e mërkurë, 20 prill 2011

Vrapon maratonën më të shpejtë, por nuk i njihet si rekord

Mbarë bota mund të debatojë se a vendosi Geoffrey Mutai rekord të botës, kur përfundoi Maratonën e Bostonit për dy orë, tre minuta e dy sekonda, kohë të cilën askush nuk e ka arritur në një maratonë.
Megjithatë, koha e tij do të mund të njihet si më e shpejta, por nuk do të regjistrohet si rekorde e një maratone, pasi shtegu i maratonës së Bostonit pati edhe shumë tatëpjeta që llogariten se mund t'i kenë ndihmuar keniasit të arrijë këtë kohë.

"Kemi një paraqitje të befasueshme dhe përfundimisht kohën më të shpejtë këtu", ka thënë Tom Grilk, kreu i Asociacionit të Atletikës të Bostonit, të hënën. "Ne në Boston jemi shumë të lumtur me këtë që ndodhi. Definicionet e të tjerëve, do t'i lë në ndërgjegjen e tyre". 


Garuesi nga Kenia, Mutai, parakaloi bashkëkombësin e tij, Moses Mosop, në rrugën "Boylston Street" dhe e përfundoi shtegun me një epërsi prej katër sekondash. Atletët kenias lanë pas vetes rekordmenin Haile Gebrselassie, që në vitin 2008 në Maratonën e Berlinit arriti kohën 2:03:59, kohë kjo që llogaritet si rekorde e një maratone. 


Koha e Mutait nuk do të njihet nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), pasi kjo federatë kërkon që shtegu të nisë dhe të përfundojë përafërsisht në të njëjtën pikë të lartësisë dhe të mos ndihmohet nga fryma.


Maratona e Bostonit nis në një lartësi prej 145 metrash mbi nivelin e detit dhe përfundon në pesë metra mbi nivelin e detit. 
Megjithatë, zyrtarët e Maratonës së Bostonit nuk i marrin parasysh këto fakte, por as keniasi Mutai. 


"Nuk shikoj në rekordet botërore, thjesht vrapoj për të përfunduar maratonën. Nëse je i fortë, atëherë shkon deri në fund", është shprehur Mutai. 
Rregulli 206 i Federatës Ndërkombëtare diskualifikon shtegun e Bostonit nga mundësia për të regjistruar rekord botëror.


Mutai për triumfin në Maratonën e Bostonit ka marrë një shpërblim prej 150 mijë dollarësh, plus kësaj do të marrë edhe 50 mijë dollarë për kohën më të mirë që arriti. 


"Ky njeri ka fituar maratonën dhe ka pasur kohën më të mirë. I ka bërë dy gjëra dhe është nderuar për arritjet e tij", është shprehur Grilk, kreu i Asociacionit të Atletikës të Bostonit. 
Asnjë garues amerikan nuk ka arritur të fitojë Maratonën e Bostonit në të dy konkurrencat prej vitit 1985 kur Lisa Larsen-Weidenbach pati triumfuar. Mutai është bërë garuesi i 19-të nga Kenia që triumfoi në Maratonën e Bostonit në 21 vjetët e fundit.
shko