e mërkurë, 2 mars 2011

Hysa: Ndarja e Kosovës do të thotë luftë e re

Prioritet i Qeverisë së Kosovës është integrimi i plotë i pjesës veriore të vendit dhe popullatës së atjeshme nën autoritetin e Prishtinës, ndërsa ndarja e Kosovës do të thoshte luftë e re, ka thënë Ylber Hysa, koordinator i Qeverisë së Kosovës për veriun, në një intervistë dhënë gazetës serbe “Pravda”.

Duke folur për bisedimet Prishtinë-Beograd, Hysa ka mohuar se temë e tyre mund të jetë statusi i Kosovës.


“Sovraniteti dhe statusi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë temë e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe kjo do të duhej të ishte e qartë për të gjithë. Vetëm një stabilizim i plotë i Kosovës dhe rajonit mund të jetë garanci për jetë kualitative dhe prosperuese të qytetarëve të shtetit tonë, dhe jam i bindur se edhe serbët në Kosovë janë të vetëdijshëm për këtë”, ka thënë Hysa për “Pravda”.


I pyetur për ndarjen e Kosovës si opsion që ndoshta mund nxirret si zgjidhje në bisedime, Hysa tha se “ndarje paqësore të Kosovës nuk mund të ketë”.


“Çdo ndarje e territorit do të nënkuptonte luftë të re dhe derdhje gjaku, ndërsa jam i sigurt se me gjakderdhje tashmë jemi ngopur të gjithë, edhe serbët, edhe shqiptarët. Pse për shkak të ambicieve joreale të dikujt të sjellim tërë rajonin në një rrezik prej luftës, kur po na ofrohet, do të thosha, rasti historik që bashkë me Serbinë, si dy shtete të barabarta, t’i qasemi procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian?”


I pyetur si mendon Qeveria e Kosovës të integrojë pjesën veriore të vendit, Hysa tha se këtë do ta bëjë “me metoda demokratike, me durim dhe në mënyrë paqësore”.
Vetëm ashtu, tha Hysa, “mund të zbatojmë integrimin e veriut dhe të popullatës së atjeshme si pjesë e barabartë e shtetit të Kosovës. Në këtë qasje kemi përkrahjen jo vetëm të Perëndimit dhe BE-së, por të gjithë botës demokratike”.
shko