e diel, 10 prill 2011

Kurti: Përgjegjësinë e plotë për bisedimet e mban Thaçi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media, ka folur për raportimin që zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri ka bërë në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të premten. 

Kurti mendon se agjendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve me Serbinë dhe renditjen e temave aty e mban kryeministri Thaçi. Ai ka numëruar një numër argumentesh shtesë që bisedimet e këtilla janë të padrejta dhe shumë të rrezikshme. Kosova sipas Kurtit fiton në këto bisedime vetëm nëse i ndërprenë ato.
   
Kurti sot ka folur edhe për aspekte të tjera të këtyre bisedimeve, siç është Lugina e Preshevës, librat kadastral, si dhe për mungesën e transparencës për këto bisedime.

Sipas Kurtit, zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri e pranoi që bisedimet në Bruksel ajo i quan “dialog teknik midis Kosovës e Serbisë”, mirëpo Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këto bisedime i quan ato “dialog midis Kosovës e Serbisë”. Pra, BE-ja nuk i quan ‘dialog teknik’ por vetëm ‘dialog’.    

“Territori i çështjeve të diskutuara në Bruksel është gjithnjë Kosova dhe vetëm Kosova. Diskutimet për temat si regjistrat e gjendjes civile, librat kadastralë, energjia apo telekomunikacioni i janë referuar territorit të Kosovës dhe vetëm atij. Prandaj, në bisedimet në Bruksel qartazi po negociohet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës”, tha Kurti.   

“Zëvendës-kryeministrja Tahiri e pranoi që ka afrim të qëndrimeve me Serbinë sa i përket çështjes së regjistrave civilë, pra librave të amzës, dhe energjisë, por jo edhe telekomunikacionit. Ajo tha që i ka kërkuar origjinalet e regjistrave të gjendjes civile por gjithashtu e konfirmoi gatishmërinë e saj që t’i marrë edhe kopjet e këtyre regjistrave. Pra, ky është kompromisi i parë që rrezikon të bëhet marrëveshje dhe të nënshkruhet në raundin e ardhshëm të bisedimeve. Mirëpo, zëvendës-kryeministrja Tahiri nuk ka qejf që t’i përdor fjalët ‘koncesion’ e ‘kompromis’. Ajo preferon për të njëjtin kuptim shprehjet ‘sjellje konstruktive’ dhe ‘zgjidhje kreative’”, vazhdoi ai. 
 
Kurti në vazhdim tha se “në pyetjen time se si janë përcaktuar këto tema të bisedimeve dhe renditja e tyre, ajo tha që kjo gjë është bërë përgjatë takimeve që ka pasur këshilltari i Baroneshës Ashton, Robert Cooper, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, duke filluar nga shtatori i vitit të kaluar në kuadër të përgatitjeve për këto bisedime. 



Takimet Cooper-Thaçi dhe Cooper-Tadiq e kanë sjellur këtë agjendë që ende s’është plotësisht publike. Pra, përgjegjësinë e plotë për agjendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve dhe renditjen e temave aty e mban kryeministri Thaçi dhe ai do të duhej që të jap llogari se çfarë ka biseduar dhe si është dakorduar me Robert Cooperin për këto tema dhe radhitjen e tyre”.  

“Duke u përgjijgur në pyetjet e mia, zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri tha që në bisedimet në Bruksel nuk do të flitet për kërkimfaljen e Serbisë, për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë në të cilën shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, për Luginën e Preshevës dhe as për dorëzimin e kriminelëve serbë autoriteteve të Kosovës meqenëse këto, sipas saj, janë çështje politike dhe jo teknike. 



Ndërkaq, për çështjen e dëmeve të luftës dhe të të pagjeturve, ajo tha se këtyre ende nuk iu ka ardhur radha, ndonëse dihet që ato duhet të jenë çështjet me prioritetin më të lartë sepse kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, znj.Edita Tahiri deklaroi që nëpërmjet këtij dialogu synohet që Serbia të tërhiqet nga veriu i Kosovës”, ka theksuar Kurti.   

Sipas tij, “çështjen e kthimit të librave kadastralë zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri e konsideronte çështje teknike. Por, ajo e tha hapur që librat kadastralë na i kanë marrur me dhunë, prandaj duke e konsideruar këtë punë si çështje teknike ajo po e zbraz plaçkitjen e Serbisë nga motivi politik e kriminal i saj. Sepse, kthimi i librave kadastralë do të ishte çështje teknike vetëm nëse Serbia do t’i kishte marrur gabimisht librat kadastralë në vend të ndonjë dokumentacioni tjetër”. 

Albin Kurti theksoi se “zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri, njëherë tha që nuk mund të na i jep procesverbalet dhe transkriptet e dy raundeve të bisedimeve në Bruksel, e mandej tha që nuk ekzistojnë fare ato procesverbale dhe transkripte meqë formati i bisedimeve na qenka i atillë. Kur e pyeta zëvendës-kryeministren Tahiri që përfundimisht të na e sqarojë nëse ekzistojnë ose jo procesverbalet dhe transkriptet, ajo tha që nuk mundet të përgjigjet në këtë pyetje. 


Ajo disa herë bëri ftesa që të bëhemi pjesë e atyre bisedimeve nëse duam të marrim vesh se çka krejt është folur në Bruksel. Kjo mënyrë është shumë joprofesionale. Dhe, është saktësisht e kundërta e llogaridhënies së drejtë. 



Pra, kush dëshiron transparencë për bisedimet në Bruksel, duhet që paraprakisht të bëhet pjesë e proceseve të padrejta, dhe kjo transparencë ofrohet individualisht në llogari të atyre që do të mbeteshin jashtë. 


Rrjedhimisht, kryesuesi i delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviqi, di gjithçka për këto bisedime e ne si qytetarë dhe deputetë dimë fare fare pak”./kn
shko