e mërkurë, 2 mars 2011

Thaçi: Dialogu përmbyll kapitullin e armiqësive shqiptaro-serbe

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se për çështjen e dialogut edhe Kuvendi i Kosovës do ta japë fjalën e vet dhe do të jetë e përfshirë edhe shoqëria civile. 
Ai këto komente i bëri të mërkurën në mbledhjen e kabinetit qeveritar, me ç’rast ka shprehur besimin se dialogu Prishtinë-Beograd do të rezultojë me sukses për rajonin. 

Thaçi ka thënë se dialogu do të jetë i përqendruar në aspektet e rëndësishme për këtë periudhë kohore, që përfshijnë lëvizjen e lirë në rajon, agjendën evropiane dhe euroatlantike të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Ai ka shtuar se dialogu do të jetë i fokusuar në qarkullimin e lirë të mallrave, shkëmbimin tregtar dhe zhvillimin ekonomik, kthimin e dokumentacionit personal, regjistrat civil dhe kadastral dhe shënimet tjera me rëndësi ligjore që janë konfiskuar dhe bartur padrejtësisht prej Kosovës në Beograd. 


“Edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, por edhe për rajonin ky dialog do të shënojë përmbylljen e kapitullit të armiqësive dhe hapjen e një kapitulli të bashkëpunimit ndërshtetëror mes dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe vendeve tjera të rajonit. Kosova pret që fundi i këtij dialogu të jetë i suksesshëm për Kosovën, që Kosovën ta gjejë në familjen evropiane. Ky është synimi ynë, ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës, ky është vizioni i politikës së Kosovës, kjo është mbështetja dhe agjenda euroatlantike për Kosovën dhe rajonin”, ka deklaruar Thaçi.
Përveç Qeverisë së Kosovës dhe zëvendëskryeministres Edita Tahiri si udhëheqëse e ekipit të Kosovës, Thaçi ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës, gjithë spektri politik, edhe opozita dhe shoqëria civile do ta thonë fjalën e tyre për këtë proces.


“Ne presim që edhe Kuvendi i Kosovës të japë fjalën e vet, të debatojë, të diskutojë, të kontribuojë dhe të mbështesë këtë angazhim tonin të përbashkët të gjithë politikës kosovare. Ne do të jemi të hapur dhe transparentë para qytetarëve, do të jemi të gatshëm të debat dhe për nxjerrjen e konkluzioneve të përbashkëta me gjithë spektrin politik në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shprehur bindjen se edhe opozita do të jetë bashkëpunuese në këtë drejtim dhe gjithë spektri politik do të ketë një qasje unifikuese.


Kryeministri tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial të paprekshëm, por edhe të njohur ndërkombëtarisht dhe se bisedimet nuk do të prekin çështje që cenojnë shtetësinë e Kosovës. 


Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ende nuk dihet kur do të fillojnë negociatat për faktin se agjenda do të realizohet pas koordinimit me BE-në dhe SHBA-të
Kuçi tha se Kosova nuk i frikësohet dialogut me Serbinë dhe se pas dialogut Kosova do të dalë fituese.
Në mbledhjen e Qeverisë u mor vendim që të ndahen 40 mijë euro për manifestimet “Epopeja e UÇK-së”./kn
shko