e hënë, 6 shtator 2010

Grosman: Skam kohe te jem i deshperuar

SHOW-BIZ: Është një nga shkrimtarët hebrenj më të famshëm të këtyre viteve. Në një intervistë flet për librin e tij, “Në fund të Tokës”, dhe përse ai mbetet një nga kundërshtarët më të egër të politikës së Izraelit ndaj palestinezëve

Në maj të vitit 2003, David Grosman, një nga shkrimtarët më të famshëm britanikë, nisi të shkruante një libër të ri. Ishte një libër në lidhje me atë që hebrenjtë me eufemizëm e quajnë “Situata”, çka ishte pak e çuditshme, pasi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit David kishte refuzuar që të shkruante për politikën, të paktën në romanet e tij. Dhe këtë nuk e bënte nga frika se mos thoshte gjëra të përsëritura, por nga druajtja se një gjë e tillë do të shndërrohej në burim polemikash. Por në një moment të caktuar ai e ndjeu se nuk mund të rrinte pa shkruar. Djali i madh i Grosman, Xhonatan, në atë moment duhet të kalonte edhe gjashtë muaj të tjerë për të përfunduar ushtrinë, që në Izrael për meshkujt është 3 vjet, ndërsa djali i vogël 18-vjeçar ishte në prag të nisjes së kësaj eksperience. Ideja për të shkruar i erdhi krejt papritur dhe bashkë me të edhe personazhi. Bëhet fjalë për një grua të moshës së mesme, Ora, djali i së cilës, Ofer, sapo kishe mbaruar shërbimin ushtarak dhe ishte rikthyer në mënyrë vullnetare në frontin e luftës për një sulm që Izraeli do ta ndërmerrte ndaj njërit prej armiqve të tij. Ora u tmerrua nga kjo ide e të birit dhe nuk mund ta imagjinonte se si do t’i jetonte javët dhe muajt e ardhshëm. Në këto e sipër, një mendim magjik ia rroku mendjen. Ajo do të zhdukej përfundimisht nga jeta e të birit. Do të shkonte gjetkë dhe do t’i shkëpuste të gjitha lidhjet me të dhe në këtë mënyrë nuk do ta gjenin në shtëpi kur të vinin t’i thoshin se i biri ishte vrarë. Dhe nëse ajo nuk do të ishte aty, ndoshta i biri nuk do të vritej.
Në fund të fundit, si mund të vdesë dikush kur e ëma nuk është në shtëpi? Grosman nisi që ta shkruajë librin në mënyrën e tij, i nxitur nga një mendim magjik. Ndërsa e bënte, kishte ndjesinë, ose të paktën shpresën e vagët, që romani do të mbante të sigurt edhe të birin e tij, që kishte shkuar ushtar. Sa herë që ai vinte në shtëpi me leje, ata e diskutonin së bashku historinë. I biri do ta pyeste se cilat ishin të rejat që kishin ndodhur në jetën e personazheve. Kjo vazhdoi kështu për një kohë të gjatë. Por në 12 korrik të vitit 2006, në vijim të një sulmi nga Hezbollahu ndaj ushtarëve izraelitë, në një patrullë në afërsi të kufirit me Libanin nisi një luftë e ashpër. Gjatë 34 ditëve në vijim, 165 izraelitë humbën jetën dhe 1911 civilë gjithashtu vdiqën. Grosman u tmerrua për fatin e të birit, që ishte komandant tanku por fillimisht nuk iu kundërvu hapur luftës. Edhe sepse ka qenë gjithmonë kundër pushtimit që iu bë Palestinës, ai besonte se Izraeli kishte të drejtë që të mbrohej kundër hezbollahëve, të cilët ndryshe nga shumica e palestinezëve ishin të betuar vetëm për shkatërrimin e Izraelit. Ndërsa javët kalonin, ai nisi që të mendonte se Izraeli duhej që të tregonte më shumë vetëpërmbajtje. Kështu, së bashku me shkrimtarët e tjerë të mëdhenj , Amos Oz dhe AB Yehoshua, Grosman u shfaq në një konferencë për shtyp, në të cilën kërkuan nga qeveria izraelite përpjekje për një pushim zjarri. “Ne kemi të drejtë të shkojmë në luftë, por gjërat u komplikuan dhe besoj se ka më shumë se një zgjidhje për një konflikt”. Grosman nuk e zuri në gojë faktin  që i biri i tij ishte në ushtri dhe në front, sepse një gjë e tillë nuk kishte shumë rëndësi. Ai do të ishte ndjerë njësoj edhe sikur Uri i tij i dashur të ishte i sigurt në shtëpi. Qeveria izraelite e pranoi ofertën e OKB-së për pushim zjarri, që hyri në fuqi më 14 gusht, por kjo datë ishte shumë e vonuar për Grosman dhe familjen e tij. Më 12 gusht, në orët e fundit të luftës, Uri 20-vjeçar u vra kur tanku i tij u godit nga një raketë. Lajmi i erdhi Grosman-it në orën 02:40 të mëngjesit. Dëgjoi në citofon zërin e një ushtaraku dhe e kuptoi se përse kishte ardhur. Rrugën nga shtrati deri te dera e jashtme e bëri si të mos ishte më ai, ndërsa me vete mendonte: “Kaq e pati jeta ime. Mora fund”. Por gjëja e çuditshme ishte se kjo nuk doli e vërtetë. Grosman varrosi të birin, Uri. Elegjia që i bëri Urit qe e thjesht por e ndjerë dhe u botua në të gjitha gazetat e botës dhe më pas familja u fut në një periudhë zie. Ditën kur kjo zi përfundoi, Grosman iu rikthye librit të tij. Fillimisht nuk mund të punonte më shumë se një orë në ditë, por ditë pas dite atij njëorëshi i shtonte nga 10 minuta. Ishte shumë e vështirë, sepse ishte duke shkruar pikërisht pjesën që do t’i shkaktonte dhimbjen më të madhe, por ishte një sfidë që duhej ta kalonte. Si rezultat, në vitin 2008 u botua libri “Deri në fund të Tokës”. “Çfarë mund të them për këtë libër? Nuk jam i sigurt që mund të them shumë. E kam dashur dhe është një libër që do t’jua copëtojë zemrën”, thotë autori. Për të shumëkush thotë se është Tolstoi i Izraelit.
Grosman është një person që kur e sheh nga afër rrezaton mirësi, mençuri, modesti dhe mbi të gjitha një farë “ngrirjeje”. Gjithmonë u kujton gazetarëve që duan ta intervistojnë se ka disa gjëra për të cilat nuk do të flasë kurrë, disa pyetje që do të mbeten pa përgjigje. “Kur diçka e rëndë të ndodh në jetë, si ikja e një fëmije, kërkon që të ikësh. Ikja është gjëja e parë që të vjen ndër mend dhe bashkë me të ke edhe atë ndjenjën që asgjë nuk është më e qëndrueshme, por gjithçka është e përkohshme dhe të rrëshqet dhe për mua rikthimi në shkrimin e librit të lënë përgjysmë ishte një ilaç. Ishte i vetmi vend ku doja të rrija, doja të shkoja, i vetmi vend që i jepte ditës kuptim. Duke vazhduar shkrimin e librit, më dukej sikur po rindërtoja gjithçka nga e para. Ishte një luftë e vazhdueshme ndaj dëshpërimit”, thotë Grosman. Më pas ai thotë se ishte e çuditshme që fatkeqësia i ndodhi pikërisht në një moment shumë të rëndësishëm të veprës.
Heroina e Grosman, Ora, personazh të cilin shumë analistë të famshëm e kanë lidhur me Ana Kareninën e Tolstoit, apo Emma Bovarinë e Floberit, vendos që të ngjitet në Galile për gjithë kohën që do të zgjasë lufta. Me vete merr një dashurinë e saj të vjetër, Avramin, një veteran ushtarak. Ndërsa ecin së bashku, ajo i flet për të birin, Ofer, dhe e përshkruan në të gjitha fazat e jetës së tij. Pak nga pak mungesa e tij nis të shndërrohet në një prani dhe romani më pas shndërrohet në një lloj memoriali, jo vetëm për Urin të cilit i kushtohet, por edhe për Ofer, që mund të ketë vdekur, por ndoshta edhe jo. Pasi Grosman mbaroi së shkruari librin, ia dorëzoi të birit të madh dhe bashkëshortes së tij, Machal. “Për ta ishte shumë i vështirë leximi i librit. Vetëm herën e dytë që e lexuan arritën që të kuptojnë se në fakt ai libër mund të shndërrohej në burim komforti për ne të gjithë”, thotë Grosman. Katër muaj pas vdekjes së Uri-t, Grosman iu drejtua një turme prej 100 mijë vetash që ishin mbledhur për të përkujtuar përvjetorin e vrasjes së Itzhak Rabinit në vitin 1995. Fjalimi i tij ishte shumë i bukur, por i ashpër. Ai denoncoi Olmertin dhe qeverinë e tij për dështimin e lidershipit, një dështim që i kishte sjellë një dëm të madh shtetit izraelit dhe ndër të tjera argumentoi se lidhja me palestinezët është shpresa e vetme për paqen. Romani i tij shkaktoi një reagim shumë të fortë në Izrael. “Disa nga librat e mi në të shkuarën kanë ngjallur edhe urrejtje, por jo ky. Unë mendoj se ky libër u mundëson njerëzve që t’i bëjnë vetes pyetjen: Çfarë do të thotë të jesh një qenie njerëzore në një situatë të rëndë? Ne nuk duhet që t’u shmangemi dyshimeve tona, t’u fshihemi kontradiktave. Duhet të përballemi me to. Unë nuk jam një person i ftohtë dhe racional. Në të kundërt, në këtë vend një pjesë e madhe e politikës është shumë emocionale, ndaj duhet të jesh i kujdesshëm kur flet për emocione. Por e rëndësishme në këtë vend është që të mos i jepesh menjëherë dëshirës së shfrenuar që mund të ndjesh për hakmarrje. Unë personalisht për sa i përket zgjidhjes së çështjes së Lindjes së Mesme nuk shoh opsion më të mirë sesa ai i dy shteteve që të jetojnë përbri njëri-tjetrit në paqe. Jam i dëshpëruar, shpesh dhe i trishtuar, por jo në atë masë sa kjo të më paralizojë. Mbase nuk e kam luksin për të qenë tërësisht i dëshpëruar. Ndoshta. Ose ndoshta është një çështje personaliteti: Unë nuk mund të bashkëpunoj me dëshpërimin, sepse dëshpërimi më poshtëron”.
David Grosman ka lindur në Jerusalem në vitin 1954 dhe ishte më i madhi  i dy vëllezërve. E ëma lindi në Palestinë, ndërsa i ati ishte emigrant nga Polonia në moshën 9-vjeçare me mamanë e tij vejane. Jeta e tij është një nga burimet më të mira të informacionit për sa i përket krijimit të personazheve dhe ngjarjeve që gjithmonë dhe pafundësisht vërtiten rreth hebrenjve dhe fatit të tyre shpesh herë tragjik e shtetarëve izraelitë që jo rrallë kanë qenë krijues tragjedish. Grosman ëndërron dhe do që Izraeli të jetë më shumë se një strehë për hebrenjtë, një shtëpi. “Dhe nuk do të jetë një shtëpi për sa kohë që ne të mos kemi vendosur paqen me fqinjët tanë. Në një shtëpi ti ndihesh i qetë, i lirë, merr frymë pa pasur ankthe. Ndërsa këtu në Izrael ne na merret fryma. Jeta është shumë më tepër se të jesh i zoti i një kodre, apo një mali”. Grosman mendon se pjesa më e madhe e hebrenjve e di këtë. Ajo që duhet të ndodhë së afërmi është afrimi i hapësirës që i ndan me fqinjët. Po për paqen, çfarë mendon? “Do të jetë e vështirë, nëse do të arrihet. Do të arrihet mbi kompromise shumë të mëdha. Ka nga ata që do të bëjnë përpjekjet më të mëdha për ta ‘vrarë’ paqen, por pa paqe do të kemi vazhdimisht vetëm përsëritje deri në pafundësi të skenave makabre të luftës dhe të të vdekurve”.
shko