e mërkurë, 22 shtator 2010

Boris Tadic pritet ta vizitoj shkollen serbe ne Shqiperi

Hapja e shkollës serbe në Komunën e Libofshës do të çojë në këtë zonë edhe Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, i cili pritet që së shpejti ta vizitojë Shqipërinë.
Komuniteti sllav i fshatit Rrethlibofshë është njoftuar për një vizitë të afërt të kreut të shtetit serb, ndërkohë që Ambasada e Serbisë në Tiranë ka nisur punën për të përgatitur terrenin, duke kërkuar bashkëpunimin e Komunës Libofshë për pritjen e personalitetit të lartë serb në vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri.

Vizita

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e ka pranuar ftesën e bërë gojarisht nga Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Beograd. Burime diplomatike nga Tirana dhe Beogradi kanë konfirmuar tashmë se vizita do të kryhet në një kohë të afërt dhe mbetet vetëm të caktohet data e axhenda. Pjesë e kësaj axhende mësohet se do të jetë edhe një vizitë në Komunën e Libofshës në Fier, ku jetojnë disa dhjetëra familje me origjinë nga Novipazari.
Eqerem Duleviçi, një nga anëtarët e komunitetit sllav të Rrethlibofshës, tregon se është informuar për një vizitë të afërt të Presidentit serb në fshatin e tij. “Premtimi i Presidentit për të ardhur këtu më është rikonfirmuar tre herë nga ambasadori. Pritet që ai të vijë shumë shpejt. Ne jemi serbë, por respektojmë edhe tokën që na rriti, Shqipërinë”, thotë Eqerem Duleviçi, i cili nga ana tjetër nuk e fsheh gëzimin e ardhjes së Presidentit serb. Për këtë të fundit është njoftuar edhe komuna, kryetari i së cilës pranon faktin se e ka mirëpritur vizitën e një presidenti të një shtetit të huaj, pavarësisht marrëdhënieve të dikurshme mes dy shteteve.

Shkolla

Shkolla serbe e hapur fundjavën e shkuar në fshatin Rrethlibofshë rezulton të jetë e suksesshme më shumë sesa ishte parashikuar. Kështu, ndryshe nga çfarë ishte deklaruar, se shkolla do të qëndronte e hapur vetëm për fundjavë, aty po zhvillohet mësim çdo ditë. Madje janë marrë edhe masat për zëvendësimin e mësuesit nga Shkodra për ato ditë që ai mungon.
Këtë e pohojnë nxënës të shkollës, të cilët thonë se nuk po lënë asnjë ditë pa e frekuentuar atë. “Shkoj me qejf çdo pasdite. E kam gjuhën amtare dhe si e tillë më nevojitet ta mësoj jo vetëm me të folur, por edhe me të shkruar”, thotë Selma, një vajzë 8 vjeçe, e cila gjatë paradites frekuenton shkollën 9-vjeçare të fshatit. Zerma 15 vjeçe thotë se ka vendosur që arsimin e lartë ta vijojë në Beograd. Ajo është në klasën e dhjetë në shkollën e Libofshës dhe pas dy viteve do të shkojë me studime në Beograd, gjë që ajo mezi e pret.
Edhe Eqerem Duleviç, i cili liroi ambientet e shtëpisë për shkollën serbe, pohon se që nga e shtuna shkolla nuk është mbyllur asnjë ditë. “Ka një frekuentim të madh. Vendosëm që mësimi të jetë i përditshëm. Nga interesi i lartë i fëmijëve, por edhe i të rriturve, vendosëm që mos të kishte shkollë vetëm gjatë fundjavës”, tha Duleviç.
Ai shpjegoi edhe skemën e pagesës së mësuesve. Sipas tij, paga e tyre jepet nga Ministria serbe e Diasporës dhe Ambasada Serbe në Tiranë. “Unë kam lënë mjediset e banesës sime falas për aq kohë sa të hapet shkolla e re, e cila është në fazat e para të ndërtimit. Mendohet që brenda dhjetorit ajo do të përfundojë. Për të gjitha shpenzimet përgjigjet ambasada”, shpjegoi Eqerem Duleviçi.
Nga mësuesi që zhvillon mësim gjatë javës konfirmohet se një kasë ka 22 nxënës. Fillimisht u mendua që të ishin tre klasa, por interesimi i madh për shkollën ka bërë që të regjistrohen plot 5 klasa. Nxënësit janë ndarë sipas moshës që kanë. Kështu, të gjithë fëmijët nën 14 vjeç bëjnë pjesë në një klasë, ndërkohë që një klasë ka vetëm pjesëtarë të komunitetit serb, por që janë të një moshe të madhe. Si femrat, ashtu edhe meshkujt kanë preferuar të marrin mësime në gjuhën serbe.
shko