e enjte, 9 shtator 2010

Linda Halimi: Ja pse u ndava nga i fejuari!

Linda Halimi rrëfehet për ndarjen pas dy vjetësh, dietën që e transformoi dhe pasionin e çmendur për motorët
Kur realizoi klipin “Të dua vërtet” ishte mëse e bindur që dashuria e përjetshme ekzistonte. Por tashmë këngëtarja 21- vjeçare nga Kosova, Linda Halimi e di mirë që gjithçka mbaron një ditë. E suksesshme në këngët e saj ku vargjet i kushtohen dashurisë së dështuar, Linda nuk e kishte menduar se dhe dashuria e saj “e çmendur” një ditë do të përfundonte me ndarje. E tani që i ka dhënë fund fejesës dyvjeçare me kitaristin nga Peja, Ilir Halili, ka vendosur t’i përkushtohet tërësisht muzikës. Në këtë intervistë rrëfen se si po e përjeton ndarjen nga i fejuari, instrumentisti i bandës që luan muzikë metal në Kosovë, me të cilin ran në dashuri me shikim të pare në Tiranë. Ajo zbulon recetën që e dobësoi 15 kg, hobet që ka në jetë dhe pasionin për motorat “Harley”:
Linda ndahesh nga i fejuari pas dy vitesh dashuri, çfarë ndodhi?
Asgjë s’mund të them më shumë përveçse ta pohoj: “Po, mbaroi.”
Ishe shprehur gjithmonë se ishte lidhje e fortë dhe pasionante mes teje dhe Ilirit. Si erdhi ndarja?
Nuk mund të jap detaje për një çështje që më përket vetëm mua dhe atij. Por tani që jemi ndarë nga njëri-tjetri mund të them vetëm se gjithçka në jetë ndodh për një arsye dhe jam shumë e lumtur për të gjitha gjërat që më kanë ndodhur deri tani.
Po flisni për një ndarje pa kthim, nuk shihni asnjë mundësi ribashkimi?
Po, jemi ndarë përfundimisht dhe mund të them se ndihem shumë më e lumtur kështu e lirë, dhe po ashtu s’kam asgjë kundër Ilirit.
Kjo do të thotë që jeni ndarë pa inate dhe mëri?
Nuk ka pse të ketë inate. Unë i dëshiroj çdo të mirë atij, sepse realisht është njeri i mirë. Por thjesht u ndamë se s’ishim për njëri-tjetrin dhe u desh kohë ta kuptonim këtë gjë.
I ke kënduar gjithmonë dashurisë. Tani që kjo histori mori fund kujton ndonjë sakrificë që kë bërë për hir të saj?
Hmmm. Çfarë kam sakrifikuar unë?! Me siguri mund të them që kam dhënë gjithë energjitë e mundshme, aq sa nëse nuk do isha përkushtuar në atë lidhje nuk do isha këtu ku jam, pra do isha shumë më lart. Por mendoj se tani më ka ardhur koha të dëshmoj veten se kush jam vërtet.
Ka ndryshuar jeta jote tani që je vetëm, ndihesh me e lirë, e pavarur?
Unë e lirë kam qenë gjithmonë ndonëse kam jetuar këtë lidhje. E lirë në aspektin që ai s’më ka penguar për asgjë që kam dashur, por tani që jam totalisht e lirë ndihem mirë për arsyen se po fokusohem më shumë në realizimin e planeve dhe ëndrrave që kam. Po merrem më shumë me veten dhe kjo më bën mirë sidomos në karrierën time, koncertet “live”, këngët e reja dhe konkurrimi në festivale.
shko