Prishtinë, 30 shtator ’10 - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, me ftesë të ministres së Punëve të Brendshme të Austrisë, znj. Maria Fekter.
Gjate vizitës së sotme, ministri Rexhepi pati një takim shumë miqësor me ministren Fekter, ku është diskutuar për bashkëpunimin mes të dyja vendeve në fushën e sigurisë dhe migracionit. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ka progres në bashkëpunimin policor mes dy vendeve, sidomos në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale.
Gjatë kësaj vizite, është formalizuar bashkëpunimi në fushën e riatdhesimit, me ç’rast është nënshkruar marrëveshja bilaterale për riatdhesim të shtetasve që qëndrojnë në mënyrë ilegale në territoret e palëve nënshkruese.
Ministrit Rexhepi i është premtuar se Austria do të jetë një avokat i fuqishëm i Kosovës në BE, sa i përket liberalizimit të vizave. Ndërkohë, ministrja Fekter është shprehur e gatshme të ndihmoj MPB-në e Kosovës, në ngritjen e kapaciteteve për integrim evropian në fushën e migrimit legal.
Pas marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, të nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjes për riatdhesim, të nënshkruar sot, të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim edhe në të ardhmen, në fushën e partneritetit të migracionit, si dhe fushave të tjera me interes për të dyja palët.