e enjte, 30 shtator 2010

Jeta e Titos, enigmë

Këtë vit është përkujtuar 30-vjetori i vdekjes së Josif Broz Titos, Presidentit të ish-Jugosllavisë, që mund të konsiderohet mes të tjerave edhe si bravabërësi më i suksesshëm i historisë botërore.

Përtej versionit zyrtar të biografisë së tij, jeta e Titos mbetet një mister dhe një subjekt shumë i mirë për të gjithë të zellshmit e teorive konspirative. Në të gjitha vitet e jetës së tij, fakti i vetëm i padiskutueshëm është ai i vdekjes. Por pjesa tjetër, pra ekzistenca e tij, duke nisur që nga dita e lindjes, ajo e vdekjes, vendi ku është varrosur, origjina dhe identiteti i tij, mbeten shumë kontradiktore dhe të mbuluara nga një tis misteri.
Cili ishte mareshali që krijoi Jugosllavinë socialiste, Presidenti i një vendi komunist, shefi i partisë, themeluesi i Lëvizjes së Mospërfshirjes dhe një nga liderët më të famshëm të shekullit XX?

“Historia si shkencë ende nuk e ka ndërtuar profilin e biografisë së tij”, thotë një nga historianët më të famshëm në Beograd dhe njëherazi gazetar që ka shkruar shumë libra në lidhje me jetën dhe veprën e Titos. “Tito vetë e nisi konfuzionin për jetën e tij me të dhënat e ndryshme për datën e lindjes. Kjo ka bërë që në të gjithë librat e tij biografikë të jepen data të ndryshme të ardhjes së tij në jetë”, thotë historiani serb.
Ditëlindja e Titos në Jugosllavi festohej çdo 25 maj, por sipas gazetarit, data e saktë mbetet ende e panjohur dhe madje një mister është edhe për biografin e tij më të famshëm dhe ish-shok lufte, Vladimir Dedijer. Zyrtarisht, Tito vinte nga një prejardhje shumë modeste. Vetë profesioni i tij ishte bravabërës, ose çelësabërës dhe i ati thuhet se ka qenë një fshatar i thjeshtë nga Kroacia, më saktë nga fshati Kumrovac. I ati i Titos ishte kroat dhe quhej Franjo, ndërsa e ëma sllovene dhe quhej Maria. Një nga biografët e Titos i referohet datës së lindjes sipas arkivit të luftës së Vjenës dhe sipas këtij arkivi mendohet se Josif Broz Tito kishte lindur në vitin 1892 në Kumrovac, por vdiq në prill të vitit 1915 si ushtar i regjimentit të 25-të të divizionit të rojeve në ushtrinë e Habsburgëve, në betejën e Karpateve.
Raif Dizdareviç, një nga shokët e ngushtë të Titos dhe një nga krerë e fundit të shtetit të ish-Jugosllavisë, të sistemit presidencial me rotacion, ka deklaruar se një kopje e certifikatës së vdekjes së Titos, pra ajo e vitit 1915, mbahej nga Josifi dhe u gjet në një valixhe të tij me dokumente të fshehta në vitin 1915. Në dhomën e punës së Titos ndodheshin disa dokumente në një sirtar të fshehtë, mes të cilave ndodhej edhe kopja e certifikatës. Ajo ishte lëshuar nga Ministria e Luftës austro-hungareze dhe shoqërohej edhe nga një listë e ushtarëve të vrarë dhe atyre të humbur në luftë, përmes të cilëve ishte edhe emri i Brozit. Në një nga deklaratat e rralla që Tito ka lëshuar për jetën e vet, ka thënë se kishte marrë pjesë në luftën e Karpateve në vitin 1915, duke deklaruar se madje në atë betejë të ashpër ishte plagosur rëndë. Sipas një historiani, ai ka shkruar se kujtonte që pas plagës ishte shtrirë në një vend me shumë baltë dhe befas, ndërsa zvarritej, një ushtar armik me mustaqe të trasha i qëlloi edhe në shpatullën e djathtë. Një mjek patolog nga Lubjana, i cili i bëri autopsinë trupit të Titos pas vdekjes, thotë se në shpatullën e tij nuk kishte asnjë lloj shenje që mund të kishte qenë pasojë e goditjes. Origjina dhe vitet e para të jetës së Titos kanë qenë burim i vazhdueshëm spekulimesh nga ana e historianëve dhe gazetarëve. Një nga dyshimet që janë ngritur mbi vërtetësinë e origjinës së tij është edhe zotërimi jo i mirë i gjuhës kroate nga ana e Titos, që supozohet të ishte për të gjuha e nënës. Ndërkohë, Titoja ishte një person që fliste dhe shkruante në mënyrë të rrjedhshme rusishten dhe gjermanishten dhe ndërkohë komunikonte mjaft mirë në çekisht, polonisht dhe anglisht. Një tjetër publicist i Titos ka deklaruar se Tito ishte një agjent i Kominternit, i cili u infiltrua në Mbretërinë Jugosllave me detyrën që të organizonte Partinë Komuniste. Biografi i tij zyrtar sugjeron se Tito mund të ketë lindur në Vjenë dhe madje mund të ketë marrë pjesë në një shkollë të shërbimeve të fshehta. Ka edhe nga ato thashetheme sipas të cilave Tito është djali i paligjshëm i një koloneli të famshëm polak me emrin Lebedev.
Është shumë e vështirë që të besosh faktet për jetën e Titos para vitit 1928kur ai ishte akuzuar dhe kapur në Zagreb për akuzën e aktiviteteve komuniste. Kur ai u zgjodh deputet në Parlament në vitin 1950, Zyra Federale e Statistikave e pyeti në lidhje me disa të dhëna personale. Përgjigjja e Titos ishte e shkurtër: “Nuk jap informata personale”.
Ka thashetheme edhe për faktin se Tito ua mbylli gojën të gjithë personave që mund të kishin ndonjë dijeni për të shkuarën e tij të hershme dhe madje edhe atyre që tentuan të gërmonin në këtë të shkuar. “Njeriu i quajtur J.B. Tito lindi në një familje aristokrate dhe kishte shumë zakone të denja për një njeri të arsimuar dhe të kultivuar në ambientet aristokrate. Ai luante bilardo, shah, letra, praktikonte kalërimin, gjimnastikën dhe tenisin dhe fliste disa gjuhë të huaja. Një bravabërës me gjithë këto cilësi ishte unik në botë”, shkruante mjeku i tij personal në një intervistë të dhënë pas vdekjes së Titos. Madje ai thotë se para se të vdiste, Titoja i tha se nëse mendonte se e njihte mirë se kush ishte Titoja, ishte tërësisht i gabuar. “E kam ditur që në fillim që ke qenë kurioz dhe ke dashur të dish gjithçka për mua dhe ta dish se ti di për mua më shumë se të tjerët, por nuk di gjënë thelbësore: kush jam unë në të vërtetë. Titon nuk e ka takuar askush dhe askush nuk do ta takojë”, e kishte vazhduar Titoja bisedën. Më pas e kishte mbyllur me këtë frazë: “Unë jam Fausti... Ja, tani më në fund e di se kush jam. Dhe jo Fausti i Gëtes, por Fausti i të gjithë Faustve”.
Tito ishte një plejboj, një joshës, një vrasës i pamëshirshëm dhe një diktator që i kishte shokët e rrallë. Kur përralla me emrin Jugosllavi shkoi drejt fundit, mbetjet e krijuesit të saj u varrosën nën dy tonelata mermer në Beograd në mazoleumin e “Shtëpisë së Luleve”. Por të shumtë janë ende ata që besojnë se ai nuk ishte Titoja i vërtetë.
shko