen, mjekët japin alarmin në spitalet ku çdo fundjavë mbërrijnë me dhjetëra vajza të trembura për të marrë pilulën e urgjencës, ndërsa janë shtuar së tepërmi sëmundjet seksuale mes të rinjve. Në vend që të informohen më shumë për të mbrojtur veten e jo të rrinë gjithë ditën në çat, të rinjtë europianë po mbështeten gjithmonë e më shumë te këto pilula, që në vitet e fundit po përjetojnë një bum të paparë shitjesh. 
Ato blihen dhe shiten në 55 për qind të rasteve nga minorenët. Adoleshentë të frikësuar me ide konfuze në fushën e seksit që shkojnë për të kërkuar pilulat e emergjencës, ka parë shumë edhe profesor Emilio Arisi. “Duhet të thyhen me çdo kusht barrierat e injorancës. 
Kjo, sepse kam dëgjuar të rinj se ishin të bindur që “Coca Cola” ishte si një lloj kontraceptivi, nëse bënin dashuri në këmbë nuk mbeteshin shtatzënë dhe se një pije me limon shpëtonte nga pasojat një raport të pambrojtur”, tregon ai. Ai ua vë fajin institucioneve dhe mungesës së lëndëve të edukimit seksual nëpër shkolla.
shko