e mërkurë, 8 shtator 2010

Cfare po ndodh me politiken e Beogradit!

Beogradi zyrtar ka udhëhequr politika destruktive dhe dalëngadalë po tërhiqet prej politikave të deritashme, vlerësojnë politikanë serbë të Kosovës. Rangjel Nojkiç, politikan serb, thotë se Beogradi ka filluar ta pranojë atë që është më se e nevojshme për serbët e Kosovës. Ndërkaq, Marko Jakshiç thekson se mënyrat se si Beogradi po përpiqet ta ruajë Kosovën, gjegjësisht të ruajë edhe serbët në këtë hapësirë, thjesht nuk po japin rezultate.

Politikat e deritashme të Beogradit zyrtar më shumë u kanë bërë dëm interesave të serbëve të Kosovës, sesa që i kanë mbrojtur ato, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.
Ata thonë se Serbia ka filluar ta shohë realitetin dhe se dalëngadalë po tërhiqet nga, siç i quajnë ata, politikat destruktive. Rangjel Nojkiç, politikan serb, thotë se Beogradi tashmë gjendet në mes të dy problemeve.
Në njërën anë, sipas Nojkiqit, Beogradi gjithnjë e më shumë është duke e kuptuar realitetin dhe, në anën tjetër, po përpiqet t’i zgjidhë problemet, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe interesat nacionale dhe shtetërore të tij.
Kjo edhe është arsyeja pse Beogradi, dalëngadalë po e ndryshon politikën dhe strategjinë e saj, duke kuptuar realitetin dhe duke pranuar atë që është më se e nevojshme për serbët në këto hapësira.
“Kjo edhe është arsyeja pse Beogradi, dalëngadalë po e ndryshon politikën dhe strategjinë e saj, duke kuptuar realitetin dhe duke pranuar atë që është më se e nevojshme për serbët në këto hapësira”.
“Është shumë me rëndësi që të theksohet se një pjesë e Beogradit, gjegjësisht, disa njerëz, të cilët kanë qenë në institucionet e Kosovës dhe tashmë nuk janë aty, kanë tentuar ta plasojnë një politikë, që ka qenë joreale dhe në mënyrë të veçantë i ka konvenuar pjesës veriore të Kosovës”, thotë Nojkiç.
Më tutje Nojkiç thekson se ekzistojnë shenja se politikat e tilla të Beogradit po ndryshojnë, duke shpresuar se Beogradi megjithatë do të bëjë atë që është më optimale dhe racionale për serbët në Kosovë.
Ndërkaq, Marko Jakshiç, gjithashtu politikan serb, i quan të dështuara politikat e Beogradit për, siç thotë ai, mbrojtjen e Kosovës dhe serbëve të Kosovës përmes rrugëve diplomatike.
Jakshiç thotë se kërkimi i mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe rezoluta serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë në vazhdën e veprimeve të gabueshme politike të Beogradit.

“Mendoj se mënyrat se si Beogradi po përpiqet ta ruajë Kosovën, gjegjësisht t’i ruajë edhe serbët në këtë hapësirë, thjesht nuk po japin rezultate, sepse disfatat e njëpasnjëshme po tregojnë se Beogradi nuk e ka menduar mirë mënyrën e duhur për luftë diplomatike dhe politike”.
“Kemi edhe paralajmërimet e fundit, kinse po bëhen përpjekje që në një mënyrë tjetër të zgjidhet fati i veriut në krahasim me serbët e tjerë”, shprehet Jakshiç.
Ai shton se gjatë dy vjetëve të fundit ka vërejtur se Beogradi ka bërë më pak përpjekje për serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, në krahasim me ata të anës veriore.
Jakshiç, gjithashtu i kritikon edhe deklaratat e disa zyrtarëve qeveritarë serbë, të cilët kanë deklaruar se janë të gatshëm të pranojnë qoftë edhe ndarjen e veriut të Kosovës, nëse për këtë arrihet një marrëveshje me palën kosovare në bisedime eventuale.
Kritikat të ngjashme lidhur me këtë çështje jep edhe Nojkiç. Por, ai thotë se Beogradi zyrtar nuk i favorizon politikat që kërkojnë ndarje të Kosovës, sepse, sipas tij, është i vetëdijshëm se një gjë e tillë nuk është reale.
“Konsideroj se e gjithë kjo është pjellë e disave që janë në institucionet e Republikës së Serbisë, ndërkaq që deri kohë më parë ata kanë qenë në institucionet e Kosovës. Ata tash po përpiqen që politikën e tyre të gabuar ta orientojnë në stilin ‘të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet’ ”.
“Kështu që, nuk them se Beogradi zyrtar mendon që ndarja e Kosovës është zgjidhje optimale. Mendoj se Beogradi tashmë e ka kuptuar këtë dhe dalëngadalë po e braktis këtë drejtim dhe këtë strategji, e cila i është imponuar nga serbët e Kosovës, qoftë nga përfaqësuesit aktualë, qoftë nga ata që kanë qenë në qeverisjen e kaluar”, thekson Nojkiç.
Ndryshe, Jakshiç thotë se Beogradi duhet të ketë politikë të qartë lidhur me serbët e Kosovës.
“Beogradi duhet të ketë politikë të qartë dhe të fortë. Duhet të ketë një politikë, e cila nuk guxon ta habisë rrugën dhe në disa raste të dëshirojë të pranojë ndarjen e Kosovës, pastaj t’u ofrojë shqiptarëve autonominë nga 1 deri në 100, ashtu siç ka bërë kohë më parë kryetari Tadiç”.
“Për këtë arsye, unë mendoj se një politikë e tillë, e cila nuk është parimore dhe nuk e di se çfarë do, thjesht nuk i ndihmon serbët në Kosovë, e më së paku shtetin e Serbisë”, përfundon Jakshiç.


shko