e diel, 26 shtator 2010

Tadic:Mos e njihni Kosoven! Duhet te flasim!

“Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është thellësisht neutrale ndaj statusit të Kosovës. Çdo lloj interpretimi tjetër nuk përputhet me të vërtetën”, tha presidenti serb Boris Tadiq.


Ai shtoi se Serbia është e gatshme të përfshihet sa më parë në dialog “duke shpresuar se dialogu do të çojë drejt një zgjidhje kompromisi, të pranuar prej të gjithëve, për problemin e Kosovës”.
Gjatë paraqitjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Tadiq theksoi se dialogu i pritshëm është në vazhdën normale të një procesi të ligjshëm ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Tadiq kërkoi nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të vazhdojnë të përmbahen, derisa Serbia nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, as në mënyrë të drejtpërdrejtë, e as në mënyrë indirekte.

Tadiqi bëri një interpretim tjetër të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas tij, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë “riafirmon se Kosova mbetet nën administratën e përkohshme të OKB-së dhe se Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme, mbetet në fuqi dhe vazhdon të zbatohet, çfarë bën që territori të vazhdojë të jetë nën një regjim ndërkombëtar të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit”.

Në vendimin e bërë publik më 22 korrik, GJND-ja thekson se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 12 44.

Por, sipas presidentit serb, Gjykata ka zgjedhur të vlerësojë gjuhën e përdorur në Deklaratën e shpalljes së pavarësisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë iu përgjigj pyetjes së shtruar në Asamblenë e Përgjithshme nga vetë Serbia.

Tadiq përsëriti se vendi i tij është i gatshëm të bisedojë me vullnet të mirë. Por, ai theksoi kërkesën e tij ndaj vendeve anëtare të OKB-së, që nuk e kanë njohur Kosovën të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë përgjatë gjithë procesit të dialogut të pritshëm./rel
shko